English

Një vështrim mbi vështrimin e programit

Nga Edi Rama

Pashë për kuriozitet një copë të pasqyrës së shtypit pas shpalljes së draftit të programit të ri të Partisë Socialiste dhe, në vijim të shkrimit tim të pak ditëve më parë, do doja t’i ftoja ata që ankohen për mungesën e programit t’u hedhin një sy gazetave sot. Zënë më shumë vend disa batuta kot, krejt të shkëputura nga konteksti, marrë pas dyerve të mbyllura të debatit e hedhur vrik në tituj të mëdhenj, se sa propozimet tona për ndryshimin radikal që u ofrojmë shqiptarëve. Një debat serioz që ka nisur dje në Asamblenë Kombëtare mbi draftin e grupit të punës për programin, është katandisur nëpër gazeta, qëllimisht, në një muhabet banal, e lagu s’e lagu. Për të vijuar shtrembërimin e perceptimit publik mbi Partinë Socialiste dhe marrë në këmbim shpërblimet e pushtetit, gazetat e oborrit të Saliut, e kanë kthyer për shembull një këmbim krejt miqësor batutash mes Pandeli Majkos e meje që provokoi të qeshurat e tërë sallës, në një replikë të nxehtë për faqe të parë lidhur me financimin e PS(!). Apo një batutë e deputetit Sterkaj për të qortuar në fund dashamirësisht ata që po bënin vërejtje pas vërejtjesh, është kthyer në një kryetitull ofezë për gjithë ata njerëz që punuan për programin rreth 3 muaj. E me radhë. Turp. Kjo sa për t’u kujtuar ankuesve për mungesën e programit atë që u thashë pak ditë më parë.

Por sigurisht s’është kjo arsyeja pse po shkruaj mbi vështrimin e programit, po fakti që puna e derikëtushme ka ngjallur interes e debat pavarësisht deformimit të mbrapshtë të imponuar nga botuesit e ushqyer në oborrin e Saliut. I cili u kuturis të na quajë marksistë dhe ndjekës të politikës së etërve, ndërkohë që propozimi ynë është e vetmja rrugë shpëtimi nga kriza ekonomike e financiare që thellohet dita-ditës në Shqipëri. Shqipëria s’mund ta tolerojë më tutje politikën dërrmuese të taksës së sheshtë. Infermierja që paguante 30 herë më pak taksa nga të ardhurat e veta ditën që Doktori u ngjit në qeveri, s’ka pse paguan sot 30 herë më shumë, ndërkohë që Doktori paguan më pak taksa sot që ka rrogën më të lartë në Shqipëri se sa kur ishte në opozitë. Po ashtu s’mund të paguajnë më shumë taksa ata që lekët i fitojnë me punë, njerëzit e zakonshëm, se sa ata që lekët i bëjnë me lekë, pra të pasurit. E nëse i referohemi “etërve” që Saliu i ka në majë të gjuhës, pra Enverit dhe Partisë së Punës ku militoi për njëzetë e ca vjet si bir i denjë i flamës së vitit ‘67, ata kishin pikërisht teorinë që taksat janë e keqja rrëgjuese e kapitalizmit. Ndërsa etërit themelues të botës demokratike taksat si kontribute sipas mundësive i konsiderojnë një çështje mirëfilli patriotike.

“Taksa e sheshtë është grabitje”, thotë njëri ndër figurat më të spikatura të suksesit ekonomik të administratës së Presidentit Klinton, Sekretari i Shtetit për Punën Robert Reich. Në Shqipëri taksa e sheshtë ka kaluar në rrjepje të 95% të shqiptarë që, bashkë me taksat e konsumit, i paguajnë qeverisë më shumë sesa të pasurit e marrë së bashku, ndërkohë që vetëm 5% e depozituesve zotëron më shumë se 50% të pasurisë. Kjo është jo vetëm e patolerueshme nga pikëpamja etike, por edhe tërësisht e pajustifikueshme nga pikëpamja e qeverisë po të marrësh parasysh se taksa e sheshtë s’ka sjellë as rritje të punësimit, as rritje të të ardhurave në buxhet, as rritje të mirëqenies. Po vetëm varfërim, polarizim, shkretim social.

E më e shëmtuara në retorikën egërsisht primitive të Saliut është se nuk e ka asfare filozofik qëndrimin e tij, gjë që mund të thuhet për mbrojtësit e ndershëm të teorisë së taksës së sheshtë, po e ka tërësisht në funksion të rritjes së pasurisë të oborrit të tij. Pra s’ka hallin e Marksit ish- Sekretari fanatik i Enverit, po hallin e çunave të Bllokut të tij. Të cilëve u ka vënë në dispozicion sistemin fiskal të Shqipërisë dhe xhandarmërinë fiskale të qeverisë për t’i ndihmuar të bëjnë përditë nga një përshesh me taksën e ulur shesh e, më anë tjetër, të zhbëjnë punët e sipërmarrësve të tjerë, që nxirren me gjoba mafioze e shqelma pushteti nga tregjet e nga rrugët e konkurrencës.

Ne jemi të qartë e të vendosur: 95% e shqiptarëve do paguajnë më pak e do jetojnë më mirë. 5% të tjerët do paguajnë më shumë dhe do jetojnë edhe më mirë. Në një Shqipëri më të drejtë e më të qetë për të gjithë.

KOMENTE