English

Prishtinë-Beograd, pushon dialogu teknik, pritet dialogu i vërtetë

Prishtinë, 10 tetor 2011, NOA – Kur ndërmjetësi i BE-së Robert Cooper mbërrin sot pasdite në Prishtinë pas një vizite në Beograd në përpjekje për të zhbllokuar dialogun mes dy fqinjëve, për vijimin e të cilit ka propozuar datën 14 tetor, gazetat kosovare shkruajnë se dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit do të pushojë. Ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper, nuk arriti ta bindë kryenegociatorin serb Borisllav Stefanoviç të takohet me Edita Tahirin në Bruksel, më 18 tetor, për të biseduar për energjetikën, telekomin dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Gazeta kosovare “Koha Ditore” bën me dije në numrin e sotëm megjithëse është treguar konstruktiv për tri temat, Stefanoviç i drejtoi një kërkesë ndërmjetësit Cooper në Beograd, që para se të zyrtarizohen konkluzionet e tri temave të bisedohet edhe për çështjen e pikëkalimeve kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Gazeta shkruan se Cooper ka luajtur rolin e lehtësuesit dhe jo të ndërmjetësit , duke cituar burimet diplomatike që thanë se Robert Cooper nuk i ktheu kurrfarë përgjigjeje shefit të delegacionit serb të bisedimeve për kërkesën e lartpërmendur. Këshilltari i baroneshës Catherine Ashton vetëm i ka treguar Beogradit se Brukseli pret që palët të rifillojnë bisedimet aty ku kanë mbetur. “Zoti Cooper do t`i shpjegojë Qeverisë së Kosovës qëndrimet e Beogradit dhe do të marrë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës. Roli i lehtësuesit është ky: që të dëgjojë palët dhe të shohë mundësitë që ato të afrohen”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë ndërkombëtar. Burime të tjera diplomatike kanë shpjeguar se ngërçi në dialogun teknik nuk do të tejkalohet duke theksuar se në këtë mënyrë procesi i takimeve të përbashkëta mes Borislav Stefanoviçit dhe Edita Tahirit e Robert Cooperit do të pushojë. Sipas të njëjtave burimeve, palëve do t`u lihet mundësia që kur të jenë të gatshme të rifillojnë procesin, por sipas të njëjtave burime ka pak gjasa që bisedimet të ndodhin në të njëjtin format. Sipas diplomatëve evropianë, dialogu teknik e ka arritur efektin që u planifikua që në fillim e që është “thyerja e akullit të bisedimeve”. Pas zgjedhjeve në Serbi, diplomatët presin që mes Kosovës dhe Serbisë të nisë dialogu i vërtetë ose dialogu me “D të madhe”, shkruan e përditshmja “Koha Ditore’. Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, do të qëndrojë dy ditë në Kosovë ku do të takohet me përfaqësues të lartë vendorë e ndërkombëtarë. Sipas burimeve të Kosova Times Cooper do të nisë takimin me shefen e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahirin sot pas orës 17:00. “Për shkak të axhendës së tij dhe për shkak të mbërritjes vonë në takimin e parë, Cooper do të qëndrojë edhe të martën në Prishtinë. Ai pritet të takojë edhe kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe diplomatë ndërkombëtarë në Prishtinë”, thanë burime zyrtare. Pala kosovare pritet që të përsërisë qëndrimin e saj se Kosova nuk pranon imponimin e çështjeve nga Beogradi. Sipas kryenegociatores së Kosovës dialogu mund të vazhdojë vetëm me axhendën e mëhershme ku përfshihet energjia elektrike, telekomunikacioni, bashkëpunimi rajonal si dhe vlerësimi i performancës së Prishtinës dhe Beogradit në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët. Pikërisht nga rezultati i konsultimeve të ndërmjetësit Cooper me zyrtarët kosovarë, varet vazhdimi ose ndërprerja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. KD/mit/NOA

KOMENTE