English

E kemi ndarë mendjen top

Kjo është dita për të folur për vizionin tonë për Shqipërinë dhe për këtë parti të madhe të shqiptarëve. Kush jemi; çfarë na bashkon; si do të qeverisim

Nga Edi Rama

Shikoni dhe videofjalimin

Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin.

Secili prej jush ka me siguri shumë për të treguar për zhgënjimin, dëshpërimin, varfërinë dhe frikën që kanë pllakosur shpirtrat e njerëzve të zakonshëm kudo nëpër Shqipëri. Por, po ashtu, secili prej nesh ka shumë për të dhënë. Për një frymë të re shprese e besimi tek një Shqipëri si gjithë Europa.

Në zgjedhjet vendore të 8 majit të shkuar ne përjetuam dy ndjenja të forta:

Fitoren e madhe me votat e Shqipërisë që paguan taksa dhe zhgënjimin e madh nga vjedhja e dhunshme e fitores sonë në Tiranë.

Fitorja na tregoi se sa pranë saj jemi në zgjedhjet e ardhshme politike. Zhgënjimi prej vjedhjes na gërryen me dyshimin se mund të mos e heqim dot qafe paqësisht këtë qeveri me votë. Çdo ditë posta ime është e mbushur me mesazhe që e shprehin fort këtë dyshim. Edhe plot ndër ju brehen nga ky dyshim. Janë të shumtë të rinjtë që më pyesin përditë pse duhet të votojnë. Janë të shumtë shqiptarët që nuk e besojnë që Saliu mund ta pranojë verdiktin e votës. Janë të shumtë ata që në rrugën time të arsyes pas shfaqjes televizive të vjedhjes së Tiranës, e quajnë rrugën e humbjes sonë. Ashtu siç nuk janë të pakët ata që rrugën tonë të rezistencës pas vjedhjes së qershorit 2009, e quajnë rrugën e interesit tim.

Sot dua t’ju flas shumë hapur të gjithëve. Troç sa të mundem. Me zemër dhe drejtpërdrejtë.

Edhe atyre që më nderojnë e japin krahë me mbështetjen e tyre të pakursyer;

edhe atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre e jo nga gabimet e mia të mundshme;

edhe atyre që më sulmojnë nga llogorja e pushtetit të kthyer në regjim.

Atyre që më mbështesin u them se sot jam më shumë se kurrë i vendosur për të bërë bashkë me ju Shqipërinë që duam përmes një Partie Socialiste ashtu siç i duhet Shqipërisë. Do të jem me ju, më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri. Për ta hapur Partinë Socialiste. Për të nxitur bashkë me ju një dallgë të re anëtarësimesh në Shqipëri, Greqi, Itali e kudo ku ka shqiptarë që duan ndryshimin e madh dhe të domosdoshëm. Për ta bashkuar partinë tonë me çdo shqiptar e shqiptare që kërkon ta heqë qafe këtë qeveri, bashkë me varfërinë e borxhet. Për ta ngritur besimin e dërrmuar nga padrejtësia dhe për t’i dhënë krahë bashkë me ju ambicies për një Shqipëri pa frikëra, pa borxhe, pa plehra, pa hajdutëri shtetërore, pa analfabetizëm, pa barbarizëm social. Do jemi të gjithë bashkë për një rilindje shqiptare. Të cilën dua ta projektojmë mbi bazën e programit të ri që e shpalosim sot, jo si fjalën tonë të fundit. Po si fillimin e një rruge të re ku do të bashkëbisedojmë, qytet më qytet e fshat më fshat, për të ripërtërirë besimin se po, Shqipëria mund të bëhet dhe do të bëhet. Dhe do ta bëjmë ne të gjithë sëbashku me Partinë Socialiste, me Aleancën për të Ardhmen dhe më çdo shqiptarë e shqiptare që dëshiron tu lerë fëmijëve të vet Shqipërinë që është amaneti i të parëve tanë.

Ky është fillimi i një rruge të re, për ta kthyer programin e ri në një frymë të re besimi tek njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë. Drejtësia në krizë. Demokracia në krizë. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta futur politikën në çdo shtëpi jo me erën e dasive të së shkuarës, po me fuqinë e propozimeve për të ardhmen. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta ngarkuar Partinë Socialiste me misionin e shpëtimit të vendit nga humnera e një krize ekonomike shpartalluese. Me misionin e reformave radikale, që programi ynë i ri paralajmëron për Shqipërinë në rrugën e një rilindjeje pas një çorodie të gjatë njëzet vjet. Me misionin e një patriotizmi europian, që të gjithë të zgjedhurit e rinj në forumet tona, nga organizata deri në kryesinë e re, duhet të mishërojnë në sjelljen e tyre me publikun e në qëndrimet tona publike. Me misionin e një rilindjeje shqiptare, që nuk duhet kurrsesi të mbetet një projekt shpresëdhënës në letër, po duhet të marrë formë në realitetin jashtëzakonisht të vështirë të gjërave.

***

Atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre u them se s’jam i pagabueshëm. Por mos bëni me gabimet e mia të mundshme fajin e madh të shërbimit për kundërshtarin. Partia Socialiste nuk vuan sot nga mungesa e lirisë. As nga mungesa e demokracisë apo debatit brenda saj. Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë. Të gjithë e duam këtë. Por të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë, është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë. E kjo i shkon për shtat kaktusit, jo trëndafilit. Sigurisht demokracia mund të funksionojë edhe më mirë, edhe brenda nesh. Por s’mund të mos e themi me kokën lart se kjo është e vetmja parti shqiptare që kryetarin dhe Kongresin e zgjedh me votën e drejtpërdrejtë të gjithë anëtarësisë së saj; që një të tretën e anëtarëve të zgjedhur të Kongresit i ka gra e vajza; që 30% të Asamblesë Kombëtare që do të rizgjedhim sot i ka po ashtu gra e vajza.

Ashtu sikundër s’mund të mos e çmojmë si virtyt të rrallë për një parti shqiptare bashkëjetesën tonë të pasur në mendime të ndryshme, e në debate të shpeshta. Le të bashkohemi ende më shumë për ta bërë demokracinë të funksionojë akoma më mirë edhe brenda Partisë Socialiste. Të gjithë jemi plotësisht të përkushtuar për këtë. Por të thuash s’ka demokraci, s’ka debat të lirë, s’ka respekt për zërin e pakicave në PS, është njësoj si t’u thuash shqiptarëve mos i besoni Partisë Socialiste. E kjo e pavërtetë e madhe, e thënë nga brenda PS-së, i shkon për shtat kundërshtarit në pushtet, jo qytetarit në opozitë. Sigurisht edhe puna në skuadër mund të bëhet më efikase. Por s’mund të ndjeheshim sot kaq mirë përpara shqiptarëve sikur, pikërisht falë punës në ekip, të mos kishim draftuar bazën e projektit ambicioz për një rilindje shqiptare. Le të bashkohemi në një mendje që gjithshka duhet bërë edhe më shumë që skuadra jonë të strukturohet dhe të bëhet më kolegjiale e më efikase. Të gjithë kemi çfarë të japim në këtë drejtim. Por të thuash s’ka ekip e kolegjialitet në PS është njësoj si tu thuash jo vetëm gjithë atyre burrave e grave që punuan me përkushtim, 3 muaj me radhë, për programin e ri të partisë dhe për dokumentin bazë të reformës organizative, ashtu siç punojnë përditë në disa fronte, se ata dhe puna e tyre s’kanë asnjë vlerë. E kjo qasje fyese për një shumicë dërrmuese që mendon ndryshe, që ka zgjedhur të punojë në ekip dhe të respektojë frymën e ekipit, nga cilidoqoftë që nuk arrin të dallojë kufirin ku mbaron liria e tij e ku fillon liria e të tjerëve, s’mund t’i shkojë për shtat tjetërkujt veç propagandës shurdhuese të kundërshtarit.

