Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kritika e cunguar e ambasadorit Dell
English

Kritika e cunguar e ambasadorit Dell

Nga Armand Shkullaku

Deklarat e disa ditëve më parë e ambasadorit amerikan Christopher Dell për papërgjegjshmërinë e klasës politike kosovare, provokoi komente nga më të ndryshmet dhe u vu në krye të lajmeve të ditës. Jo se ishte një lajm i ri apo ndonjë zbulim i papritur; të gjithë këtu e dinë dhe e kanë provuar diçka të tillë. Deklarata e ambasadorit u bë lajm për faktin se u tha pikërisht prej tij dhe u tha në një mënyrë konfuze, pa nxjerrë në dritë thelbin e problemit. Dell tha se politikanët lokalë janë të papërgjegjshëm, por edhe nuk janë, sepse të tillë ata i ka bërë roli i tepruar ekzekutiv i bashkësisë ndërkombëtare. Duke qenë se të huajt kanë qenë aktivë në vendimmarrje, kjo ka bërë që qeveritarët të mos ndiejnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Duket sikur Dell e nis kritikën për politikanët e Kosovës, e papritur e tret atë në vitet e qeverisjes së UNMIK-ut. A ka dashur ai vërtet t’i dërgojë ndonjë mesazh të fortë qeverisë për mënyrën se si po drejton vendin? Vështirë të thuhet, pasi edhe vetë Kryeministri Thaçi tha publikisht se nuk ishte ai adresa e kritikave të ambasadorit, duke provuar kështu se edhe nëse ka pasur ndonjë mesazh ai i ka mbetur i pakuptuar. Ndërsa në kritikën ndaj bashkësisë ndërkombëtare, të cilën në disa raste e ka krahasuar edhe me epokën e Millosheviçit, duke iu referuar dështimeve të UNMIK-ut, Dell ka qenë i qartë sa u takon politikanëve lokalë, përveç etiketimit si të papërgjegjshëm, gjithçka tjetër mjegullohet në gjetjen e shkaqeve tek të huajt që kanë administruar Kosovën. Sigurisht që bashkësia ndërkombëtare ka prodhuar një shkallë të lartë të papërgjegjshmërisë. Modeli i qeverisjes që ofroi UNMIK-u dhe Bashkimi Europian në kuadër të shtyllës së katërt ishte një model i dështuar. Qeverisja e vendit nga autoritete që nuk buronin direkt nga vota e qytetarëve, çoi drejt abuzimit, arrogancës dhe konceptimit të pasurive kombëtare si një mall pa zot. Një shembull dhe praktikë e tillë nuk ha diskutim që, ashtu siç thotë dhe Dell, ka zhvilluar papërgjegjësinë te klasa politike kosovare. E, nëse për këtë të gjithë bien dakord, problemi real nuk qëndron tek origjina e papërgjegjshmërisë që thekson ambasadori, por tek ata që e mbartin sot këtë papërgjegjshmëri në qeverisje dhe tek mënyra se si duhet çrrënjosur ky fenomen. Të flasësh për origjinën do të thotë që në një farë mase të amnistosh mënyrën e papërgjegjshme me të cilën veprohet sot në shumë raste. Kritika e cunguar e ambasadorit Dell e legjitimon modelin qeverisës të klasës politike kosovare. Kjo klasë, relativisht e re, nuk është se nuk ka dashur apo nuk do që të jetë e përgjegjshme përballë interesave të qytetarëve, po qenka bashkësia ndërkombëtare ajo që ia imponon këtë. Me këtë logjikë, qeveria e sotme mund të justifikojë çdo veprim të sajin, madje duke pasur si mbështetje arsyetimin e kryediplomatit amerikan. Është e vërtetë se në shumë drejtime bashkësia ndërkombëtare ka marrë rol dirigjues duke e shkarkuar nga përgjegjësia qeverinë e Kosovës, por kjo nuk ka të bëjë me papërgjegjshmërinë si kulturë politike që ndeshet në mentalitetin e politikanëve kosovarë. Kjo kulturë politike ndoshta do të ishte adresa më e saktë ku duhet t’i dërgonte kritikat e tij ambasadori Dell. Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë, ose të paktën nuk u sjell asnjë dobi, të dëgjojnë se kush dhe si i paska bërë të papërgjegjshëm politikanët e zgjedhur prej tyre. Për ta do të kish qenë më e rëndësishme që një autoritet si ambasadori i SHBA, të reagojë sa herë që politikanët e manifestojnë papërgjegjshmërinë ndaj interesave të tyre. Dhe rastet nuk mungojnë. Që nga premtimet elektorale e deri tek devijimi i vullnetit të zgjedhësve, të gjitha janë përgjegjësi të plota të klasës politike kosovare. Duke dashur të shpjegojë arsyet e papërgjegjshmërisë, ambasadori Dell nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka dhënë një arsye më shumë politikanëve këtu për të qenë të tillë. Në anën tjetër, edhe sikur kjo kritikë të ishte adresuar tamam, ajo vështirë se do të bënte efekt. E thënë nga Christopher Dell se “autoritetet kosovare nuk mund të vendosin nëse dikush nuk i shtyn ta bëjnë këtë”, tingëllon disi me humor. A do të vendosnin ato për të votuar Pacollin nëse në sallë nuk do të ishte vetë ambasadori Dell? Po zonja Jahjaga a do të ishte bërë presidente sikur Thaçi e Mustafa të mos ishin mbyllur për mbi tri orë në Dragodan? Për të mos shtuar këtu qëndrimin e rreptë ndaj kryetarit të Kuvendit që guxoi të refuzojë një kërkesë të EULEX-it apo deklarimet e forta për forca të caktuara politike. Pa dyshim që në të gjitha këto veprime ka qenë interesi i ambasadorit amerikan për të ruajtur stabilitetin dhe ekuilibrat e një shteti që është edhe investim i shtetit të tij, e këtu ai ka vepruar si një diplomat i përgjegjshëm. Por marrja e të tilla përgjegjësive mbi vete, duke mos pasur besim te përfaqësuesit politikë kosovarë, është shfrytëzuar nga këta të fundit për të shkarkuar edhe dhjetëra përgjegjësi të tjera. Nëse ambasadori do ta cekte këtë problem, atëherë do të duhej që fjalimin ta kishte në vetën e parë dhe jo në vetën e tretë. E formuluar ashtu siç e tha ambasadori Dell, kritika se politikanët kosovarë janë të papërgjegjshëm më mirë të mos ishte bërë fare. Ai u dha atyre një mundësi më shumë për të mbuluar paaftësinë e tyre.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE