English

Korrupsioni, ILDKP/OSBE: 100 zyrtarë në hetim, politika ta luftojë

Tiranë, 26 tetor 2011, NOA- Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive liston 100 zyrtarë të cilët kanë fshehur të vërtetën për pasuritë e tyre. Në fjalën e mbajtur kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, pas një takimi për luftën kundër korrupsionit dhe ndaj konfliktit të interesit, organizuar nga ILDKP dhe OSBE me Këshillin Bashkiak të Tiranës u shpreh se lufta kundër korrupsionit është e të gjithëve dhe një sfidë jo e pamundur.

Nga ana e tij zv. ambasadori i OSBETiranë Dan Redford ka këshilluar anëtarët e Këshillit Bashkiak të bashkëpunojnë, ndërsa shtoi se duhet luftuar korrupsioni, që sipas tij është problem për shoqërinë shqiptare në shumë sektor. “Angazhimi i tyre për të luftuar korrupsionin nuk pasohet gjithmonë nga një zbatim konsistent i legjislacionit ekzistues dhe kjo vlen jo vetëm për qeverisjen. Dhe siç e dimë nga shumë raporte kombëtare dhe ndërkombëtare, korrupsioni mbizotëron në shumë sektorë dhe mbetet një problem serioz për shoqërinë shqiptare. E pikërisht në këtë kontekst duhet të shihen edhe shumë përpjekje koordinuese që bëjnë aktorët kombëtarë, përfshi edhe ILDKP. Të gjitha përpjekjet do të kenë sukses vetëm nëse të gjithë zyrtarët, ata publikë dhe ata të zgjedhur në institucione, nivele lokale dhe qendrore marrin një angazhim personal për ta zhdukur me rrënjë korrupsionin. Ju mund ta bëni këtë nëse të gjitha partitë politike, pavarësisht bindjeve të punojnë së bashku”, tha ai. Kryeinspektori Llalla tha se prej 2 vjetësh ILDKP është në pritje të ndryshimeve në ligjin për konfliktin e interesit, për të cilin deri më tani nuk ka asnjë shenjë.

Llalla gjithashtu theksoi se ligji për parandalimin e konfliktit të interesit është shumë i rëndësishëm edhe pse ka nevojë për t’u përmirësuar.

“Momentalisht kemi në proces hetimi rreth 100 raste të zyrtarëve të ndryshëm, përfshi dhe ato të lartë, kryesisht të sistemit gjyqësor, tatimeve, e doganave. Nga përvoja e deritanishme zyrtarët e fshehin pasurinë në rrethin e personave të lidhur me ta. Në rastet kur konstatohen shkeljet kërkohet ashpërsimi i penaliteteve”, u shpreh kreu i ILDKP. Ndërkaq tryeza për parandalimin e konfliktit të interesave në qeverisjen vendore pati diskutime nga këshilltarët e dy forcave politike lidhur me ligjin si dhe rastet e mundshme të konfliktit të interesave në Bashki si dhe mundësinë e zgjidhjes së tyre.

a.y/NOA

Në foto: Kryetari i ILDKP Adriatik Llalla dhe zv/kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri Dan Redford, gjatë takimit me anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u diskutua në lidhje me antikorrupsionin dhe konfliktin e interesave

KOMENTE