English

Vodhën transformatorin e fshatit, arrestohen 2 në kërkim i treti

Shkodër, 14 tetor 2011, NOA- 2 autorët e një vjedhje në Malësi të Madhe janë arrestuar ditën e djeshme ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Pak para mesnate nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i Sokol Ripaj 24 vjeç, banues në fshatin “Aliaj”, Komuna Kastrat dhe Jetmir Vija 27 vjeç, banues në lagjen Guerile të qytetit Shkodrës, ndërsa u shpall në kërkim Kristjan Lumaj 21 vjeç, banues në fshatin Ivanaj të komunës Kastrat. Burime zyrtare nga policia thonë se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë orëve të mbrëmjes se djeshme në fshatin Bruçaj të Komunës Kastrat, kanë vjedhur 3 bobina të transformatorit elektrik të këtij fshati. Lidhur me këtë rast nga ana e policisë u bë e mundur gjetja dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 3 bobinat e transformatorit elektrik, si dhe u bë bllokimi e sekuestrimi në cilësinë e provës materiale, i mjetit tip Benz me targa MA 1303 B, në pronësi të shtetasit Kristjan Lumaj, mjet ky i cili ka shërbyer për transportimin e materialeve të vjedhura nga personat e lartpërmendur. Sakaq nga hetimet e bëra dhe pas verifikimeve, rezultoi se dhe mjeti në fjalë është i vjedhur dhe i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Tiranë. a.y/NOA

KOMENTE