Le ta shohim të vërtetën në sy. Sot Partia Socialiste e ka vërtet një problem për të zgjidhur me veten. Dhe për ta zgjidhur pa humbur kohë me përkushtimin e të gjithëve dhe me përjashtimin e askujt. Ky problem është etika e përfaqësimit në të gjitha nivelet, nga deputetët tek kryetarët e partisë në territore e deri tek kryetarët e organizatave. Gjithkush është i lirë të thotë atë që mendon. Po askush s’ka të drejtë të përdorë mandatin e përfaqësimit në varësi të asaj që përfiton ose nuk përfiton për vete. Është koha e një kthese të fortë etike për një moral të lartë përfaqësimi të interesave të Partisë Socialiste dhe të popullit shqiptar. Është koha që shqiptarët të na vlerësojnë për atë që mund të jemi për ta, jo për atë që mund të tregojmë për veten. Të na dëgjojnë si flasim për ëndrrat, shpresat e hallet e tyre të mëdha, jo si ngremë zërin për synimet e interesat tona të vogla. Të na kenë pranë për të luftuar për më pak taksa e më shumë vende pune, jo të na shohin në televizor e gazeta si luftojmë për një vend për vete duke harruar të bëjmë punën e përbashkët, e deri duke tradhtuar si s’ka më zi familjen tonë politike – rasti i fundit i kryetarit të rrethit të Vlorës është turpi i tij, po detyrimi ynë për reflektim e për përgjegjshmëri.

Le ta bëjmë këtë reflektim me qetësi, kthjelltësi e vendosmëri dhe le tu përcjellim të gjithëve një mesazh të qartë:

Mandatet tona janë tuajat dhe ne do t’i përdorim ato vetëm për ta bërë më të mirë vendin tonë e jetën tuaj.

Ju të dashur delegatë e delegate jeni zgjedhur drejtpërdrejtë nga 57.140 socialistë e socialiste. Lejomëni t’ju uroj nga zemra për besimin e marrë përmes një shprehjeje kaq demokratike të vullnetit sovran të anëtarësisë së partisë. Por lejomëni gjithashtu t’ju bëj thirrje sot në ditën e parë të punës suaj fisnike në përfaqësimin e gjithë atyre që ju kanë zgjedhur dhe dua të bëj këtë thirrje në emër të gjithë anëtarëve e mbështetësve të Partisë Socialiste, që mandatin e marrë ta mbani me nderin e dinjitetin që ky Kongres kërkon sot nga çdo përfaqësues i Partisë Socialiste në ushtrimin e vullnetit të zgjedhësve. Pa etikën e lartë të përfaqësimit, që na distancon qartë nga pazari i gjësë së gjallë së politikës së vjetër, ku valon korrupsioni e korruptimi i shpirtrave të dobët dhe i mendjeve të cekëta, ne s’mund ta ngjisim dot Shqipërinë në majën ku duam. Pa një sjellje që të jetë modeli i qytetarisë që duam për Shqipërinë, brenda nesh e me ata që na kanë zgjedhur, ne s’mund të krijojmë dot energjinë e madhe pozitive që lypset për rimëkëmbjen, në radhë të parë morale, të kësaj shoqërie. Pa forcën e shembullit që mishëron patriotizmin, qytetarinë, interesin publik dhe aspiratën tonë europiane, ne s’mund ta krijojmë frymëzimin shoqëror për rilindjen shqiptare që kemi projektuar në programin tonë bazë. Ky është një program që do ta quaja të përvojës së madhe e të ideve të reja të shumë njerëzve. Nga ata me eksperiencë të gjatë tek ata me pasion rinor. Ky është programi i të tria gjeneratave të Partisë Socialiste. Është programi i atyre që e themeluan këtë familje politike. Është programi i atyre që e ngritën Shqipërinë nga gërmadhat e vitit ’97. Është programi i atyre që u bënë pjesë e kësaj partie në shekullin e ri. Ky është programi i reflektimeve të thella. I vullneteve të bashkuara për t’i dhënë shoqërisë një shtysë të re përpara. I kurajos për të rikrijuar vetveten, siç i takon një partie të madhe si organizëm i gjallë që jeton me kohën.

Ky është programi i vetëdijes kombëtare për rrezikun që i kanoset Shqipërisë së zhytur në borxh, varfëri, batakçillëk qeverisës. I vetëdijes politike për stuhinë alarmante që po i afrohet financave publike të këtij vendi, jo vetëm për shkak të krizës globale, po në radhë të parë të keqqeverisjes duke e fshehur krizën. Është programi i dallimit të qartë, të prerë, rrënjësor, mes nesh dhe atyre që sot e qeverisin Shqipërinë nga e djathta, por e rrjepin e shkatërrojnë përditë nga të katër anët. Ky është programi i partisë më të madhe të shqiptarëve. I socialistëve e progresistëve i shqiptarë. I vlerave e parimeve të socializmit europian. Më vjen natyrshëm në këtë moment falenderimi për Ermelinda Meksin. Të cilës do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për kontributin njëzetvjeçar dhe përkushtimin e pandryshuar njerëzor në ditë të mira e në ditë të këqija të kësaj familjeje politike.

***

Dikush më mori nga Mallakastra në telefon pardje e më tha: Dëgjo këtu komandant, ne të duam por, po nuk i kërkove falje Ermelindës ne të zbuam! Kishte lexuar gazetat e oborrit që pasi e lajmëruan nja shtatë herë të thyer këmbën e Gramozit me shqelmin tim, shpikën sherrin me Ermelindën. Po kur e pyeta pse i lexon ato palo gazeta e dini si më tha? Po s’kemi as punë as moshë për filma me lakuriqa o komandant dhe zbavitemi ngapak me shpifjet e larove të Saliut! Po e keqja është se shpifin kaq shumë sa edhe na çorodisin nganjëherë.

Faleminderit për të gjitha zyshë Ermelinda. Programi që kemi nxjerrë në dritë është një provë e shkëlqyer kontributesh të përbashkëta. Po edhe një stimul i fortë për të gjithë në rrugën ku jemi të vendosur ta udhëheqim Shqipërinë. Ky stimul duhet të na bashkojë edhe më fort, të gjithëve pa përjashtim, me vetëdijen se koha e Shqipërisë nuk mund të humbet më gjatë në të tatëpjetën e krizës. E me bindjen se asgjë personale, e imja, e jotja, e atyre, e këtyre, mes nesh, nuk e vlen cënimin e përpjekjes historike për një rilindje shqiptare. Historia do të na dënonte pa mëshirë nëse krizën e rëndë që vendi kalon sot, nuk e kthejmë në një oportunitet të madh për vetë vendin. Për këtë përpjekje askush s’është i tepërt dhe gjithkush që ndan me ne vizionin e mishëruar në këtë program është i mirëpritur. Çdo organizatë duhet të hapet. Rritja 30% e anëtarësisë së partisë në vitin 2012 duhet të kthehet në objektiv i çdo njësie vendore, i çdo rrethi e qarku, i Asamblesë sonë të re Kombëtare e i kryesisë së re socialiste. Duke e filluar nga ata që janë larguar, për një arsye a një tjetër, dhe duke shkuar derë më derë tek ata që dëshirojnë të afrohen po s’është kujtuar njeri t’i thërrasë.

Shqipëria është sot në një luftë, luftë të vërtetë me varfërinë, papunësinë, borxhin mbytës dhe maskarallëkun e kthyer në sistem qeverisës. Dramat e së shkuarës brenda familjes së madhe të së majtës apo grindjet dhe hatërmbetjet e së djeshmes në gjirin e Partisë Socialiste, s’mund të përbëjnë kurrsesi një arsye të mirë për të mos e marrë në dorë të gjithë bashkë të ardhmen dhe për të mos bërë atë që na takon përpara se sa Saliu ta çojë Shqipërinë në humnerën tragjike të një krize financiare. Fuqia e gjykimit të një njeriu apo një organizate nuk është të mos gabojë kurrë, po të mos bëjë gabime të përsëritura. E them këtë për vete. E them këtë për ne. E them këtë për të gjithë ata që gabimet e së shkuarës mund t’i pengojnë psikologjikisht të rikthehen në hapësirën e madhe të opozitës së sotme. Çdo socialist me mandat, që nga kryetarët e organizatave tek deputetët, duhet të jetë një zemër dhe derë e hapur për këdo me të cilin na ndan e shkuara po mund të na bashkojë e ardhmja. Ne duhet të jemi tërësisht të vendosur të shkojmë përpara, për të realizuar programin tonë për një rilindje shqiptare dhe për të mos rënë në asnjë rast apo në asnjë formë pre e personalizimeve aq shumë të dëmshme të konflikteve të të shkuarës. Lufta me borxhin publik e me borxhet e familjeve të zakonshme që duam të marrim sot në mbrojtje me programin tonë të ri, s’ka vend për personalizma e beteja meskine kohërash normale.

