English

Intelektualëve, që na akuzuan për mashtrim

...Jemi akuzuar për mashtrim. I themi këtyre intelektualëve të nderuar: S’ju kishim dëgjuar ta bënit këtë akuzë për Saliun në 6 vjet. E bëtë vetëm 6 orë pasi u shpalos programi ynë. Jeni gabim dy herë...

Nga Mimi Kodheli

Varfëria s’është as fatkeqësi individuale, as faji i të varfërit.

Varfëria është keqqeverisje.

Programi i Partisë Socialiste është projekti ynë kundër varfërisë. Është vetëdija jonë sociale. Është angazhimi ynë qytetar. Është ambicia jonë për një Rilindje Shqiptare. Politika jonë e re fiskale është dallimi ynë thelbësor me keqqeverisësit e sotëm.

Ata marrin 20% taksë për çdo kafshatë bukë. Ne do ta heqim taksën e bukës.

Ata marrin 20% taksë për çdo gotë qumësht. Ne do ta heqim taksën e qumështit.

Ata marrin 20% taksë për çdo kokërr vezë. Ne do ta heqim taksën e vezës.

Ata marrin 10% taksë për çdo aspirinë. Ne do ta heqim taksën e ilaçeve.

Ne nuk mund ta pranojmë një Shqipëri ku taksohen njësoj edhe të varfërit edhe të pasurit. Edhe infermierja edhe kryeministri. Edhe mësuesi edhe biznesmeni. Për ne taksa e sheshtë, barra fiskale për të gjithë njëlloj, është abuzim me më të dobëtit dhe nënshtrim ndaj më të fortëve. Ne jemi kundër taksës së sheshtë. Ne do të vendosim taksimin progresiv. Ne duam një Shqipëri ku kush fiton më pak të taksohet më pak dhe kush fiton më shumë të taksohet më shumë.

Ne do ulim taksat për 95% të shqiptarëve. Të cilët do paguajnë më pak dhe do blejnë më shumë. Por edhe 5% e shqiptarëve, të cilët kanë më shumë se 50% të pasurisë së Shqipërisë, do të jetojnë më mirë me programin tonë. Sepse vërtet do të paguajnë më shumë për shoqërinë, por nuk do të kenë më në kurriz sistemin e referencave; nuk do të shkelen më në pronë e në dinjitet me gjoba mafioze; nuk do të pengohen më të konkurojnë nga klientët e pushtetit. Ne do t’u japim qytetarëve të zakonshëm drejtësi që kërkojnë dhe biznesmenëve lirinë që u mungon.

Gjysma e të rinjve dhe grave shqiptare janë të papunë. Kjo është e papranueshme.

E turpshme për ata që qeverisin. E padurueshme për ata që paguajnë faturën e papunësisë. Ne do krijojmë 75 mijë vende të reja pune për çdo vit të mandatit tonë të parë qeverisës. 300 mijë vende të reja pune në 4 vjet.

Jemi akuzuar për mashtrim. I themi këtyre intelektualëve të nderuar: S’ju kishim dëgjuar ta bënit këtë akuzë për Saliun në 6 vjet. E bëtë vetëm 6 orë pasi u shpalos programi ynë.

Jeni gabim dy herë.

Së pari sepse nuk akuzohen për mashtrim burra e gra të familjes suaj politike, të cilët kanë vënë dijet dhe fytyrën e tyre në një punë të gjatë e të mirëmenduar intelektuale. Së dyti sepse ne e dimë mirë çfarë flasim dhe e dimë konkretisht se ku do t’i gjejmë vendet e punës.

Fshati do të jetë fronti prioritar i punës sonë për rimëkëmbjen e Shqipërisë përmes punës. Për rilindjen e prodhimit cilësor dhe të besimit tek toka, uji, dielli e krahu i punës së këtij vendi. Për kthimin e 500 mijë shqiptarëve që jetojnë në fshat nga të papunë a të çerekpunësuar, në burimin më të fuqishëm njerëzor të politikës sonë të re të punësimit.

Po! Ne do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune për katër vjet. Ky është një angazhim solemn.

