English

Serbia shkel marrëveshjen me Kosovën për lëvizjen e lirë

Prishtinë, 31 tetor 2011, NOA – Tre muaj pas nënshkrimit të marrëveshje për lëvizjen e lirë në Bruksel, Serbisë e ka shkelur atë, duke mos e zbatuar as me hyrjen e nëntorit. Sipas marrëveshjes së arritur në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të ndërmjetësuar nga Brukseli, parashikohet se qytetarët e të dy vendeve janë të lirë t’i kalojnë kufijtë ndërsjelltas vetëm me letërnjoftime të shteteve të tyre. Kjo gjë ndodh vetëm për qytetarët serbë, pasi ata kosovarë nuk lejohen të kalojnë lirisht. Këshilltari i kryeministrit Thaçi, Lirim Greiçevci thotë se Prishtina zyrtare ka nisur ta zbatojë në mënyrë të njëanshme këtë marrëveshje për qytetarët serbë, por kjo nuk vlen edhe për kosovarët që duan të hyjnë në Serbi me dokumente shtetërore kosovare. “Pala serbe nuk i ka bërë përgatitjet e duhura për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe si rrjedhojë zbatimi i marrëveshjes është shtyrë për fajin e Serbisë, që nuk nuk mund të japë një datë se kur do të nisë zbatimi” tha për Radion Evropa e Lirë, Lirim Greiçevci, që është kryesues i Grupit për Zbatimin e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes. Sipas Lirim Greiçevcit, Serbia ka shkelur këtë marrëveshje. “Është shkelje, sepse po shkelet data një nëntor, dhe ne nuk kemi asnjë datë dhe indikacion nga pala serbe se kur do të mund ata të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve”, tha Greiçevci. Ndërkohë kryenegociatori serb u zotua publikisht se Serbia do të respektojë marrëveshjen e nënshkruar për lëvizjen e lirë. “Ne do t’i zbatojmë deri në fund të gjitha marrëveshjet, siç do të shihet së shpejti. Kritikat nuk qëndrojnë. Aktualisht po zbatohet marrëveshja për vulat doganore dhe dokumentet përcjellëse doganore, do të zbatohet së shpejti edhe marrëveshja në lidhje me librat amzë dhe kadastrën. Qeveria ka marrë disa vendime dhe do të marrë në ditët e ardhshme, që do të operacionalizojnë marrëveshjet, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes. Bëhet fjalë për ndryshimet në ligje në raste konkrete dhe asgjë më tepër sesa kjo”, tha Borisllav Stefanoviç. Ndërkohë, të diskutueshme në këtë mes janë edhe targat e regjistrimit të automjeteve, për të cilat Prishtina vendosi të respektojë kundërshtimin Beogradit, duke vendosur për një periudhë kalimtare pesëvjeçare targat me akronimin KS për ata që duan të udhëtojnë në Serbi. Targat e reja kosovare me gërmat RKS, ku shkronja R i referohet Republikës, kanë ngjallur rishtas kundërshtimin e Serbisë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje është shtyrë deri në fund të nëntorit afati kur serbët duhet të kenë ndërruar targat e vjetra me akronimet PR për rajonin e Prishtinës. Por, Greiçevci thotë se qeveria e Kosovës mund të ndërmarrë masat të reciprocitetit në raport me Serbinë, në rast se kjo e fundit vijon të shkelë marrëveshjet e arritura në Bruksel. REL/NOA

KOMENTE