Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kukan: Shqipëria humbi edhe një tjetër vit
English

Kukan: Shqipëria humbi edhe një tjetër vit

Tiranë, 13 tetor 2011, NOA- Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore Eduard Kukan, lidhur me Progres- Raportin e publikuar dje nga Komisioni Europian shprehet se Shqipëria humbi edhe një vit tjetër. Sipas tij drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk janë të përfshirë në dialogun politik, përmes të cilit do të gjendeshin zgjidhje për t'i dhënë fund krizës dhe stanjacionit të gjatë politik. Ndërsa Progres Raporti i ardhshëm do të jetë në Tetor 2012, mungesa e dialogut është arsyeja kryesore që Shqipëria nuk po shënon progres, shprehet për Deutsche Welle-n Eduard Kukan.

Z. Kukan, ku mendoni se janë rrënjët e krizës së gjatë politike dhe progresit të pamjaftueshëm të Shqipërisë në realizimin e reformave të kërkuara nga BE, dy arsyet kryesore që KE nuk e rekomandoi edhe këtë vit Shqipërinë për statusin e vendit kandidat?

Drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk janë të përfshirë në dialogun politik, përmes të cilit do të gjendeshin zgjidhje për t'i dhënë fund krizës dhe stanjacionit të gjatë politik. Kjo mungesë dialogu është arsyeja kryesore që Shqipëria nuk po shënon progres. Në të njëjtin konkluzion ka arritur edhe KE, në raportin e tij, të publikuar dje, më 12.10.2011. Se çfarë qëndron pas këtij qëndrimi kokëfortë të dy partive kryesore, nuk mund ta di. Ajo që di është, që partia qeverisëse ka ofruar shumë propozime të cilat janë refuzuar nga partia opozitare dhe po kështu ka bërë së fundmi edhe kreu i opozitës, Edi Rama, por ende nuk ka një dialog politik mes tyte. Ndofta kjo situatë është pasojë e kulturës politike në Shqipëri. Kjo kulturë duhet të eci drejt kulturës politike europiane, e cila u jep zgjidhje pikëpamjeve të ndryshme dhe mosmarrëveshjeve mes forcave politike përmes dialogut dhe kompromisit. Kjo është e vetmja rrugë, në mënyrë absolute, nuk ka rrugë tjetër. Pra, është e nevojshme që Shqipëria të përqafojë kulturën politike, që kanë të gjitha vendet anëtare të BE, të përqafojë mënyrën europiane për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve sepse kjo është në interes të vendit.

Dialogu, kompromisi madje edhe vënia e interesave të vendit mbi ata partiakë nga ana e politikanëve drejtues janë mesazhe konstante, të përsëritura nga institucionet europiane, përfshirë këtu edhe Parlamentin Europian. Por Konkluzionet e KE dje, në Bruksel, treguan qartë, pa ekuivoke se këto mesazhe kanë rënë në vesh të shurdhër. Kur prisni që me të tilla mesazhe mos të ndodhë si deri më tani? Kur prisni të vijë pika e kthesës?

Keni të drejtë. Të tilla mesazhe i janë dërguar Shqipërisë që prej një kohe të gjatë nga shumë politikanë të institucioneve të BE dhe reagimi i politikanëve drejtues të Shqipërisë nuk ka qenë i mjaftueshëm. Mendoj që momenti i kthesës do të vijë vetëm kur ata të kuptojnë përgjegjësinë e madhe që kanë ndaj popullit dhe Shqipërisë. Kjo është vërtet një përgjegjësi e madhe. Nëse ata duan që ta çojnë popullin dhe vendin drejt anëtarësimit në BE për të siguruar një jetë më të mirë, atëherë duhet të realizojnë në mënyrë reale dialogun politik. Pika e kthesës do të jetë të kuptuarit, ndërgjegjësimi i tyre se pa dialog nuk mund të shkohet përpara. Dhe kjo nuk është e ndershme në raport me popullin shqiptar.

A ka ndonjë sinjal se kjo që thoni lidhur me përgjegjësinë në raport me të ardhmen e popullit dhe Shqipërisë, ka filluar të ndihet nga politikanët drejtues?

Kohët e fundit ka disa zhvillime të reja inkurajuese: opozita është kthyer në parlament dhe ka bërë disa propozime që Parlamenti Europian i inkurajon. Këto mund të jenë shenja të mira që klima politike në Shqipëri po fillon të ndryshojë. Por ne duam më shumë prova, ne duam të shohim që parlamenti, që është institucioni demokratik për të bërë betejat politike, po funksionon normalisht, që deputetët marrin pjesë në seancat e tij, që secili merr pjesë në votim e kështu me radhë. Duket se në Shqipëri ende nuk janë krejt të sigurt që ky është funksionimi i qëndrueshëm dhe jetëgjatë demokratik i Parlamentit. Ne duam prova që ky lloj funksionimi i Parlamentit të kuptohet. Ka sinjale të mira nga Shqipëria për Europën, se gjërat po ndryshojnë.

