English

Studimi: Votuesit ndikohen nga gjatësia e kandidatit për president

E dielë, 6 nëntor 2011, NOA - Me afrimin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, amerikanët do të analizojnë më me vëmendje pikëpamjet e kandidatëve. Në Shtetet e Bashkuara, votuesit i kushtojnë vëmendje edhe jetës personale të kandidatit si një ndër faktorët seleksionues. Por, një studim i ri arrin në përfundimin se votuesit mund të ndikohen në zgjedhjen e tyre edhe nga tipare fizike të kandidatit, të shtyrë nga një instinkt i trashëguar nga e kaluara e largët e njerëzimit:

Sot, kur bëhet fjalë për preferencat e votuesve, qëndrimi i kandidatit ndaj çështjeve kryesore ka rëndësi. Por, ka njerëz që zgjedhin kandidatin e tyre thjesht bazuar në tipare fizike të tij.

Studiuesit në Universitetin Texas Tech University kanë dalë me idenë se një ndër faktorët është gjatësia e kandidatit, që ndoshta e ka zanafillën tek instiktet tona të lindura që në kohët parahistorike. Këto përfundime u botuan në revistën Social Science Quarterly nga profesori i shkencave politike Greg Murray dhe studenti i tij pasuniversitar David Schmitz.

"Frika thuajse e përgjithshme që njerëzit kanë nga gjarpërinjt dhe preferenca për ushqime jo të shëndetshme, me përmbajtje të lartë yndyre ka të ngjarë ta kenë zanafillën nga koha kur gjarpërinjt paraqisnin një kërcënim të përditshëm dhe kur kishte mungesa të shumta ushqimore,” thotë profesori Murray. “Besojmë se prirje të tilla ekzistojnë edhe në politikë”.

Autorët sjellin si shembull udhëheqësit shtatlartë të shumë shoqërive të lashta, si dhe ndikimin që ka forca fizike në botën e kafshëve. Ata shtojnë se kandidatët më të gjatë kanë fituar 58 për qind të zgjedhjeve nga viti 1789-2008.

Autorët pyetën 467 studentë të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit të vizatonin një figurë që përfaqësonte konceptin e “qytetarit të zakonshëm” dhe një tjetër për “udhëheqësin ideal kombëtar” para se t’u kërkohej që t’i vizatonin këto figura së bashku në të njëjtën fletë. 64 për qind e studentëve vizatuan figurën udhëheqëse më shtatlartë se qytetarin.

Studiuesit më pas u kërkuan studentëve të vlerësonin veten si udhëheqës dhe kandidatë të mundshëm. Rezultatet treguan një lidhje të fortë statistikore mes gjatësisë trupore dhe vlerësimit që studentët i jepnin vetes si udhëheqës.

Një fakt interesant si për shkencën e antropologjisë, ashtu edhe për prirjet politike të vendit.

Barak Obama, me gjatësi 1 metër e 85 centimetra, ishte goxha më i gjatë se rivali i tij, republikani Xhon Mekein në zgjedhjet e vitit 2008. Por së paku dy nga rivalët e mundshëm të zotit Obama për zgjedhjet e ardhshme, ish-guvernatorët Rik Peri dhe Mit Romni janë aq të gjatë ose edhe më të gjatë se presidenti.

a.q/NOA/VOA

KOMENTE