Kjo nuk është një kohë normale për Shqipërinë. Themelet e financave tona publike dhe tërë ngrehina e ekonomisë shqiptare janë në rrezik. Izolimi faktik nga Europa në kushtet e stuhisë financiare që po afrohet është i papranueshëm dhe i pafalshëm. Politika duhet t’i dalë zot vendit dhe t’i lerë mënjanë sherret e llastimet e saj mediokre. Programi ynë është pikërisht vullneti ynë për të marrë lidershipin moral në këtë luftë, duke vendosur veten tonë në dispozicion të plotë të shpresave e të halleve të atdheut të 1 milionë të papunëve, dhe duke i lënë mënjanë të gjitha grindjet e sherret për hesape mirëfilli politike. Sot s’ka vend për to. As brenda partisë. As midis partive. Madje as me kundërshtarin politik. Me të cilin kurrë nuk do të na bashkojnë vizioni dhe idetë për Shqipërinë që duam, po asnjëherë mospëlqimi i thellë personal nuk do të na pengojë të dialogojmë në emër të interesit madhor të kombit dhe shtetit që përfaqësojmë. Sot ky interes madhor e kërkon me urgjencë që të përshpejtohet me çdo kusht procesi i integrimit. Stuhia që po afron nuk do të na gjejë jashtë mureve të Europës.

E prandaj ne kemi ofruar një plan propozimesh. Të hënën do të bëjmë një propozim të ri në kuadrin e planit tonë për përshpejtimin e integrimit. Të tjera propozime do të vijojnë më tej. Kjo është detyra që kemi marrë përsipër dhe rruga që kemi zgjedhur si alternativa e vetme europiane e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

Atyre që më sulmojnë nga llogorja e pushtetit të kthyer në regjim dua t’u them sot shkoqur:

Mundoheni kot.

Nuk do ta gjunjëzoni dot opozitën.

Nuk do ta dobësoni dot Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Nuk do ta blini dot shpirtin tonë patriotik.

Nuk do të korruptoni dot mendësinë tonë demokratike dhe shikimin tonë drejt të ardhmes.

Nuk do të na mposhtni as me dhunën tuaj, as me paratë tuaja, as me baltën tuaj të shpifjeve e fyerjeve të përditshme.

Ne do t’ju heqim nga qafa e Shqipërisë megjithë borxhet, megjithë hajdutëritë, megjithë paaftësinë tuaj epike.

Padrejtësitë tuaja na kanë zemëruar, po s’na kanë ligështuar. Zemërimi nuk na e ka humbur, por na e ka kthjelluar arsyen. Na i torturoni përditë njerëzit tanë, me plumba i keni vrarë njerëzit tanë. Me flakje në rrugë, dhunë psikologjike e përndjekje në gjithë pemën e gjakut të shtëpisë. Ju jeni venë pas njerëzve tanë. Na keni vjedhur dy herë votat. Një herë natën dy vjet më parë dhe një herë ditën për diell në mes të kryeqytetit, në sytë e gjithë botës për turpin e të gjithëve. Po nuk do të ketë një herë të tretë! Dhe e dini pse? Sepse tanimë edhe demokratët e thjeshtë, ata që i kanë dhënë shpirt e zemër Partisë Demokratike, e kanë kuptuar që ju nuk jeni as e djathta shqiptare dhe as një qeveri për Shqipërinë e tyre. Ju jeni vetëm një kastë grabitqare. Dhe si e tillë do të trajtoheni nga populli i majtë e i djathtë, kur hera e tretë të jetë hera e të vërtetës së të gjithë atyre që nën qeverisjen tuaj jetojnë sot shumë më keq se më parë. E këta janë shumë. Janë shumë më shumë se shumica që na mbështet e na voton ne. Janë një popull që do të ngrihet mbi malin tuaj të mëkateve e manipulimeve, ashtu siç ngrihen në një ditë, si nga dheu, popujt e varfëruar me pahirin e regjimeve si i juaji. E treta do të jetë hera e të vërtetës së madhe që Shqipëria do t’ju tregojë me votë për tradhtitë tuaja. Për fukarallëkun e shpirtit tuaj dhe për varfërinë e shtëpive shqiptare. Për padrejtësinë tuaj të kthyer në sistem mbytës. Për tangërllikun e kthyer në mënyrë komunikimi.

Të dashur socialistë e progresistë kudo që jeni, të dashur opozitarë e qytetarë që doni ndryshimin pavarësisht se me kë jeni. E dëgjoj qartë zërin tuaj që thotë, nuk dëgjojnë këta asnjë propozim tonin. Nuk marrin vesh me të mirë këta. Nuk ikën Saliu me votë. E me radhë. Dua të më besoni se nuk është problemi ynë nëse qeveria i dëgjon apo jo propozimet tona. Është barra e mëkateve të saj që rëndohet duke qëndruar në llogoren e politikës së konfliktit, për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë me vota të vjedhura. Problemi ynë është që ju t’i dëgjoni dhe të ndjeheni pjesë e propozimeve që ne bëjmë në interesin tuaj në radhë të parë. Ju të ndjeni deri në fund se është Partia Socialiste që i përfaqëson qartë interesat tuaja, jo qeveria e lidhur me interesat e oborrit të Saliut. Sepse besomëni, nuk ka më asnjë rëndësi çfarë bën Saliu, po çfarë bën secili prej jush dhe çfarë bëjmë ne të gjithë sëbashku. Koha e Saliut ka mbaruar. Jetojmë vetëm agoninë e qeverisjes së tij. Të bashkuar do t’i japim fund agonisë për një rilindje të re shqiptare.

E kemi pasur të lehtë, shumë të lehtë madje, t’ia kthejmë Saliut në fytyrë përditë stërshpifjen e tij të stërpërsëritur, se opozita paska bllokuar integrimin. Po nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë. Sepse as integrimi s’është lojë “e ka kush e ka” dhe as ne socialistët s’mund ta përdorim kurrë flamurin e Europës, siç e përdor Saliu, si gjethe për të mbuluar pjesët e dukshme të përgjegjësive të tij. Ribashkimi me Europën, quhet pjesa e katërt e programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Titullin e kësaj pjese e ka frymëzuar vetëdija e përkatësisë së hershme europiane të Shqipërisë, në kushtet e sotme kur flitet çdo ditë për Europën dhe përditë halldupëria e harbutllëku oriental në pushtet e largojnë Shqipërinë nga Europa. Për ne integrimi europian s’është rrugëtim drejt një vendi të huaj, po rrugëtimi i Shqipërisë drejt vetvetes. Bashkimi Europian s’është një organizatë ku ne do të aderojmë për të mbetur këta që jemi, po një familje ku Shqipëria do të hyjë vetëm duke u bërë ajo që nuk është ende, një shtet europian në shërbim të qytetarëve europianë. Në partneritet strategjik me Bashkimin Europian.

E falenderoj ambasadorin Sequi për praninë e tij në këtë kongres dhe i them në emrin tuaj: Europa për ne socialistët s’është një pikë ku duam të mbërrijmë, po një mënyrë e re të qeni këtu, mes nesh, në Shqipëri. Për këtë mënyrë të re të qeni flet shkoqur programi ynë i ri. Këtë mënyrë të re të qeni do ta bëjmë realitet përmes afirmimit të parimeve e vlerave të pandryshuara që mishëron Partia Socialiste. Si parti anëtare e Internacionales Socialiste dhe e familjes politike të socialistëve europiane. Por po ashtu si partia më e madhe e shqiptarëve që gëzojnë privilegjin e miqësisë dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. E falenderoj ambasadorin Aleksandër Arvizu për praninë e tij sot në këtë ngjarje të rëndësishme të jetës së Partisë Socialiste. Ju siguroj miku ynë në vullnetin e hekurt të socialistëve shqiptarë, për t’i dhënë mbështetje pa kushte sot në opozitë, qeverisë shqiptare lidhur me çdo mision e detyrim që angazhon Shqipërinë në kuadrin e partneritetit tonë strategjik. Ashtu siç ju garantoj se nesër Shtetet e Bashkuara do të gjejnë tek qeveria jonë jo vetëm aleatin e palëkundur për të gjitha angazhimet globale e rajonale, po edhe një partner të frymëzuar nga parimet e nga vlerat e demokracisë amerikane në mirëqeverisjen e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara nuk do të krenohen me ne vetëm për luajalitetin dhe besnikërinë në kuadrin e betjës së madhe për një botë më të mirë, por do krenohen me ne për një nxënës të mirë në mes të Europës dhe në zemrën e Ballkanit që punon dhe heton i frymëzuar nga parimet dhe vlerat që e bëjnë Shtete e Bashkuara vendin e ëndërruar të të gjithë atyre që duan kushtetutshmërinë. Të gjithë atyre që duan zgjedhje vërtet të lira e të ndershme. Të gjithë atyre që duan drejtësi të pavarur. Të gjithë atyre që duan lirinë e medias, tregun e lirë dhe vlerësimin e meritës.

