Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nga mund të fillojë diskutimi rreth programit të PS-së?
English

Nga mund të fillojë diskutimi rreth programit të PS-së?

Nga Arian Vasjari

Zoti Rama e tha vetë: “...programi i paraqitur në Kongres nuk është fjala e fundit, por hapi i parë drejt rrugës së re...”. Si i tillë, ai ka lënë të hapur jo vetëm marzhin e gabimeve por edhe shtegun publik të pjesëmarrjes në korrektimin e tyre. Meqenëse koha për të konspektuar detajet e programit pret, është me vend një vështrim makro që, më shumë se germën e tekstit, synon të prekë frymën e tij. E cila, për nder të së vërtetës, në disa aspekte duhet rikonceptuar.

Për shembull: programi i paraqitur u investua, thuajse, si një platformë elektorale, ndërkohë që nuk mund të jetë i tillë. Ai duhet dhe mund të jetë vetëm një program politik. Duke qenë dy njësi të ngjashme, por jo të njëjta, ato kanë një morfologji të caktuar që i bën të dallueshme mes tyre. Një program politik është një shtrat teorik parimesh, idesh dhe vizionesh. Një platformë elektorale është një dokument programatik brenda të cilit idetë apo vizionet konvertohen në premtime, projekte, afate dhe shifra. Programi i PS-së nuk duhet ofertuar si elektoral, sepse vetë konteksti nuk ia mundëson këtë gjë. Le të marrim vetëm premtimin libresk të 300 mijë vendeve të punës për të shpjeguar fenomenin. Cila logjikë ekonomike të lejon që një premtim të tillë ta projektosh më 2011 për dy vjet më pas, në vitin elektoral 2013? Nëse sot kostoja për një vend pune është, le të themi, 100 euro, si mund të parashikohet se po kaq do të jetë edhe pas dy vjetësh? A mundet që të ndërtohen kritere të tilla parashikueshmërie në këta terma kohorë, ndërkohë që vetë dinamika e krizës është krejt e paparashikueshme? E gjitha kjo pakujdesi teorike rrezikon ta ballafaqojë PS-në në fushatën elektorale të 2013-s me shifra krejt të tjera për punësimin. Dhe kur elektoratin e ke ushqyer me premtimin e 300 mijë vendeve, një shifër e ndryshme bart kosto politike, sepse interpretohet si gënjeshtër. Pra, programi duhet të përcillet si një vizion i ndryshëm mbi qeverisjen dhe jo si një tabulat numrash elektoralë pa pikën e seriozitetit ekonomik.

Çështje tjetër që duhet rikonceptuar në programin e PS-së është i ashtuquajturi “sindromi i vitit 0”. Sepse, fryma e atij programi vuan nga kjo. Në çdo paragraf të krijohet ideja se më 2013, nëse PS-ja vjen në pushtet, gjithçka do të fillojë nga e para. Në fakt, kështu nuk është, madje nuk ka qenë asnjëherë. Qeveritë, të majtat apo të djathtat, në delirin e tyre politik kanë besuar se Shqipëria fillon me ato. Kjo lojë mizerabël me intelektin e shoqërisë duhet të marrë fund njëherë e mirë. Programi politik i Partisë Socialiste duhet shpëtuar nga kjo sindromë. Sofizmat rreth një “ere të re” duhet t’ia lënë vendin realizmit. Shqipëria e Sali Berishës nuk është Shqipëria që ëndërrojmë, ashtu siç nuk ka qenë ajo e Fatos Nanos dhe është sigurt se nuk do jetë as ajo e Edi Ramës. Por edhe në Shqipërinë e Sali Berishës, edhe në atë të Fatos Nanos, edhe në atë të Edi Ramës diçka është bërë dhe kjo duhet pranuar. Kultura enihil-it mbi gjithçka është provinciale dhe e pabesueshme. Në këtë vështrim, programi politik i PS-së është një deja-vu konceptuale e stërparë. I çliruar nga ky sindrom, ai mund të bëhet një program origjinal, modern dhe i besueshëm.

Dhe në fund, programi duhet shpëtuar nga një lloj anarkie klasiste që tenton t’i shkelë syrin edhe punëtorëve, edhe biznesmenëve, edhe fshatarëve, edhe ish-pronarëve, edhe pronarëve, edhe sindikatave, edhe ish-të përndjekurve. Zor të besohet që interesa kaq ekstreme mund të homologohen me thjeshtësinë më të madhe dhe të bashkëjetojnë brenda së njëjtës ideologji politike. Kjo është e pamundur, përveçse e pasinqertë. Natyrisht, programi ka referencë një të majtë moderne, por gjithsesi të majtë. Që do të thotë ideologjikisht të qartë. Nëse në program me të drejtë kritikohet e djathta se nuk ka zgjidhur çështjen e pronës, kjo ka ndodhur sepse, njësoj si Partia Socialiste në programin e saj, edhe Partia Demokratike ka dashur të jetë edhe me pronarët, edhe me fshatarët. Këtë inkoherencë serioze në koncept, programi i PS-së duhet ta tejkalojë menjëherë.

A mund të fillojë diskutimi rreth programit të PS-së nga çështje të tjera? Mundet. Por me një kusht: të ketë për objekt, së pari, frymën e tij. Teknikalitetet presin të përpunohen edhe më vonë. Thënë troç, më parë duam të sigurohemi rreth idesë mbi “rrugën e re” dhe pastaj sesi ajo do shtrohet.

Gazeta "Mapo"

KOMENTE
  • Name12:18 - 08 Nëntor 2011
    Une besoj se duhet te filloje nga bindja e elektoratit per te dale ne zgjedhje pasi mendoj se tashme jane te zhgenjyer per vete faktin se sido qe te votosh rezultati dihet.Ky eshte mendimi im. Br N