English

Në pritje të KE, reflektim dhe akuza

E mërkurë, 12 tetor 2011, NOA – Komisioni Europian do të bëjë publik sot progres-raportin për Shqipërinë dhe rekomandimin nëse vendi i ka përmbushur kriteret për të marrë statusin e vendit kandidat në familjen europiane. Sot në orën 14.00, drejtpërdrejt nga Brukseli Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule do të publikojë opinionin e KE-së për Shqipërinë dhe vendet e tjera që kanë paraqitur kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat, të cilën Shqipëria e ka dorëzuar më shumë se dy vite më parë në 28 prill të 2009-ës. Më herët komisioneri Fule do të paraqesë para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian paketën e zgjerimit. Duke qenë se 12 rekomandimet e BE-së i kushtoheshin funksionimit të parlamentarizmit e zgjidhjes së ngërçit politik në vend, kryerjes së reformës zgjedhore, krijimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjes së Avokatit të Popullit, reformës parlamentare dhe ndërhyrjes në disa ligje të rëndësishëm për integrimin e vendit, të gjithë jemi të vetëdijshëm se përgjigjia për statusin do të jetë negative. Gjatë tërë këtij viti nuk është shënuar asnjë progres në nisjen e dialogut politik në vend, përveç faktit se opozita u rikthye në Kuvend, me kërkesën për të nisur bashkëpunimin bazuar në një pakt dhjetëpikësh që mbështetet në 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Por, pakti në fjalë i bërë publik nga lideri i opozitës Edi Rama ende nuk ka gjetur konsensusin e mazhorancës, sikurse edhe nisja e një debati publik, që Rama i ka kërkuar liderit të mazhorancës, Sali Berisha. Pak ditë më parë trojka e ambasadorëve e cilësoi një hap përpara drejt dialogut politik paktin e Ramës, porse kryeministri tregoi udhën për zhvillimin e tij në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013. Nisur nga kjo panoramë e njohur politike në Shqipëri ku mazhoranca udhëheqëse e reformave në vend dhe opozita akuzuese e në kërkim të reformave të vërteta, ndërkombëtarët nuk arritën dot as këtë vit të mbledhin në një tryezë bashkëpunimi mazhorancën dhe opozitën. Në kërkim të integrimit dhe gjetjes së fajit tek kundërshtari politik Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të vështirë. Sot sipas gjasave edhe pse Shqipëria do të marrë vlerësime pozitive për disa reforma të mira, do të refuzohet për shumë të tjera ende të pavëna në udhën e kryerjes. Nisja e tyre do të bënte që të mos humbim të paktën marrjen e statusit vitin e ardhshëm. Por jo vetëm Shqipëria do të presë sot marrjen e progres-raportit. Për ironi të fatit Serbia shpreson që të marrë notën pozitive pra të kalojë klasën duke i hyrë rrugës së anëtarësimit edhe pse ajo ka ende hesape të pazgjidhura me Kosovën dhe veriun e saj. Ndërkohë edhe Mali i Zi pritet të mos e marrë as këtë vit rekomandimin e statusit të vendit kandidat në BE. mit/NOA

KOMENTE