Faleminderit edhe të gjithë miqve të tjerë që iu përgjigjën pozitivisht ftesës sonë, apo na uruan për këtë kongres pa mundur të vijnë. Faleminderit miqve tanë italianë e grekë, marrëdhëniet e konsoliduara me të cilët programi ynë i konsideron shumë të rëndësishme për Shqipërinë Europiane. Faleminderit miqve gjermanë e austriakë, me të cilët duam ta zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin e gjithanshëm për Shqipërinë Europiane. Faleminderit miqve francezë, britanikë, spanjollë e turq, me të cilët synojmë të inkurajojmë rritjen e shkëmbimeve dypalëshe, ashtu si edhe me Vendet e Ulëta e Skandinave, të cilave u jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e pakursyer që i japin demokratizimit e integrimit europian të Shqipërisë. Faleminderit të gjithë miqve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria Europiane që kemi programuar ka në qendër të misionit të saj mbrojtjen e interesave kombëtare, pavarësisë, lirisë e sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe e stabilitet në rajon e më gjerë. Kosova është për ne jo vetëm një tjetër shtet shqiptar në anën tjetër të kufirit, po edhe një potencial i madh historik e kulturor për një partneritet shumëplanësh, në funksion të qytetarëve të nesërm shqiptarë të Bashkimit Europian.

Programi ynë quhet për një rilindje shqiptare, por është një derë e hapur. Jo vetëm për ide e sugjerime, po edhe për të gjithë ata që duan të bashkohen me ne për ta bërë realitet një rilindje shqiptare. Individë, grupe interesi, organizata shoqërore, parti politike, të majta, të qendrës apo liberale të djathta, që gjejnë arsye për t’u bashkuar në programin tonë, bujrum, dera është e hapur. Programi ynë është një derë e hapur brenda një koalicioni të gjerë opozitar, Aleanca për të Ardhmen. I falenderoj përzemërsisht aleatët tanë për praninë e tyre sot dhe u shpreh respektin e të gjithë socialistëve, për konseguencën e për shpirtin e sakrificës, në rezistencën ndaj këtij pushteti vrastar e grabitqar. E në kontekstin e koalicionit tonë të gjerë lejomëni të nënvizoj: Programi ynë për një rilindje shqiptare më detyron një kërkesë ndjese ndaj atyre që deri dje i kemi quajtur, si gjithë të tjerët edhe ne, ish-pronarë. Që të ketë një rilindje shqiptare s’mund të ketë pronarë legjitimë që quhen ish-pronarë dhe sorollaten prej njëzet vjetësh në kalvarin e një përndjekjeje të ftohtë pas përndjekjes së përgjakshme të dyzetepesë viteve diktaturë. Pronarë dhe pikë. Dikush në Asamblenë Kombëtare tha ç’punë kemi ne me ish-pronarët e me të përndjekurit politikë që do vdesin duke i shkuar pas Saliut si lypsarë, po për ne s’do votojnë kurrë? Gabim. Për ne sot çështja e pronës nuk është një çështje elektorale, po një çështje përgjegjësie kombëtare që marrim përsipër ta zgjidhim me këtë program dhe me këtë koalicion. Tallja e Saliut dhe e gjithë politikës së vjetër me pronarët është jo vetëm një cinizëm i pashembullt, po edhe një pengesë e madhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të Shqipërisë.

Qëllimi ynë është i qartë: Përmes zgjidhjes së çështjes së pronës, jo vetëm t’i japim fund sorollatjes së pronarëve legjitimë me një zgjidhje të dakordësuar me ta; të pajisim po ashtu me certifikata pronësie fermerët që punojnë prej njëzet vjetësh tokën e s’kanë një copë letër; t’u japim titujt e pronësisë të gjithë atyre që kanë hyrë në proces legalizimi. E kështu në këtë mënyrë të krijojmë një pasuri të plotë e të qarkullueshme në tregun e tokës. Krijimi i tregut të tokës, me vlerë të shtuar nga politika të mirëmenduara zhvillimi rajonal e rural, do të çlirojë energji të pafundme për një rilindje shqiptare. Njësoj si pronarëve edhe të përndjekurve ne u themi që angazhohemi për ta zgjidhur me dinjitet problemin e tyre, të pazgjidhur qëkur liria u është bërë një burg pamundësish e gënjeshtrash me një bisht njëzet vjet të gjatë. Ne do të zbatojmë për ish-të përndjekurit një dëmshpërblim progresiv sipas viteve të dënimit. Për ata mbi 75 vjeç do ta shlyejmë të gjithë masën e dëmshpërblimit brenda vitit të parë të qeverisjes së Aleancës për të Ardhmen. E atyre ndër ta që ndryshe nga Kurt Kola e nga Spartak Ngjela e nga të tjerë të burgosur me të vërtetë politikë të regjimit të vjetër që vazhdojnë edhe pas njëzet vjetësh rropatje pa dëmshpërblim, të shohin tek unë Partinë e Punës dhe tek Saliu lirinë e demokracinë, u them sot shumë qartë: Paragjykimi juaj nuk na pengon të jemi të drejtë me ju. T’ju respektojmë përulësisht për të gjitha vuajtjet dhe t’ju ofrojmë falas të gjitha shërbimet publike, njësoj si veteranëve të luftës. Për ne kjo nuk është një çështje interesash elektorale, nuk është as një çështje miklimi grupesh të ndryshme interesi. Për ne kjo është rivendosja e Shqipërisë në pozicionin e duhur, jo vetëm për ta ëndërruar, por edhe për ta mundësuar, një rilindje shqiptare. Për ne veteranët e luftës dhe të përndjekurit politikë, janë dy grupet më të vuajtura të këtyre njëzetë vjetëve tranzicion. Veteranët i dhanë Shqipërisë nderin e të qenit në krahun e duhur të historisë në orët dramatike të luftës botërore me një të keqe të madhe. Në këtë kongres mungojnë disa prej tyre, e ndër ta edhe kryetari i Komitetit të Veteranëve e miku ynë i paharruar, Adnan Qatipi. I paharruar qoftë kujtimi i tyre dhe i përjetshëm nderimi për luftën e për sakrificat që ata bënë.

Në programin tonë ne kemi shprehur vullnetin për adresimin e çështjes çame në koherencë të plotë me standardet e të drejtës ndërkombëtare. Edhe lidhur me këtë problem ka njëzet vjet që politika shqiptare rrotullon arra nëpër gojë. Ky problem as mund të lihet zvarrë në një heshtje fyese për komunitetin çam, as duhet lënë të kthehet në vatër të flakëve të një mllefi primitiv ndaj fqinjit tonë mik. Ne do ta trajtojmë atë me dinjitetin e forcës patriotike dhe europiane që jemi, ashtu siç trajtuam problemin e marrëveshjes së kufijve detarë të Shqipërisë. E sot kur kjo çështje është ringritur përsëri, dua ta bëj të qartë në emër të socialistëve shqiptarë: Ne jemi për një marrëveshje të shpejtë për kufijtë detarë, por vetëm mbi themelin e reciprocitetit absolut. Miqësia jonë me popullin grek është e patjetërsueshme dhe ne besojmë se një miqësi e vërtetë është vetëm një miqësi e barabartë. Vizioni europian, kuptimi i njëjtë për problemet e rënda të vendit dhe solidariteti njerëzor, na bëjnë natyrshëm aleatë me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e me mikun tonë Vangjel Dule. Nëse minoriteti grek është një urë e fortë lidhjeje e bashkëpunimi me Greqinë fqinje dhe veçoritë e tij një pasuri kulturore për Shqipërinë, PBDNJ-ja është një urë e fortë që e lidh Partinë Socialiste me minoritetin grek në radhë të parë e me të gjitha pakicat e tjera në Shqipëri.

