English

Kongresi i PS, PD: Edi Rama si heroi i punës socialiste

Tiranë, 5 nëntor 201, NOA/ Irma Toptani – Partia Demokratike e cilësoi programin e ri të lidershipit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të përditësuar gjatë fjalimit të tij në Kongresin e sotëm të PS-së, një terapi grupi dhe trillin e një premiere të re shqiptare, “Reality Show”.

Në një dalje të fundit nga selia blu, deputeti demokrat Gerti Bogdani theksoi se Edi Rama artikuloi dështimet e tij duke vendosur një rekord të ri, që ia kalon edhe liderëve të njohur social-komunistë të Amerikës Latine, Fidel Kastros e Hugo Chavez.

PD akuzoi liderin e PS-së se me trillin e tij, synon të rilindë Shqipërinë duke rikthyer sistemin socialist.

“Në këtë trill zoti Berisha ndërton rrugë vetëm për vehten e tij, edhe pse zoti Rama shkel në të njëjtat rrugë për të shkuar në pronat e tij në Qeparo, në breg të detit apo në klimën malore të Dardhës. Në këtë trill, djali i Z. Rama udhëton për të studiuar në Paris si shpërblim për arsimimin e dobët të përftuar në institucionet e shkatërruara, sipas tij, të arsimit në Shqipëri. Në këtë trill, Z.Rama ëndërron, që problemet t’i zgjidhë retorika boshe dhe jo puna e palodhur”, deklaroi deputeti demokrat.

Sipas PD-së, me këtë trill, Edi Rama kërkon të promovojë dështimin, duke theksuar se ndëshkimi i suksesit, do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik.

“Në këtë trill, një plan i konsideruar, i dështuar, nga i gjithë komuniteti i biznesit, papritur ndihmon pikërisht këta të fundit. Në këtë trill, numërimi i çdo vote dhe dëgjimi i zërit të çdo qytetari nënkupton grabitjen e votës së lirë. Në këtë trill, heroi i punës socialiste, Dinë Hyka, rishfaqet si me magji dhe krijon 300 mijë vende pune”, tha Bogdani.

Ai nënvizoi se kryesocialisti Rama me trillin e tij synon që, keqmenaxhimin financiar të Bashkisë së Tiranës për 11 vite ta përkthejë si një aftësi për të mirëmenaxhuar borxhin publik.

PD, përmes deputetit Bogdani, bëri me dije, se e mira e Shqipërisë dhe shqiptarëve, do të ishte, që ky reality show i parë sot në Kongresin socialist, të mos jetë Live gjatë gjithë sezonit.

Bogdani nënvizoi se, sot lidershipi socialist Edi Rama krijoi ndasi midis shqiptarëve, duke vendosur një pjesë kundër pjesës tjetër, ndërkohë, që garantoi se PD, është e vendosur të punojë njësoj si më parë.

“Sot, Edi Rama nuk përmendi të vetmin akt, që ai mund të ndërmarrë për të ndihmuar shqiptarët, votimin e ligjeve me 3/5 të cilat ai i ka bllokuar. Këto ligje mbështeten plotësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe do të japin një ndihmesë të madhe në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe çdo aktiviteti tjetër që do përmirësonte jetën e qytetarëve. Partia Demokratike beson se jo retorika boshe, por puna e palodhur përmirëson jetën e qytetarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik, ndërtimit të rrugëve dhe shkollave si dhe afrimit të vendit me Bashkimin Europian”, argumentoi deputeti demokrat, duke nënvizuar se retorika e Edi Ramës nuk ka asnjë vlerë për rrugëtimin e Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE