English

Hartuesi i enciklopedisë maqedonase: Shqipëria po na zë territore

Shkup, 10 nëntor 2011, NOA - Hartuesi i “Enciklopedisë Maqedonase”, akademiku Bllazhe Ristevski ka deklaruar se Maqedonia ka problem me shqiptarët dhe bullgarët.

“Ne si vend presionin më të madh e kemi nga Shqiptaria. Ajo po zë territore dhe ky është presioni më serioz. Ky presion duhet patjetër të zgjidhet nga ne. Nuk mund të lejojmë që gradualisht të na zaptohet territori, sepse kemi pastrim etnik edhe sot dhe këto janë probleme serioze”, ka theksuar akademiku Ristevski, në një intervistë për televizionin “Nasha TV” në Shkup.

Ai ka komentuar edhe për figurën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. “Trimëritë që po i tregon zotëriu Ahmeti, po ndodhin tani sepse Parlamenti i fali gjynahet. Derisa nuk ishin të falur ku ishte ai për të folur dhe pse atëherë e mori kallashnikovin”, deklaroi Ristevski.

Si kërcënim tjetër për Maqedoninë ai ka përmendur Bullgarinë dhe planet e saj përmes dhënies së shtetësive për qytetarët maqedonas, për mosnjohjen së kombit dhe gjuhës maqedonase. Ai ka theksuar se politika bullgare sot po punon për të tërhequr qytetarët maqedonas përmes dokumenteve personale.

“Sot qindra qytetarë tanë kanë votuar për zgjedhjet në Bullgari dhe regjistrimin. Kjo do të thotë se nga kjo anë kemi një lloj presioni”, theksoi akademik Bllazhe Ristevski, i njohur si hartuesi dhe kryeredaktori i “Enciklopedisë Maqedonase”, e cila nxiti debate për shtrembërimin e fakteve historike dhe përmbajtjes ofenduese dhe trilluese për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare.

NOA/INA

KOMENTE