Shqipëria është një vend pa treg të lirë, po me një pazar ku ligjin e bëjnë klientët e pushtetit. Monopoli dhe karteli, nepotizmi dhe korrupsioni nuk janë zgjedhje të sipërmarrësve shqiptarë, po fakte të kryera të pushtetarëve shqiptarë. Programi ynë është liri e garantuar për gjithë sipërmarrjen dhe sukses i bazuar mbi konkurrencë të ndershme për çdo biznesmen. Çmontimi i monopoleve të grurit, sheqerit, orizit, vajit, barnave dhe karburanteve, do të ndodhë menjëherë. Menjëherë do të bëhet transparente edhe çdo garë e financim publik. Mbështetja jonë për sipërmarrjen vendase do të jetë shembullore. Paprekshmëria e lirisë së sipërmarrjes dhe e të drejtave të sipërmarrësve do të jetë kyçi i ndryshimit që do të sjellim në ekonomi.

Për një rilindje shqiptare s’mund të ketë ish-pronarë, po vetëm pronarë legjitimë.

Ne do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e pronës.

Programi ynë ka një përgjigje të qartë për pronarët. Ka një përgjigje të qartë për fermerët që punojnë tokën pa çertifikatë. Ka një përgjigje të qartë edhe për familjet që jetojnë në shtëpi të palegalizuara. Në fund të mandatit tonë të parë të dyja palët s’do ta kenë më problemin e tyre tërkuzë prej njëzet vjetësh. Me kthimin e kompensimin e drejtë të pronave, me çertifikimin e plotë të tokës bujqësore, me përfundimin e proçesit të legalizimit, ne do ta bëjmë tokën pasuri të qarkullueshme në treg. Shqipëria është vendi me infrastrukturën më të dobët dhe më të pasigurtë në Europë.

Kemi 4 herë më pak makina se në Europë dhe në rrugët tona vdesin 4 herë më shumë njerëz se në Europë. Këto janë rrugët që ndërtohen me borxhet që Saliu i merr për fushatat e tij elektorale, ndërsa shqiptarët i paguajnë me të ardhmen e lënë peng e fatkeqësisht edhe me jetën e lënë në rrugë.

Ne kemi një vizion tjetër.

Programi ynë ka rrugë të qarta për zhilllimin e rrjetit detar, rrugor dhe hekurudhor. Shqipëria pa prodhim bujqësor cilësor, pa turizëm të bazuar në bukuritë e trashëgiminë e saj kulturore dhe historike, si edhe pa porte për t’u lidhur me Europën e për t’u bërë njëkohësisht një ndër pikëlidhjet e Europës përmes Mesdheut, nuk mund të rilindë si vendi ku çdo fëmijë të ketë një të ardhme.

Hartimi dhe miratimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë dhe Masterplanit Kombëtar për zhvillimin e turizmit është një angazhim programatik për të cilin kemi filluar punën qysh tani në opozitë. Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur. Sepse shqiptarët s’kanë kohë për të pritur. Sepse ne s’kemi të drejtën e shpenzimit të kohës shqiptare ashtu si në këta njëzet vjet.

Dhe së fundi për ta mbyllur me pikën mbi “i” të programit tonë ekonomik:

Ne e përbuzim politikën e turpshme, cinike e tallëse të Saliut që thotë se Shqipëria qenka i vetmi vend në botë i paprekur nga kriza globale financiare. Kjo qasje e papërgjegjshme e ka thelluar edhe më keqaz krizën e modelit ekonomik të rritjes pa punësim, pa prodhim, pa drejtësi sociale.

Shqipërisë i nevojitet një model i ri ekonomik.

Rritje e qëndrueshme ekonomike me vende të reja pune. Ky është modeli ynë.

Rruga e ndërtimit të këtij modeli kalon reformimi i thellë strukturor i ekonomisë. Nga një ekonomi e bazuar vetëm tek konsumi i mallrave që nuk prodhohen në vend, tek emigracioni dhe informaliteti i lartë, ne do të kalojmë në një ekonomi moderne e produktive që bazohet tek puna, puna, puna.

Me ne Shqipëria do rilindë përmes punës. Do punojë më shumë. Do prodhojë më shumë. Do fitojë më shumë. Do ketë më shumë para për të edukuar fëmijët, kuruar të sëmurët, ndihmuar bashkëqytetarët në nevojë.

Kjo është ekonomia që duam. Kjo është Partia Socialiste. Këta jemi ne. Le ta kthejmë së bashku me shqiptarët, derë më derë, e dorëdorë, këtë program bazë vlerash, parimesh e prioritetesh për Shqipërinë që duam, në një program qeverisës për një Rilindje Shqiptare.

*Fjala e deputetes socialiste Mimi Kodheli në Kongresin e PS

KOMENTE