English

Evropianizimi i Evropës kalon përmes SHBE-së

Le të flasim pak më shkoqur: nëse nuk krijohen Shtetet e Bashkuara të Evropës, atëherë mund të themi se rrënimi po përvijohet në horizont. Me hir a me pahir, Eurozona duhet të veprojë si pararojë e BE-së.

Nga Joshka Fisher

Eurozona po përballet me një vorbull të krizës financiare në rrafsh global, ngaqë pikërisht atje, në mbretërinë e monedhës së dytë më të rëndësishme botërore pas dollarit, kriza ka goditur më shumë “strukturën” e dobët se sa një shtet me pushtet të vërtetë. Një strukturë e tillë që po rrënon besimin e qytetarëve dhe tregjeve në aftësinë e tyre për t’i dhënë zgjidhje konflikteve - ndërkohë që po e shtyn sistemi financiar ndërkombëtar drejt caqeve të katastrofës. Me fjalë të tjera, kriza financiare tani po pasqyron një krizë politike të eurozonës - çka vë në pikëpyetje vetë ekzistencën në tërësi të projektit evropian. Nëse bashkimi monetar evropian dështon, nuk do të mbetet shumë për të thënë për tregun e përbashkët, për institucionet dhe traktatet evropiane, pasi edhe ato do të pësojnë të njëjtin fat. Do të na duhet të zhbëjmë 60 vitet e suksesshme të integrimit evropian, e për më tepër, pasojave nuk u dihet fundi. Ky dështim do të përkojë me shpalosjen e një rendi të ri botëror dhe sundimi dyshekullor i Perëndimit mund të jetë në perëndim e sipër. Fuqia dhe pasuria po rrëshqasin kah Azia Lindore dhe vendet në zhvillim, ndërkohë që Amerika do të jetë e përqendruar për t’i dhënë zgjidhje problemeve të brendshme, duke e kthyer “busullën” nga Atlantiku te Paqësori. Nëse evropianët nuk shenjojnë siç duhet interesat e tyre, askush nuk do të kryejë këtë në vend të tyre. Nëse Evropa sot nuk vepron për të zgjidhur fatin e saj, ajo do të kthehet në objekt shqyrtimi prej fuqive të reja botërore. Shkaku i krizës evropiane nuk lidhet me tridhjetë vitet e neoliberalizmit. Madje nuk ka ardhur kryesisht as edhe si pasojë e shtrembërimeve të bilanceve përmes të dhëna të rreme, të dhunimit të kritereve të Traktatit të Mastriktit, të borxheve të mëdha apo lakmisë së bankierëve. Megjithëse të gjithë këtë faktorë kanë peshën e tyre, problemi kryesor i Evropës nuk lidhet me “çfarë ka ndodhur, por me çfarë nuk ka ndodhur”: krijimi i një qeverie të përbashkët evropiane. Në fillimin e viteve ‘90-të, kur shumica e shteteve anëtare të BE-së vendosi të formësojë Bashkimin Monetar përmes një monedhe të përbashkët dhe një banke qendrore, ideja e një qeverie të përbashkët nuk gëzoi mbështetje. Për pasojë, etapa e hedhjes shtat të bashkimit monetar u shty në kohë, duke e lënë ngrehinën mbresëlënëse me mangësi themelesh të qëndrueshme që mundësojnë përballimin e tronditjes prej krizave të rastit. Sovraniteti monetar ishte kthyer në çështje që i përkiste të gjithëve, por pushteti i nevojshëm për ta ushtruar atë varej të kapitalet nacionale. Asokohe mendohej se kur të hartoheshin rregullat - duke vendosur një kufi të detyrueshëm të nivelit të borxheve dhe inflacionit - gjithçka do të ishte më se e mjaftueshme. Por thelbi i këtyre rregullave mbeti thjesht një vegim në shkretëtirë. Parimet kanë nevojë përherë të mbështeten te pushteti, përndryshe nuk mund të përballen me provimin e