English

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë, rezerva ndaj procesit të Censusit

Tiranë, 9 nëntor, NOA - Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shqipërisë, është mbledhur gjatë datave 8-9 nëntorTiranë, në praninë e të gjithë ipeshkvijve të Shqipërisë dhe Nuncit Apostolik në Shqipëri, Ramiro Moliner Ingles. Lajmi i bërë me dije nga “Radio Vatikani”, bën me dije gjithashtu, se në këtë mbledhje të veçantë, kanë qenë të ftuar edhe dy ipeshkvij të tjerë si vëzhgues, përkatësisht kryeipeshkvi i Tivarit dhe ipeshkvi i Kosovës.

Konkretisht, në Asamblenë e ipeshkvijve të Shqipërisë mësohet se u diskutua mbi Censusin, ku autoritetet e larta katolike bënë me dije se janë vërejtur gjatë procesit të regjistrimit disa probleme si p.sh. nga informacionet e ardhura ka pasur persona që nuk janë regjistruar fare, të tjerë kanë pasur frikë të regjistrohen apo nuk janë përgjigjur.

“Për këtë arsye është menduar që pavarësisht nga rezultati i Censusit duhet edhe ne të bëjmë një proces regjistrimi të familjeve tona në mënyrë që të kemi një perceptim më të saktë të realitetit”, citon “Radio Vatikani”.

Ndërkaq, bëhet me dije se janë diskutuar edhe çështje që kanë të bëjnë me jetën e Kishës katolike në Shqipëri, si edhe diakonati permanent, kremtimi i 50-vjetorit të Koncilit të Dytë të Vatikanit, takimi i ‘Oborrit të Paganëve’ nismë e Këshillit papnor për kulturën që do të zhvillohet më 14 e 15 nëntorTiranë etj. Më tej, Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë kanë diskutuar edhe mbi edicionin e ri të Mesharit Romak (librit liturgjik të Meshës), rreth procesit të kanonizimit të martirëve shqiptarë, si edhe rreth botimit në shqip të katekizmit të Kishës katolike. Gjithnjë në qendër të takimit të ipeshkvijve shqiptarë ishte edhe 1700 vjetori i ediktit të Kostandinit, pastaj letra apostolike ‘Porta Fidei’ me të cilën Papa Benediktit XVI e shpall Vitin e Fesë (tetor 2012 – nëntor 2013); gjithnjë vitin e ardhshëm bie 950 vjetori i dioqezës së Sapës, e 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo asamble plenare e zakonshme e vjeshtës, vjen menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) e cila mbajti punimet e saj në Tiranë nga 29 shtato-2 tetor 2011 mbi temën e Ungjillëzimit të Ri në Evropë. Edhe episkopati shqiptar është i angazhuar në këtë nismë të gjithë Kishës Universale si dhe të Kishës që është në Evropë.

Përsa i përket Koncilit të II të Vatikanit, ipeshkvijtë mendojnë se deri në pranverë të vitit të ardhshëm do të shohin dritën e botimit në gjuhën shqipe dokumentet e këtij Koncili të rëndësishëm kishtar. E gjitha kjo edhe në përputhje me Vitin e Fesë shpallur nga Papa Benedikti XVI me letrën apostolike “Porta fidei”. Në fund, thuhet se në këtë asamble, është menduar të bëhet edhe një kërkesë për nderimin e Gjon Palit II në Shqipëri si i Lumë.

n.e/NOA

KOMENTE