English

Berisha u tregon nxënësve 3 drejtimet ku do investohet

Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA- Kryeministri Berisha priti në takim rreth 50 nxënës të klasave të 9-ta nga Tirana, Kukësi e Vlora pjesëmarrës në projektin “Ndërtimi i një qytetarie aktive”, të ndërmarrë nga OSBE në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, me synim forcimin e një qytetarie aktive përmes sistemit të arsimimit.

Gjatë kësaj vizite ata zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me Kryeministrin Berisha. Në këtë takim, nxënësit shoqëroheshin nga kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, si dhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj.

Në fjalën e tij ambasadori Wollfarth u shpreh se, “Përkushtimi i Shqipërisë ndaj vetes dhe komunitetit ndërkombëtar është një nga temat që kemi zhvilluar sot, ndaj dhe dëshiroj t’ju falënderoj zoti Kryeministër për këtë mundësi”.

Duke shprehur kënaqësinë që takohej me këta nxënës dhe falënderimet e tij për Prezencën e OSBE-së, e cila ka ndërmarrë këtë nismë, Kryeministri Berisha interesit të nxënësve se si Shqipëria do të bëhet një vend i zhvilluar ai iu përgjigj se, Shqipëria vend i zhvilluar nënkupton një zhvillim të gjithanshëm të vendit, por edhe një zhvillim që ka për rezultante vendosjen e Shqipërisë në grupin e vendeve me të ardhura të larta në botë.

Ai shtoi se, ne kemi një nivel kujdesi për fëmijët dhe vaksinimi shumë të lartë.

“Bashkimi Europian ka standarde të shkëlqyera të ruajtjes së mjedisit. Këtu ka nxënës nga Vlora dhe ju e patë zhurmën që u bë për termocentralin. Grupe mjedisore protestonin. Kur u ndërtua termocentrali rezultoi se ai e kishte ndotjen dy herë më të vogël sesa lejonte ligji dhe kjo e monitoruar nga shoqëria civile. Ne i kemi këto cilësi dhe do të bëjmë gjithçka që të mos bëjmë hapa para, siç kanë bërë vendet e zhvilluara. Ne nuk jemi vend i zhvilluar, por duhet të zhvillohemi në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili nënkupton jo hapa të gabuar, jo veprime që errësojnë të ardhmen e gjeneratës që vjen”, u shpreh Berisha.

Lidhur me projektet e radhës për rininë kreu i qeverisë tha se, rinia është potenciali absolut më kryesor, duke theksuar se ajo që do përpiqet të bëhet është krijimi i vendeve të punës dhe nxitja e mjedisit më të mirë për vende pune dhe biznese.

Sipas tij, brenda 2-3 viteve, sepse Shqipëria do të ketë një infrastrukturë ndër më modernet dhe do të bëjë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të mëdha të gjithanshme të vendit, do të bëjë të mundur krijimin e vazhdueshëm të vendeve të punës të investimeve kudo.

Ndërsa pyetjes se ku do përqendrohen synimet për 2012, ai iu përgjigj se, së pari në infrastrukturë për ndërtimin e rrugëve të reja dhe asfaltimin e Shqipërisë dhe së dyti, Shqipëri dixhitale e cila është përparësi absolute.

“Dje publikoi të dhënat një organizatë botërore për internetin dhe Shqipëria kishte dinamizmin e dytë në botë për rritjen e tij dhe, absolutisht, ambicia është që ne të dalim në nivelin mbi mesatar dhe do të dalim. Sepse ne jemi komb i ri dhe të rinjtë kanë një pasion. E dini që në Facebook ju lini prapa 17 vende e Bashkimit Evropian në përqindjen e Evropës. Ne po bëjmë gjithçka që në çdo familje tuajën të ketë internet më bazë super të gjerë. Po e ndjekim me shumë interes zhvillimet teknologjike”, sqaroi Berisha.

Ndërsa si objektiv të tretë ai përmendi se do bëhet Shqipëria një kopsht i bukur.

Ai tha se Shqipëria 20% të tokës e ka fushë dhe gjithë pjesën tjetër e ka kodra e male. “Kështu që ne duhet të bëjmë që çdo gjë që të ecim në dy projekte: në projektin e ullirit, në projektin e arrorëve dhe në çdo dru tjetër frutorë. Pse e bëjmë këtë? E bëjmë këtë, së pari për të rritur të ardhura në çdo familje dhe së dyti nuk mund ta qëndisim me asgjë më bukur tokën tonë, sesa me drurët frutorë dhe frutat e Shqipërisë, të cilat janë më të shijshmet në Europë”, përmbylli fjalën e tij Berisha.

a.y/NOA

KOMENTE