English

Shpërthimi në minierë, ACR: Nuk dihet shkaku, ngushëllime familjes

Bulqizë, 18 tetor 2011, NOA/Update – Kompania ACR, e cila ka marrë me koncesion minierën e Bulqizës ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë sot në këtë minierë. Në deklaratën shpërndarë mediave sqarohet se, sot me datë 18 tetor rreth orës 10:00, një aksident i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli 16-të i minierës së Bulqizës. “Gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9, një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE, është hasur një vatër hidrogjeni. Grupi ekspert i ajrimit në përbërje e të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40 – 50 metra larg ballit të punimit ka ndodhur shpërthimi i gazit”, thuhet në deklaratë. Sipas ACR, si pasojë e këtij shpërthimi punëtori i ajrimit, Naim Shyti, ka humbur jetën dhe 7 minatorë të tjerë janë plagosur. Arsyeja e shpërthimit ende nuk është e ditur, por priten përfundimet e ekipeve eksperte edhe të RISHM, të cilët do të përcaktojnë dhe shkakun. “ACR shpreh hidherimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit Naim Shyti. Ndërkohë po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur”, përfundon deklarata e shpërndarë nga ACR. a.q/NOA

KOMENTE