Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Thirrjet për unitet formal
English

Thirrjet për unitet formal

Nga Albin Kurti

A je për unitet apo kundër unitetit? Thjesht, kjo nuk është çështja. Për çfarë uniteti je, me cilin motiv e drejt çfarë qëllimi do të shërbente ky unitet? Kjo është pyetja e vërtetë që duhet t’i bashkojnë njerëzit para se njerëzit me përgjigje të vërtetë të bashkohen.

Unitet, bashkim, konsensus. Këto janë bërë fjalët e preferuara të qeveritarëve kosovarë kohëve të fundit. Gjithnjë e më shpesh ata bëjnë thirrje që partitë politike të pozitës e të opozitës të bëhen bashkë në këto momente të rëndësishme për Kosovën. Sigurisht që po kalojmë në momente të rëndësishme për Kosovën dhe me po aq siguri po kalojnë ato momente pa pasur rëndësi për të mirën tonë të përgjithshme.

Para së gjithash, momentet janë të rëndësishme për shtetin sepse gjendja është e rëndë për shoqërinë. Mbi të gjitha, përgjegjësinë për këtë e mbajnë ata që e kanë pushtetin e të cilët në vend se të veprojnë bëjnë thirrje për unitet.

Pushteti ka përgjegjësi edhe atëherë kur vepron edhe atëherë kur nuk vepron – përgjegjësia është gjithmonë aty. Mirëpo, në rastin e Qeverisë përgjegjësia është edhe maksimale sepse pushteti i ka mundësitë dhe fuqitë më të mëdha se kushdo tjetër dhe është i thirrur për të vepruar.

Për këtë arsye, thirrja e qeveritarëve për unitet është thirrje për unitet në mosveprim. Duke qenë se nuk e kanë ndërmend të veprojnë as në rrafshin socio-ekonomik dhe as në atë politik e të sigurisë, ata duan që ta legjitimojnë mosveprimin e tyre.

Uniteti i kërkuar nga qeveritarët por edhe gazetarët e analistët e afërt me ta nuk është unitet për ndryshime por unitet për mosndryshim. Nuk është unitet për bërjen e shtetit por për ruajtjen e pushtetit.

Këta qeveritarë e duan unitetin formal që e sposton në prapaskenë përmbajtjen e tij. Ata nuk thonë që duhet të bëhemi bashkë për këtë punë apo atë gjë, por thonë se duhet të kemi unitet. Vetëm kaq. Pra, le të ketë njëherë unitet, le të sendërtohet njëfarë konsensusi, le të bëhen bashkë partitë, e mandej shohim e bëjmë.

Uniteti nuk kërkohet për një drejtim të ri të politikës por në kuadër të ngecjes aktuale. Ky unitet nuk do të ishte unitet për të renë por unitet për të vjetrën. Unitet që synon të imponohet me formën e tij në mënyrë që të mos ketë përmbajtje tjetër përpos asaj çfarë tashmë e kemi.

Le të vazhdojnë bisedimet me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës, le të vazhdojë shitja e ndërmarrjeve publike, le të vazhdojë korrupsioni i tenderëve të manipuluar, mirëpo le të kemi unitet të partive! Kështu do Qeveria, prandaj ajo e merr vetëm pjesën e fundit të kësaj fjalie duke mos e përmendur faktin që ky unitet do të ishte për të tashmen që zgjatet në të ardhmen e jo për një të ardhme shumë më të mirë sesa e tashmja.

Njëherë pasi ta kenë arritur atë unitet formal partish, qeveritarët pa dyshim që do ta mbushnin atë me substancën e tyre të preferuar e të paralajmëruar. Konsensusi politik do të shërbente si platformë solide për takimin e Kryeministrit Hashim Thaçi me Kryetarin e Serbisë Boris Tadiç, për lëshimet pe në Bruksel, për shitjen e pasurive kombëtare e publike të Kosovës, për korrupsionin e vazhdueshëm qeveritar në Kosovë.

Uniteti i atillë do të shndërrohej në maskë për Qeverinë në keqqeverisjen e mëtutjeshme të saj. Do të ishte unitet për koncesione e kompromise shtesë, për tëhuajsim e korrupsion edhe më të madh.

Uniteti për të cilin vajtojnë të gjithë njerëzit e regjimit, është ai – siç e thonë vetë ata – i atyre disa ditëve pas 25 korrikut të këtij viti. Mirëpo, ato ditë kishim dy risi: aksionin policor për marrjen e pikave kufitare 1 dhe 31 si dhe bllokimin e mallrave prej Serbisë. Për këto dy çështje kishte dhe do të ketë gjithmonë unitet gjithëpopullor dhe jo vetëm unitet subjektesh. Problemi është që Qeveria e Kosovës tash dëshiron sërish të njëjtin unitet ama në kushtet e zmbrapsjes së saj prej veriut, të vazhdimit të bisedimeve me Serbinë dhe të shitjes së ndërmarrjeve përmes privatizimeve të egra dhe abuzive.

Uniteti për bisedime me Serbinë, duke e pranuar Serbinë ashtu siç është, shoviniste e kriminale, nuk është unitet kundër Serbisë. Pranimi i çfarëdo dialogu me Serbinë, me ‘d’ të vogël apo të madhe, përtej arsyetimeve cliché për respektimin e vlerave evropiane ku bën pjesë edhe dialogu, fsheh njohjen dhe mirëkuptimin për qëllimet hegjemoniste të Serbisë. Ngjashëm, uniteti me këtë qeverisje neoliberale për privatizimin e PTK-së, KEK-ut e Trepçës nuk është unitet për Kosovën por është unitet kundër saj. Privatizimet në këtë krizë globale financiare, pa strategji ekonomike, pa dekolonizim paraprak, pa debate publike e parlamentare, me fond të privatizimit që mbetet jashtë vendit, paraqesin shpronësim të popullit të Kosovës dhe tjetërsim masiv të pasurisë së tij.

A je për unitet apo kundër unitetit? Thjesht, kjo nuk është çështja. Për çfarë uniteti je, me cilin motiv e drejt çfarë qëllimi do të shërbente ky unitet? Kjo është pyetja e vërtetë që duhet t’i bashkojnë njerëzit para se njerëzit me përgjigje të vërtetë të bashkohen. NOA

KOMENTE