E padyshim kjo parti është një vlerë e shtuar, jo thjesht numerike, por kulturore e koalicionit tonë. Respektimi i të drejtave themelore të shqiptarëve që jetojnë në vendet fqinje ne e konsiderojmë pjesë të projektit tonë të Shqipërisë Europiane. Programi ynë është një derë e hapur për emigrantët. Asnjëherë më parë një parti politike shqiptare nuk e ka pasur emigracionin në fokusin ku e vendos ky program bazë për një rilindje shqiptare. Shqipëria ka fluksin më të lartë migrator të Europës. Jashtë kufijve tanë jeton 40% e popullsisë aktive shqiptare. Janë 1 milionë e gjysmë shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Europian e në Amerikën Veriore. Duke nisur nga 60% e tyre që punojnë në Greqi e pastaj nga 12% që janë në Itali e me radhë, emigrantët përbëjnë prej njëzet vjetësh traun mbajtës të çatisë së ekonomisë shqiptare. Pa punën e tyre ekonomia e familjeve të zakonshme shqiptare do kishte falimentuar krejtësisht. është e patolerueshme që qeveria shqiptare, prej njëzet vjetësh po sidomos në vitet e fundit, e ka katandisur kujdesin për emigrantët në një shërbim konsullor të krimbur në korrupsion e qesharak deri në dhimbje. Dhe është po ashtu e pajustifikueshme që kontributorët kryesorë në ekonominë e vendit prej njëzet vjetësh, nuk shprehin dot vullnetin e tyre në zgjedhje.

Përveç një pakete masash konkrete, që u paraqitën në mënyrë konkrete pak më parë, për rritjen cilësore të kujdesit të qeverisë për emigrantët, programi ynë " Për një Rilindje Shqiptare" parashikon edhe të drejtën e votës për ta aty ku jetojnë. Qeveria e sotme i bishtnon vijimësisht këtij detyrimi. Ne do të bëjmë çmos që t’ia garantojmë çdo shqiptari në emigracion këtë të drejtë kushtetuese.

***

Ne sot flasim për një shumicë shumë më të madhe sesa shumica jonë elektorale. Programi ynë flet kundër interesave që e mbajnë këtë shumicë të varfër, të ndarë me thikën e dasisë primitive në palë të kundërta. Ky program u flet shqiptarëve të zakonshëm për interesat e tyre të cënuara, pa dallim bindjesh e përkatësish partiake, krahinash e besimesh fetare, moshe e gjinie. U flet të gjithë atyre që jetojnë me një rrogë. Në shtet apo tek privati. U flet atyre që e kanë rrogën 200 mijë lekë të vjetra dhe sot paguajnë 227% më shumë taksa se ditën kur Saliu erdhi në pushtet. Nga 4400 lekë atëherë, 10000 lekë në muaj sot. Programi ynë u flet me radhë, atyre që e kanë rrogën 300 mijë lekë, në shtet apo privat dhe paguajnë sot taksa 213% më shumë sesa ditën kur Saliu erdhi në pushtet. Nga 9400 lekë gjashtë vjet më parë, sot paguan 20000 lekë. U flet atyre që e kanë rrogën 400 mijë lekë dhe po ashtu paguajnë sot taksa më shumë se më parë, plot 278% më shumë. Nga 14400 lekë 40000 lekë taksë, 10% taksa e sheshtë. Apo atyre që e kanë rrogën 500 mijë lekë të cilët sot paguajnë më shumë, por më pak se ata që përmenda deri tani, sepse me taksën e sheshtë sa më lartë të ngjitesh dhe sa më plotë ta kesh xhepin aq më pak paguan. Sa më poshtë të mbetesh dhe sa më të vështirë ta kesh të mbërrish fundin e muajit aq më shumë paguan. 205% më shumë paguajnë ata që marrin 500 mijë lekë. Paguanin 24400 lekë, sot paguajnë 50000 lekë tani.

Ky program e thotë shkoqur, ne e konsiderojmë këtë sistem taksimi një abuzim me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Ne e konsiderojmë taksën e sheshtë një grabitje në xhepat e shumicës dërmuese dhe të dërmuar të këtij vendi, socialist, demokratë, pa parti, çfarëdo qofshin vuajnë të gjithë nga i njëjti problem. Vuajnë të gjithë nga e njëjta barrë dhe këtë barrë ne do ua heqim. Kush merr më pak do paguaj më pak, kush merr më shumë do paguaj më shumë.

Dëgjoni me vëmendje, ky program thotë se ne e konsiderojmë të padrejtë që një pakicë fare e vogël, që paguhet me një rrogë 1.4 milionë lekë (deputetët), sot paguan fiks po aq taksa sa dikur, paguante 141 mijë gjashtë vjet më parë, paguan 141 mijë sot. Por ka akoma, ministrat marrin 2 milion lekë. Përpara se të vendosej taksa e sheshtë paguanin 229 mijë lekë taksë, sot paguajnë 200 mijë lekë. Pra kur mbërrin tek ministrat fillon ulja e taksave. Por sigurisht dhe këtu rekordin e mban ai që rri më shumë në ujë apo jo, Shkëlqesia e Tij Zoti Kryeministër, nga 240 mijë lekë taksë që duhet t’i jepte shtetit kur shkeli në zyrë, e ka çuar në 200 mijë për veten e tij. Edhe spikerja kuptohet se bashkë me atë i ka edhe uljet e taksave.

Po, është e vërtetë, Saliu i ka ulur taksat po vetëm për veten, për spikeren e për oborrin e shërbëtorëve të tij në qeveri e të ortakëve të tij në biznes, për të cilët do të vij tani më poshtë.

Kjo logjikë e përmbysur komplet kokëposhtë në një vend me çmimet që ka Shqipëria, më të lartat në rajon, krahasuar me rrogat e shqyera, se nuk është vetëm taksa e sheshtë janë edhe taksat e konsumit dhe një barrë fiskale e padurueshme, e bën ulëritëse këtë padrejtësinë dhe është e habitshme sesi ka njerëz jashtë atij oborri të ngushtë që kanë arsye të forta, të cilat do t’jua shpjegojmë shqiptarëve me fakte dhe shifra, ta pranojnë këtë padrejtësi.

10% taksë për 200 mijë që merr një prind punëtor në muaj, janë shumë më tepër sesa 10% për 500 mijë që merr një rrogëtar më i lartë.

Po ashtu 10% për 500 mijë janë shumë më tepër se 10% për 2 milionë, që merr Saliu. Pa llogaritur se po 10% paguajnë edhe ata që merren me biznes. 10% paguajnë dyqanxhinjtë e vegjël të Tiranës, 10% paguajnë kompanitë e mëdha. Madje dhe monopolet e mëdha 10% paguajnë. Ku është morali njerëzor i këtij sistemi pervers, shtrydhjeje të më të varfërve e fryrjeje e më të pasurve?

Si na qenka e mundur që sa më i varfër aq më ngarkuar me taksa dhe sa më i pasur aq më i lehtësuar nga taksat?

Si ka mundësi që më e taksuara, e dini kush është në tabelën e shqiptarëve që mbajnë peshën e kontributeve fiskale, në krye fare të tabelës është infermierja, që sot paguan 30 herë më shumë taksa se kur Doktori ishte në opozitë. Ndërsa në fund fare janë ministrat e oborrit dhe vetë Doktori kuptohet.

Programi ynë për një rilindje shqiptare është një derë e hapur për 95% të shqiptarëve. Ejani me ne, ejani me koalicionin tonë. Kujt PS i duket një kapërcim i madh, në Aleancën për të Ardhmen ka shumë zgjedhje. Në Aleancën për të Ardhmen ka socialdemokratë. në Aleancën për të Ardhmen ka demokrat social. Në Aleancën për të Ardhme ka demokristianë. Në Aleancën për të Ardhmen ka jo të përndjekur politik por simbolet e rezistencës ndaj regjimit në burgjet e Enver Hoxhës.

Ne u themi këtyre 95 % të shqiptarëve:

Do të vendosim moralin njerëzor dhe drejtësinë sociale në themelin e sistemit të taksimit në Shqipëri. Madje kush fiton më pak do të paguajë më pak, por do të ketë jo vetëm më shumë lekë në xhep por dhe më shumë mbrojtje nga shteti.