A janë këto sinjale Z. Kukan një bazë që Shqipëria të rikërkojë gjatë këtij viti statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE? Natyrisht nëse Shqipëria jep ato prova për të cilat ju flisni?

Jo. Le të flas me zë të lartë dhe shumë hapur: Progres Raporti i KE, për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, u publikua. Progres raporti i ardhshëm do të jetë në Tetor 2012. Natyrisht Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian po ndjekin nga shumë afër skenën politike të Shqipërisë. Por vendimi për statusin e vendit kandidat do të vijë pas 12 muajsh. Shqipëria humbi edhe një vit tjetër.

Për këtë dy partitë kryesore ia hedhin fajin njëra tjetrës. Po BE dhe institucionet e tij a shohin ndonjë përgjegjësi për krizën e gjatë politike, që si thatë në krye të intervistës është baza e refuzimit për statusin e vendit kandidat?

Shiko, kemi një projekt i përbashkët: anëtarësimi në të ardhmen i Shqipërisë në BE ka interes të ndërsjelltë për Shqipërinë dhe BE. Ne dëshirojmë të kemi një Europë të Bashkuar dhe të kemi të gjitha vendet europiane, anëtare të familjes europiane. Institucionet e BE kanë shprehur shumë herë gatishmërinë e tyre për të ndihmuar partitë politike në Shqipëri për të gjetur zgjidhje lidhur me qëndrimet e ndryshme dhe mosmarrëveshjet mes tyre. Ka patur përpjekje të përbashkëta të grupeve kryesore politike të PE për të folur me dy drejtuesit kryesorë politikë. Por reagimi, përgjigja e tyre nuk ka qenë e mjaftueshme. Institucionet Europiane nuk mund të fajësohen për situatën në Shqipëri. Institucionet europiane nuk mund të firmosin marrëveshjen për kompromis politik mes dy partive më të forta. Janë vetë këto dy parti, vetë politikanët e tyre, që duhet të arrijnë këtë marrëveshje. Institucionet europiane nuk mund t'i zëvendësojnë ata. Kjo është përgjegjësia e tyre. Mendoj që institucionet europiane kanë treguar vullnetin e tyre për të ndihmuar politikanët e Shqipërisë të gjejnë zgjidhje për ndryshimet, diferencat në pikëpamjet e tyre politike dhe për të filluar të bëjnë hapa pozitivë dhe progresivë në procesin e integrimit europian.

Si do ta mbështesin Shqipërinë tani e tutje institucionet e BE, që ajo të jetë e besueshme dhe e pranueshme prej tyre?

Mund t'ju siguroj që institucionet europiane, përfshirë këtu edhe PE, do të vazhdojnë ta mbajnë të hapur dialogun me partitë dhe politikanët e Shqipërisë, për të përsëritur mesazhet që u janë dërguar atyre më parë vazhdimisht. Neve na duhet t'i përsërisim këto mesazhe pasi asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar në Shqipëri. Kështu më 23 dhe 24 nëntorTiranë do të mbërrijë një delegacion i PE dhe do të zhvillojë bisedime me deputetët e Parlamentit të Shqipërisë. Pra, ka mundësi konkrete për të shkëmbyer pikëpamje, dëgjuar se çfarë kanë për të thënë dy drejtuesit e partive kryesore. Po kështu do të zhvillohen bisedime në Bruksel mes politikanëve të Shqipërisë dhe Departamentit të Zgjerimit të Komisionit Europian. Pra, dialogu do të vazhdojë edhe pse KE nuk dha rekomandimin BE që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Dua të përsëris që janë partitë politike të Shqipërisë dhe institucionet që duhet të arrijnë marrëveshje mes tyre dhe që nuk mund të zëvendësohen nga asnjë politikan i BE. Dera për të hyrë në BE për Shqipërinë është e hapur. Në atë derë Shqipëria duhet të futet vetë, ajo duhet të ketë përgjegjësinë për ta bërë këtë. Dhe këtë duhet ta tregojë në mënyrë të qartë, të dallueshme. Dhe të tregojë se në situatën politike në Shqipëri ka një ndryshim të qëndrueshëm, se ka një dialog vërtet të sinqertë, se po arrihet kompromisi përmes negociatave. Vetëm atëherë Shqipëria do të duket e besueshme dhe e pranueshme nga institucionet europiane. DW/NOA

Në foto: Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore Eduard Kukan

KOMENTE