English

Meta padit për shpifje gazetën “La republika”

Tiranë, 21 tetor 2011, NOA/Albana Qehajaj – LSI dhe kryetari i saj, Meta do të nisin padi penale ndaj gazetës italiane “La republika”, pas përgjimit që kjo e fundit ka botuar lidhur me korrupsionin e ku përmendet edhe emri i kreut të LSI, Ilir Meta. Ardit Çela, Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, bëri publik vendimin për padinë ndaj gazetës italiane. Në një deklaratë për median, Çela tha se gazeta duhet të kërkojë falje publike për shpifje ndaj kreut të LSI-së. “Do ta nisim këtë konferencë për shtyp duke bërë me dije 3 vendimet e Gjykatave italiane të cilat dënojnë gazetën italiane La Republica me 50,000 euro për t’iu paguar z. Ilir Meta për shpifje ndaj personit të tij, si dhe detyron këtë gazetë të kërkojë falje publike, të botojë vendimin e Gjykatës, si dhe të paguajë të gjitha shpenzimet legale të seancave gjyqësore”, tha Çela. Ai publikoi për gazetarët 3 vendimet, atë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Romës, atë të Gjykatës së Apelit si dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës së Kasacionit të këtij viti.

“Kjo gazetë jo-serioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime, ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të z. Ilir Meta, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali. Dua të konfirmoj se Z. Meta jo vetëm që nuk e ka dhënë apo autorizuar një intervistë të tillë, por një personi që e ka telefonuar atë në emër të gazetës këtë javë, i ka bërë të qartë se do të pranonte të jepte një intervistë për La Republika, vetëm pasi kjo e fundit të kishte botuar vendimin e Gjykatës që dënon gazetën”, tha Çela. Meta do të angazhojë një studio ligjore në Romë për të hapur një proces tjetër gjyqësor ndaj gazetës La Republika. “Me këtë rast dua të konfirmoj edhe një herë, në emër të z. Meta se drejtuesi i gazetës L’Avanti, z. Lavitola, të cilin sikurse ka deklaruar më parë, z. Meta e njeh prej kohësh si përfaqësues të medias italiane, ka qenë i pranishëm në një konferencë shtypi gjatë vizitës zyrtare të z. Meta në Romë, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me z. Frattini, është përshëndetur me z. Lavitola, ashtu si me shumë gazetarë të tjerë italianë dhe shqiptarë, në hollin e ambienteve të konferencës. Sipas tij, makinacionet dhe fabrikimet e segmenteve të caktuara për të manipuluar të vërtetën, me qëllim dëmtimin e figurës së z. Frattini, janë të papranueshme për z. Meta, pasi z. Frattini ka dhënë një kontribut të veçantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, duke qenë njëkohësisht arkitekt i Udhërrëfyesit të këtij procesi të rëndësishëm”, përfundoi deklaratën e tij, Çela. a.q/NOA

KOMENTE