Shqipëria e varfanjakëve, invalidëve, të papunëve, pensionistëve, edukatoreve, infermiereve, mësuesve, Shqipëria e policëve që bëhen mish për top, Shqipëria e të gjithë rrogëtarëve të zakonshëm, e atyre që për një copë bukë e bëjnë kurrizin shesh nën taksën e sheshtë, apo e atyre të tjerëve që nuk e marrin dot as një copë bukë pavarësisht se mund ta meritojnë sepse shihen si armiq, paguan sot kjo Shqipëri edhe një taksë tjetër më të rëndë se taksa e sheshtë, taksën e fshehtë 20%, taksën hileqare TVSH, për çdo kg bukë që fut në bark, 20% i merr Saliu. Prindërit e këtij vendi duhet t’i paguajnë qeverisë së Saliut 20% taksë për çdo kokër vezë a gotë qumësht që e mbledhin me pika për tua dhënë fëmijëve atje në fshat, atje ku Saliu merr votat, atje ku Saliu bredh me gërshërë, atje ku Saliu gënjen sikur këndon mu si gjeli maj plehut. Fëmijët më të rritur, gjenerata jonë për t’ju dhënë prindërve një ilaç paguajnë 10% taksë. Po mirë kur prindërit e moshuar i kanë fëmijët, po kur janë pensionistë të vetmuar? Ne do ti bëjmë zero ato taksa. Do ta ulim në zero taksën e bukës, taksën e vezëve dhe taksën e ilaçeve. E po ashtu do ta çojmë nga 20% në 6% taksën e faturës së energjisë. Për pjesën tjetër të ushqimeve ne nuk premtojmë atë që nuk do bëjmë, po studiojmë masën e uljes por sigurisht nuk mund ta çojmë ne zero. Këta jemi ne dhe programi ynë nuk është një program për të gënjyer. Por është një program për të ëndërruar Shqipërinë europiane që së bashku do ta bëjmë realitet.

Tani dëgjoni një shifër domethënëse për ato çka thashë pak përpara:

Nga taksat e konsumit të përditshëm, pra tatimit mbi vlerën e shtuar, taksa hileqare për të gjithë ata që sot mezi mbahen në këmbë, apo dhe akciza mbi një sërë produktesh të tjera, pije, veshje, mallra, shërbime, nga të gjithë të papunë, invalidë, veteranë, ish të përndjekur, ministra, biznesmen, kompani mblidhen plot 1.5 miliardë dollarë njësoj nga të gjithë, si shoferë si ministra, si mësues si biznesmenë, si pastruesja si kryeministri. Sot qeveria merr 271 milionë dollarë nga të ardhurat personale të këtyre njerëzve, ndërsa nga aktiviteti i biznesit në Shqipëri merr vetëm 200 milionë. Dhe e dini sa merr për taksimin i pasurisë? Pra taksimi i pasurisë të atyre që kanë pasuri, që blejnë pasuri, që shesin pasuri vetëm 20 milionë dollarë. Shkurt, cilido që ka pak paguan aq sa e ndjen dhimbje deri në palcë, kush fiton dhe bën pasuri, shton pasuri, shet pasuri paguan më pak se ai që ka fare pak.

Shifra e fundit:

Ata që mbijetojnë vetëm me një pagë i paguajnë qeverisë 160 milionë dollarë në vit. Kurse gjithë atyre që kanë pasuri, shesin pasuri etj, në total japin më pak, vetëm 130 milionë dollarë në vit. Kështu, 5% e shqiptarëve kanë sot më shumë se 50% të depozitave të këtij vendi, ndërsa 95% e tyre paguajnë sa 5%-shi.

Ja si thotë nobelisti amerikan për ekonominë Paul Krugman:

Rritja e përqendruar e parave në duart e pak njerëzve e bën përqendrimin e të ardhurave e të pasurisë një kërcënim për demokracinë që rrezikon të mbetet në fund vetëm një fjalë boshe. E vërteta është se vetë natyra e sistemit demokratik vihet në fije të perit nga kjo mënyrë taksimi. Por dua të jem shumë i qartë:

Programi ynë nuk është kundër 5%-shi.

Ky program është pa asnjë mëdyshje një derë e hapur për sipërmarrjen shqiptare që nuk jeton në oborrin e pushtetit të Saliut. Ne do të çmontojmë sistemin e shëmtuar abuziv të referencave. Sipërmarrësit do të jenë të lirë të vetëdeklarohen dhe nuk do të penalizohen as nga referencat e numrit të individëve të punësuar, nivelit të pagave, çmimit të importit, dhe as nga gjobat arbitrare të xhandarmërisë fiskale. Sepse ajo taksa e sheshtë tek e fundit fare ju shërben atyre që jetojnë në oborrin e pushtetit, klientëve të oborrit të pushtetit, ortakëve në biznes të Saliut. Të cilët janë të lehtë sa mund të fluturojnë drejt fitimesh të reja çdo ditë. Sipërmarrësve që janë jashtë oborrit, vërtet ju vendoset barra vetëm 10%, por ju qepet pas xhandarmëria fiskale, me gjoba arbitrare, mafioze, ashtu sikundër ju bllokohen nga të katër anët të gjitha shtigjet e konkurrencë, të gjitha rrugët ku duhet të kalojnë pa pengesa klientët dhe ortakët e oborrit të Saliut.

Ne do të bëjmë një politikë fiskale të kthjellët e të qëndrueshme, e përsëri kjo do ti shërbej sipërmarrës së ndershme. Do ti shërbej 99%- shit të atij 5%-shi. Jo si Saliu që në gjashtë vjet e ka ndërruar 64 herë bazën tatimore. Përfytyrojeni çfarë çorodie për gjithë sipërmarrjen, çfarë çorodie për gjithë dokumentacionin, çfarë çorodie për gjithë planet e biznesit, çfarë çorodie për të gjithë ata që nuk e kanë mik atë që ka mik atë që është miku i atij që ka ndërtuar një shtet vetëm për miqtë.

Ne do ta bëjmë administratën tatimore një model dhe kjo do të jetë në shërbim të sipërmarrësve. Shqipëria që ne duam do të jetë vendi ku biznesmenët do të jenë në piedestalin e nderimit shoqëror për gjithçka bëjnë me talentin, idetë, vullnetin e tyre, si aktorë në një rol kryesor për shoqërinë. Po njëkohësisht ky është edhe vendi ynë i përbashkët, ku këta aktorë të respektuar të zhvillimit duhet të kontribuojnë më shumë me taksa për Shqipërinë e të gjithëve, sepse do të fitojnë më shumë nga gjithë të tjerët dhe edhe më shumë kur gjithë të tjerët të jenë edhe më mirë.

Le t’u themi sot me plot gojën të gjithë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi pa dallim:

Qeveria ka tradhtuar pabesisht secilin prej jush dhe ju gërryen çdo muaj xhepin me një sistem të pabesë taksash, po ne do të jemi gjithnjë e më pranë jush. Ne jemi kthyer me energji edhe më të mëdha në fushë për ndeshjen vendimtare, për të folur si partia e të gjithëve dhe e të gjithë njerëzve të zakonshëm pa dallim. Shiheni Shqipërinë, ta shoh çdo kush, socialist, demokrat, pa parti, në veri, në jug, të shoh qytetin a fshatin tuaj, rrethin tuaj shoqëror, shtëpinë, tryezën e bukës, dollapin e fëmijëve e të moshuarve, gjashtë vjet pasi Saliu ka hyrë në zyrë.

Aty ku kishte plehra a ka vallë më pak plehra?

Aty ku kishte korrupsion a ka vallë më shumë ndershmëri?

Aty ku kishte varfëri a ka vallë më shumë mirëqenie?

Aty ku kishte papunësi a ka vallë më shumë punë?

Aty ku kishte probleme me lirinë e drejtësinë a ka vallë më shumë liri e drejtësi?

Aty ku kishte pak shpresë a ka vallë më shumë shpresë?

