English

Varësia nga dialogu

Nga Albin Kurti

Zgjidhjet, të cilat janë propozuar për çështje të ndryshme të Kosovës në bisedimet me Serbinë, janë bërë thua se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe thua se serbët e Kosovës janë vetë Serbia, e cila na paska jo vetëm interesa, por edhe të drejta mbi Kosovën. Me këto bisedime, natyrisht që nuk ecet përpara, sepse çfarëdo lëvizje tek ato e ka të rezervuar kahun veçse për kthim prapa.

Integrimi i serbëve në Kosovë, qoftë ai politik e institucional, apo social dhe ekonomik, pashmangshëm ndërpritet atëherë kur nisin e zhvillohen bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë. Sepse, duke e vënë sadopak pavarësinë e Kosovës në pikëpyetje, serbëve u thuhet që nuk duhet të integrohen në Republikën e Kosovës, meqë ende nuk dihet se si do të përfundojë puna e saj. Integrimi me siguri që është integrim në rendin juridik dhe shoqëror të Republikës së pavarur të Kosovës, dhe kur elemente të këtij rendi vihen në diskutim, atëherë integrimi sprapset në pritje të konkluzioneve të reja.

Investimi shumëvjeçar i institucioneve vendase dhe ndërkombëtare për integrimin e serbëve dëmtohet rëndë nga dialogu në Bruksel midis Kosovës e Serbisë. Kosova nuk ka nevojë për bisedime me Serbinë në emër të normalizimit të marrëdhënieve me të, e ku ndryshohet Kosova për t'iu përshtatur Serbisë.

Me vula të doganave pa fjalën republikë në to, me regjistra civilë e libra kadastralë që s'janë dokumentacion origjinal, me ripërtëritje të tabelave të UNMIK-ut për automjete edhe për pesë vjet të tjera, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ka për përmbajtje abnormalizimin e Kosovës. Ajo për çfarë ka nevojë Kosova sot është normalizimi i vetes së saj si shtet, përfshirë këtu edhe integrimin e serbëve, në kuadër të shtetndërtimit si sovranitet i republikës dhe të zhvillimit si ekonomi prodhuese.

Në dialogun e ndërmjetësuar nga zyra e baroneshës Ashton, çështjet që u diskutuan nuk u ngritën nga procesi i shtetndërtimit të Kosovës të udhëhequr nga qeveria e saj, por nga procesi i integrimeve evropiane për Serbinë, të udhëhequra nga Brukseli.

Me këtë qasje Kosova ka rënë në defansivë, nga e cila duket qartë që Qeveria e Kosovës s'e nxjerr dot. Duke ia lënë gjithçka në veri të Kosovës KFOR-it dhe EULEX-it, Qeveria e Kosovës po e zbaton praktikisht futjen e veriut të Kosovës nën administrim ndërkombëtar të veçantë, ani se vazhdimisht e deklaron të kundërtën e kësaj. Në këtë mënyrë, asimetria e dyfishtë e bisedimeve në Bruksel po kurorëzohet me asimetri në terren.

Së pari, kemi asimetrinë e temave të dialogut ku bisedohet me Serbinë vetëm për Kosovën dhe jo edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Së dyti, kemi asimetrinë e faktorit BE që ndërmjetëson midis Kosovës e Serbisë, ndërkohë që (përmes EULEX-it) sundon mbi Kosovën, të cilën nuk e njeh si shtet, por jo edhe mbi Serbinë, të cilën e njeh si shtet. Për pasojë, këto dy asimetri fundamentale rrezikojnë ta prodhojnë asimetrinë e protektoratit ndërkombëtar në terren që formalizohet dhe legalizohet: protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën ndahet veçmas për veriun e Kosovës (dhe ndoshta jo vetëm aty).

Gjithsesi, dialogu me Serbinë është fetishizuar qëllimshëm. As me dialogun teknik me Serbinë, e as me dialogun e paralajmëruar politik me Serbinë, ne nuk mund të përfitojmë. Me dialog teknik kemi humbur jo pak, kurse me dialogun politik do të humbim shumë. Duke dialoguar me Serbinë, as nuk mund ta bëjmë Kosovën sovrane dhe as nuk mund ta heqim qafe Serbinë.

Hegjemonia e Serbisë sigurisht që i konsideron partnerë politikanët kosovarë të korruptuar dhe të shantazhuar, të cilët bëjnë koncesione shtetërore për të mbetur në pushtet. Dosjet inkriminuese për këta politikanë, e sidomos ato për kryeministrin dhe qeveritarët e tjerë, si gjithnjë, ndërkombëtarët më parë i përdorin për t'i kontrolluar e për t'i disiplinuar politikisht ata, sesa për të sjellë drejtësi për keqpërdorimet e tyre.

Kryeministri dhe qeveritarët e të tjerë, duke qenë josovranë dhe jo të lirë, nuk mund ta bëjnë popullin të lirë e shtetin sovran. Të shtypur nga ndërkombëtarët, siç janë, ata do të synojnë të na shtypin neve. Ata na e kanë dëshmuar tashmë që nuk do të angazhohen kundër shtypjes që e përjetojnë (nga ndërkombëtarët), por për shtypjen që e ushtrojnë (mbi qytetarët).

Dialogu me Serbinë po bëhet dëshmi e varësisë prej Serbisë. Nëse nuk jemi të gatshëm dhe të aftë që ta mendojmë veten dhe raportin me Serbinë jashtë këtij dialogu, ku vetja jonë vihet në pyetje, atëherë asnjëherë s'do të bëhemi sovranë. Sovraniteti është monolog, jo dialog me Serbinë.

*Shkrim i liderit të lëvizjes “Vetëvendosja” Albin Kurti

KOMENTE