English

Berisha, Marksi dhe pasunarët shqiptarë

Nga Eduard Zaloshnja

Në thelb të teorisë së revolucionit komunist të Marksit qëndronte parashikimi se kapitalistët, të udhëhequr nga dëshira për të maksimizuar fitimet e tyre, do ta varfëronin aq shumë proletariatin, saqë atij nuk do t’i mbetej alternativë tjetër veç shkatërrimit të sistemit kapitalist nëpërmjet revolucionit. Siç tregoi historia, ky parashikim i Marksit doli i gabuar. Kapitalistët, ku më shpejt e ku më vonë, e kuptuan se shfrytëzimi maksimal i punëtorëve, ndërkohë që ishte i frytshëm në afate të shkurtra, mund të kthehej në një mekanizëm vetëshkatërrues në afate të gjata. Si rezultat i këtij ndërgjegjësimi, kapitalistët në vendet e industrializuara u bënë gjithnjë e më të përgjegjshëm për mirëqenien e punëtorëve, si dhe më mikpritës ndaj kërkesave të sindikatave dhe partive politike të afërta me to. Ky evolucion i mënyrës sesi ata e trajtuan klasën punëtore ka bërë që sot, një shekull e gjysmë pasi u propozua nga Marksi, revolucioni komunist të futet përfundimisht në qivurin e historisë në këto vende. Por jo në vende të tjera. Në Amerikën Jugore dhe Azinë Juglindore ka grupe që teorinë marksiste të revolucionit, të modifikuar në shekullin e 20-të nga Lenini dhe Mao, ende e konsiderojnë si biblën e tyre. Dhe këto grupe kanë mbështetje jo të paktë nga shtresat e varfra, të cilat vazhdojnë të varfërohen nga shfrytëzimi makut i shtresave të pasura. Më gjerë në botë, rreziku i virusit komunist, sado i vogël sot për sot, mbetet gjithnjë ekzistent në ato vende ku shtresat e pasura nuk kanë nxënë nga eksperienca e vendeve të zhvilluara. Fatkeqësisht, në këtë grup vendesh futet edhe Shqipëria. Pavarësisht se shqiptarët kanë kaluar tashmë një formë të rëndë të sëmundjes që shkakton virusi komunist, nuk mund të quhen të imunizuar ndaj tij për aq kohë sa të pasurit synojnë maksimizimin e fitimeve personale në kurriz të varfërimit të mëtejshëm të bashkështetasve të tyre. Rritja e elektoratit të partive të vogla komuniste në zgjedhjet e fundit, sado e paktë në magnitudë, është një tregues i aftësisë që ka virusi komunist për të penetruar te njerëzit që nuk shohin dritë në fund të tunelit. Që një revolucioni të tipit komunist t’i vihet përfundimisht kapaku i qivurit në Shqipëri, duhet që shtresa e re e pasunarëve të ndërgjegjësohet se përmirësimi i jetesës së shtresave të varfra është, në fund të fundit, edhe në të mirën e saj. Deri më sot, kjo shtresë, e cila ose është pjesë e klasës politike, ose është e lidhur ngushtë me të, ka treguar një dritëshkurtësi që mund të ketë pasoja katastrofike në dekadat që vijnë. Kështu, politikanët që janë bërë kapitalistë, ose kapitalistët që janë bërë politikanë apo kanë lidhje të ngushta me politikanët, mendojnë si e si të maksimizojnë të ardhurat personale, qoftë edhe në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që nuk kujtohen të shohin ç’bëhet poshtë tyre. Për shembull, ata nuk kujtohen të shohin se listat e blerjes së bukës veresie nga të varfrit rriten çdo ditë; nuk kujtohen të shohin se të varfrit nuk kanë me çfarë të ngrohen dhe të ndriçohen; nuk kujtohen të shohin se në ç’shkolla shkojnë fëmijët e të varfërve; nuk kujtohen të shohin se sa katastrofik është për të varfrit një shtrim në spital; nuk kujtohen të shohin se shumë vajza shqiptare shtrëngohen të prostituohen nga varfëria; nuk kujtohen të shohin se… Partia Socialiste duket se po i vë në qendër të programit të saj pikërisht problemet e mësipërme. Dhe çfarë përgjigje ka marrë deri më sot nga Berisha? Ai e ka quajtur atë marksiste! Ndërkohë, programi i PS-së, duke u munduar të adresojë hallet e të varfërve në një ekonomi tregu (siç bënë partitë social-demokrate europiane në fillim të shekullit të kaluar), synon ta bëjë të pamundur pikërisht revolucionin komunist që ëndërronte Marksi…

Gazeta "Mapo"

KOMENTE