Ata kanë sjellë më shumë padrejtësi, më shumë trembje sociale dhe më shumë borxhe. Saliu flet përditë me vete rrugë, rrugë, rrugë, po për ato rrugë e ka çuar borxhin në nivele kërcënuese dhe ka bërë investime pa studime të plota e pa standarde europiane. Me shumë korrupsion dhe me pak siguri. 4 herë më pak makina kemi se në BE, 4 herë më shumë vriten njerëz rrugëve të rindërtuara me borxhe sepse nuk ka standarde europiane në rrugë. Të gjithë shqiptarët kanë patur mundësi ta kapërcejnë kufirin, kanë pasur mundësi të ecin në rrugët e fqinjëve, në rrugët e Europës, a ngjanë me rrugët rrugë rrugë rrugë të Saliut, përveç një segment të rrugës së Kombit që është e vetmja pjesë që i ka standardet europiane. Këtë vit do të shpenzohen 600 milionë dollarë për shërbimin e borxhit publik, dy herë më shumë se 6 vjet më parë. Sot të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se çdo fëmijë që lind ka në kurriz për shkak të kësaj politike një borxh 2450 dollarë. Nuk ndjehen sepse nuk janë lek që njerëzit nuk i kanë dhe jua marrin, por janë lekë që mund ti kishin dhe nuk i kanë. Ndërsa sot pikërisht në vend që të kishte më shumë lek, familja e zakonshme shqiptare paguan borxhin e Saliut 65 dollarë në muaj, baraz me gjysmën e pensionit në qytet dhe më shumë se sa fatura e energjisë elektrike. Programi ynë është një program që e sheh Shqipërinë europiane nga një kënd tjetër. Për ne sot, sigurisht janë rindërtuar, janë reabilituar, janë riasfaltuar rrugë por siç e thashë janë larg standardeve europiane. Asnjë hap përpara në shfrytëzimin e pozicionit tonë strategjik gjeografik, e kemi detin akoma të kyçur nga politika qorre. është bërë si govatë ku noton vetëm Saliu. Nuk ka asnjë aktivitet. Ndërkohë që programi ynë i ri e zgjon detin dhe për rilindjen shqiptare që duam është e domosdoshme të ndërtohet të paktën të paktën një port i ri, e ne synojmë të ndërtojmë portin e ri të Shëngjinit, që për nga pozicioni gjeografik dhe për nga karakteristikat që ka mund të jetë një nga vendet më strategjike në Mesdhe. E po ashtu të zgjerojmë e modernizojmë me patjetër portin e Vlorës.

Kur ne themi se në Shqipëri ka 1 milionë të papunë Saliu hidhet përpjetë. E patë shpjegimin me shifra, shifrat zyrtare, po e vërteta është se nëse në vitin 2000 për çdo 100 vetë punonin 60, sot vetëm 52 shqiptarë në 100 janë në punë. Pra punojnë 8 vetë më pak. Gjysma e grave dhe të rinjve janë gjithashtu papunë.

Filozofia e Saliut ka marrë fund. Pushtetit të tij i ka rënë gjithë kallaji. Dështimi i tij është i qartë.

Ai duhet të ikë një orë e më parë. Partia e tij e marrë peng duhet të largohet një orë e më parë nga qeverisja. Qeveria duhet t’u rikthehet në dorë shqiptarëve. Për të rinisur punën si një komb, si një bashkësi, si një komunitet që duhet të punojë së bashku për të mundësuar suksesin e çdo individi. Pas gjashtë vjetësh është e qartë se shqiptarët jo vetëm taksohen padrejtësisht, po paratë e mbledhura nga taksat e tyre shpërdorohen paturpësisht. Ne s’e kemi problemin tek taksat që duhen paguar për arsimin, shëndetësinë, policinë. Ne e kemi problemin që me taksat e tyre shqiptarët po paguajnë për përditë e më shumë papunësi, korrupsion, plehra.

Në vend që të ulim taksat për të pasurit, në duam të ulim papunësinë, varfërinë, korrupsionin, ndotjen, borxhet.

Dhe të pasurve u themi:

Merrni shembull nga të pasurit e mençur të Amerikës, Gjermanisë, Francës, që u kërkojnë qeverive të tyre rritje të progresionit të taksimit. Janë gati të paguajnë më shumë që shteti të investojë më shumë, që shoqëria të ndjehet më mirë, që njerëzit të konsumojnë më shumë dhe për pasojë ata vetë të fitojnë më shumë.

Ne duam të hapim 300 vende të reja pune brenda një mandati qeverisës. 75 mijë çdo vit. Papunësia masive nuk shkon bashkë me një shoqëri të qytetëruar, janë dy drejtime krejt të kundërta. Atyre që hidhen përpjetë njësoj si Saliu, megjithëse janë kësaj e jo asaj ane, u them merreni më qetë. Ne e dimë çfarë flasim dhe çfarë duam të bëjmë, po ju a e dini se sot vetëm në fshat ka 500 mijë njerëz që qeveria i konsideron të vetëpunësuar, po në fakt janë të papunë apo të çerekpunësuar?

Nëse e dini, atëherë lexojeni më vëmendje programin tonë.

E kemi ndarë mendjen top:

Do ta rilindim fshatin shqiptar. Dhe vetëm në fshat do krijojmë një pjesë shumë të konsiderueshme të 300 mijë vendeve tona të reja të punës. Sot Shqipëria eksporton 9 herë më pak seç sa sjellë nga jashtë për të ngrënë. Kjo është e papranueshme për një vend si Shqipëria me këto resurse dhe me këto mundësi. Ne do të hyjmë fort në zemrën e problemeve të fshatit. Do të krijojmë kushte lehtësues për format e reja të organizmit në bujqësi. Nuk do ta prekim taksën 20% të prodhimeve të fushës. Do krijojmë kushte lehtësuese për format e reja të organizimit të punës në bujqësi. Dhe do mbështesim fuqishëm arsimin profesional për punët e tokës. E do të promovojmë historitë e suksesit. Ka histori suksesi në Shqipëri. Jo vetëm për kritikët e nxituar, por për nder të gjithë njerëzve të mirë të punës së ndershme, të të gjithë talenteve e potencialeve njerëzore të këtij vendi, dua t’ju bëj një surprizë të vogël. Dua t’ju lexoj një copëz nga libri im që del javën e ardhshme. Sepse më ndihmon të ilustroj më së miri temën për të cilën po flasim. Personazhi është real. Gjendet këtu në sallë. Edhe historia e tij është reale. Gjendet e shkruar mbi një copë tokë të begatuar të Shqipërisë. Copëza ime është kjo: Këtë ëndërr e kam parë me sytë e mi të jetësohet me ecuri të mahnitshme edhe në një copëz të vogël Shqipërie që jeton në fshat, tutje poshtë, matanë kanalit magjik buzë Parkut Kombëtar të Butrintit, në një enklavë të papunësisë zero, të moslejimit të asnjë ndërtimi pa leje në mes të tokave të bukës, me ujë të pijshëm njëzetekatër orë në çdo shtëpi, me rrugë fshati të shtruara për bukuri, 70% nga të ardhurat e vetë komunës e 30% nga subvencionet e vetë fermerëve, ku drejton prej katër mandatesh një shqiptar i mençur, Dhimo Kote, prej kohësh mësuesi im i admiruar i punëve të fshatit, kthyer ndër të parët në djerrinat e Xarrës së braktisur nga krahët e punës pas konvulsioneve shkatërruese të të mbjellave në trazirat e fillimviteve ’90, bashkë me vëllezërit katër vjet argat në arat e fqinjëve të jugut i cili, nën shpotitjet e fshatit që e quante të çmendur pse u kthye, iu qep me krahë e thonj utopisë së tij për të rimbjellë e rilulëzuar njësoj si në kohën e komunizmit vendlindjen, po me ndryshimin themelor të vendosjes së lirisë e jo të skllavërisë në rrënjët e fidanëve që sot janë bërë shembulli përlotës i asaj çka mund të jetë e gjithë Shqipëria rurale, e punësuar e tëra prej vërteti, ku liria punon fort e paguan mirë, ku fshatarët ushqehen shëndetshëm e shkollojnë fëmijët pa sikletet e tmerrshme të dhjetëramijëra sivëllezërve të tyre nëpër zonat rurale të Shqipërisë, ku prodhimi eksportohet në Europë e shtohet vit pas viti, për shembull para ca vitesh u arrit të prodhohen 30 mijë ton bostan, barabar me sasinë e bostanit prodhuar në vit në tërë Shqipërisë komuniste, e përveçse në vend e në Kosovë u eksportuan në Maqedoni, Kroaci, Itali, Holandë, Poloni e gjetkë akoma. Në Xarrën e Dhimos, që kur punët treguan se s’ishte i çmendur po gjenial bashkëfshatarët e morën hopa dhe e futën në zyrën e kryekomunarit, prej vitesh ka më shumë punë se ç’mund të përballojë komuna me 8 mijë frymë, kështu që janë hapur edhe 250 vende pune për familje nga të tjera zona të vendit dhe punëtori paguhet në kohë të zakonshme 15 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërsa kur vijnë ditët intensive të vjeljes së prodhimit rroga minimale është 20 mijë lekë në ditë. Komuna mbledh plotësisht taksën e tokës si askund tjetër në Shqipëri, madje edhe të tokës së marrë me qira nga shteti, ndërkohë që qeveria s’i le komunës as qiranë po e thith në Tiranë për arkën e saj, dhe e fut bashkë me paratë e tjera të popullit në rrugën pa rrugë të punëve të veta, ashtu siç nuk ia kalon Xarrës kullotat që i takojnë si të gjitha komunave që i kanë marrë ato në administrim, madje për arsyet e mosarsyes partiake ia ka kaluar një komune fqinj edhe një pjesë të kullotave të Xarrës.