realitetit. Eurozona, një konfederatë e shteteve sovrane me një monedhë të përbashkët, me parime e mekanizma të përbashkëta, dështoi të merrte notë kaluese në këtë provim. E paaftë të jepte përgjigjet e duhura karshi krizës, eurozona vijon të humbasë besueshmërinë, çka është pasuria më e vyer e një monedhe. Nëse veprohet ndryshe, nëse tani gjendet përgjigjja e duhur ndaj mangësisë politike të bashkimit monetar duke jetësuar fillimisht një bashkim fiskal (një buxhet të përbashkët dhe përgjegjësi të përbashkëta), kështu do të mundësohej hedhja shtat e një federate të njëmendtë politike. Le të flasim pak më shkoqur: nëse nuk krijohen Shtetet e Bashkuara të Evropës, atëherë mund të themi se rrënimi po përvijohet në horizont. Me hir a me pahir, Eurozona duhet të veprojë si pararojë e BE-së. Ngaqë BE-ja në tërësi - me 27 shtetet anëtare së bashku - nuk do të jetë as e aftë dhe as e zellshme të përshpejtojë bashkimin politik. Fatkeqësisht, miratimi njëzëri i ndryshimeve të nevojshme të Traktateve të BE-së nuk do të arrihet kurrë. Kështu që, ç’na mbetet të bëjmë? Evropianët bënë përparime të dukshme në rrafshin integrues duke tejkaluar synimet e traktateve të BE-së (por që nga ana tjetër përkojnë me frymën evropiane) kur ranë në një mendje të hapnin kufijtë përmes së ashtuquajturës “Marrëveshja Shengen” (që sot është pjesë e Traktateve të BE-së). Duke u nisur nga kjo përvojë e frytshme, eurozona duhet të shmangë mëkatin origjinal të BE-së për krijimin e një strukture mbinacionale, e cila shfaqi mungesa të theksuara legjitimiteti. Eurozona ka nevojë për një qeveri, e cila, nisur nga gjendje e sotme, mund të përbëhet vetëm nga kryetarët përkatës të shteteve e qeverive- një zhvillim ky që tashmë ka nisur. Por, për arsye se nuk mund të flitet për një bashkim monetar pa pasjen e një politike të përbashkët buxhetore, kjo nënkupton se asgjë nuk mund të arrihet pa parlamentet nacionale. Çka do të thotë: një “Dhomë Evropiane” ku të përfshihen edhe kryetarët e parlamenteve nacionalë, është mjaft e domosdoshme. Fillimisht, një “Dhomë” e tillë duhet të veprojë si një organ këshillimor, ku parlamentet nacionale të ruajnë kompetencat e tyre; më vonë, duke u mbështetur te një Traktat Ndërqeveritar, mund të shndërrohet në një organizëm të mirëfilltë të kontrollit dhe vendimmarrjes parlamentare, i përbërë nga anëtarë delegatë të parlamenteve nacionale. Sigurisht që ky lloj Traktati nënkupton edhe kalim në masë të sovranitetit tek institucionet ndërqeverisëse evropiane, çka do të kishte të nevojshme një përligjje popullore përmes mbajtjes së referendumeve tek të gjithë shtetet anëtare, përfshirë (veçanërisht) Gjermaninë. Politikat e përbashkëta që sigurojnë stabilitet ekonomik dhe nxisin zhvillimin janë zgjidhjet më mira për të ardhmen. Përtej kësaj, nëse ka diçka që kemi nxënë nga kriza në vazhdë, është fakti se zgjidhje të këtilla nuk mund të formësohen për aq kohë sa eurozona të ketë krijuar një rrjet të besueshëm institucional, me themelet e forta të një qeverisje të mirëfilltë, me një kontroll parlamentar të qenësishëm dhe legjitimitet të vërtetë demokratik.

*Autori ka qenë ish-ministër i jashtëm dhe zv/kancelar i Gjermanisë (1998-2005)

KOMENTE