Në s’u beson fjalëve të mia për këtë copëz në realizim Shqipërie Europiane e ke atje ku të tregova, kam parë edhe të tjerë që më shikonin mua si të çmendur kur u tregoja “çmendurinë” e Dhimo Kotes, po kush ndër ta ka marrë mundimin të shkojë e të bredhë mes fushave të qëndisura për merak me ullinjtë e agrumet që shtohen vit pas viti e ujiten në çdo rrënjë me sistem të centralizuar, duke sjellë begati për pesë fshatrat e Xarrës që përmirësohet e mirëmbahet çdo vit në infrastrukturë e shërbime nga qeverisja e komunës, si askund në Shqipërinë rurale, është kthyer i mrekulluar. Më e fundit drejtorja rajonale e Bankës Botërore, e cila më tha “Xarra ishte mbresëlënëse, aty shihje vërtet se si mund të bëhet europian fshati shqiptar”. Ky kongres për një rilindje shqiptare që do miratojë sot një program aspak të lehtë me angazhimin e hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës, kryesisht në fshat, i detyrohet një duartrokitje Dhimo Kotes. Sa shumë talent shkon dëm në Shqipëri. Sa shumë potencial njerëzor mbetet i pazhvilluar. Sa shumë mund të bëjmë ne shqiptarët po të ndërtojmë besimin tek puna e përbashkët. Besimin tek vlerat që ka shoqëria në jetën e individit. Solidaritet. Bashkëpunim. Partnership. Ky është socializmi ynë europian. Socializmi i Dhimo Kotes. Botëkuptimi që individi bën më të mirën në një komunitet të denjë njerëzish me parime e standarde dhe qëllime e vlera të përbashkëta.

E për ta thënë me fjalët e Toni Blerit: Ne socialistët jemi partia e individit sepse jemi partia e komunitetit.

Shpirtin dhe frymën e komunitetit duam ta kultivojmë me një plan të veçantë që në shkollë. Edukimi për ne është politika më e mirë ekonomike. Më shumë se për çdo gjë ne kemi nevojë të arsimojmë, edukojmë, të trajnojmë njerëzit tanë. Edukimi do jetë pasioni i qeverisë sonë. Im bir tanimë është në shkollën e lartë dhe si gjithë bashkëmoshatarët e tij, 20 vjeçarët e lindur në momentin e ndryshimit, edukimi i tij kaloi nëpër shkolla të rrëgjuara moralisht, me disiplinë mizerabël, standarde të ulëta, pritshmëri mediokre e mësues të varfër. Ne s’do të tolerojmë që ky të jetë rrugëtimi me edukim për vite të tjera i fëmijëve të sotëm të Shqipërisë që po troket në dyert e Bashkimit Europian. Çorodia në shkollë duhet të marrë fund. Ne do ta dyfishojmë buxhetin e arsimit. Me çdo sakrificë e shtrëngesë të nevojshme. Do ta çojmë 5%. Më kujtohen gjithnjë fjalët e një plaku të moçëm në Kalanë e Dodës: Unë kam një kurs kundër analfabetizmit tha, kurse nipi im ka gjithë ato klasë shkollë me dhjeta, po emrin e shkruj unë më mirë se ai! Dhe e di pse, sepse qeveria nuk investon për shkollën, po kënaqet vetëm që i mban fëmijët mbledhur nëpër shkolla. Nuk investon se arsimi s’ka duk për me marrë vota, është si pemë që do shumë hyzmet e kohë me u rrit dhe dhanë kokrra. Ne e dimë këtë. Po ne nuk do të investojmë në arsim për të marrë vota, po për një rilindje shqiptare.

Një ndryshim rrënjësor duam edhe për shëndetësinë. Që do të thotë se 1 milion shqiptarë që sot janë jashtë sistemit shëndetësor sepse janë të pasiguruar, ngaqë nuk kanë punë. Madje kur shkojnë në dyer e spitalit, duhet të paguajnë tarifa të cilat Saliu i ka rritur 5 herë. Në kemi projektuar një skemë radikalisht ndryshe. Për t’i shërbyer falas të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të sigurohen sepse nuk e kanë një punë. Në bazë të programit tonë do të jemi shumë radikalë në ndryshimin e marrëdhënieve me mjedisin për një rilindje shqiptare që nuk mund të bëhet realitet në rast se nuk ndryshojmë katërcipërisht raportin tonë me mjedisin. Moratoriumin mbi detin do ta heqim dhe do ta vendosim për një afat të pacaktuar moratorium mbi lumenjtë e pyjet. Do të rishikojmë të gjitha praktikat koncesionare si akte në dëm të publikut e të natyrës dhe do të anulojmë çdo koncesion që ka shkelur afatet ligjore. Kjo nuk do të thotë që ne jemi kundër koncesioneve. Përkundrazi partneriteti publik privat zë një vend të rëndësishëm në programin tonë. Edhe koncesionet ne i shohim përmes garës, përmes konkurrencës, përmes transparencës, jo përmes propozimeve të pakërkuara, të cilat në fakt shkojnë në tryezën e qeverisë me kërkesë të oborrit të shtëpisë. Bukuria është aseti më i rëndësishëm që ka Shqipëria. Mbi bukurinë do të investojmë për zhvillim turistik të Shqipërisë, e cila nuk mund ta zhvillojë turizmin me afatgjatë nëse i jepet projekteve destruktive të industrializimit primitiv.

Votimin e parë shumica jonë në parlament do ta bëjmë për anulimin e ligjit antikombëtar të importit të plehrave. Do të jemi shumë të ashpër me krimin dhe me shkaqet e krimit. Në programin tonë ne angazhohemi publikisht që t’i japim nesër Shqipërisë një Polici Shteti në shërbim të qytetarit. Një Polici Shteti që mbulon të gjithë gamën e problemeve rendit e të sigurisë publike. Mbron jetën dhe pronën shtetërore dhe private. Duke i dhënë fund çorodisë dhe larmisë të gjitha atyre policisë dhe uniformave që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri, secila për të shqyer copën e vet.

Të dashur delegatë,

Le ta votojmë sot këtë program, e gjithë Shqipëria i ka sytë sot nga ne. të gjithë shqiptarët që kërkojnë një ndryshim dhe duan rrugëdalje. Sot kërkojnë të dinë atë që ne jemi dhe atë që ne duam të bëjmë. Premtimi ynë solemn sot përpara tyre ndaj njëri tjetrit duhet të jem të fokusohemi që të gjithë bashkë tek e ardhmja duke u fokusuar tek diskutimi i programit në çdo organizatë e në çdo komunitet. Politika s’mundet të vazhdojë më kështu. Qeverisja s’mundet të vazhdojë më kështu. Shqipëria s’mundet të vazhdojë më kështu. Le t’u tregojmë me pasion e durim shqiptarëve jo vetëm për çfarë ne jemi kundër, po çfarë duam të bëjmë bashkë me ta.

Për një politikë të re. Për një qeverisje të re. Për një Shqipëri të re.

Për një rilindje shqiptare.

* Fjala e kreut socialist në Kongres

KOMENTE