English

Kuçi: Vëmendja kryesore e Kosovës është te integrimi

Prishtinë, 10 nëntor 2011, NOA- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, mori pjesë sot në konferencën “Prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe Nevojat e Zhvillimit të Kapaciteteve”.

Në fjalën e tij Kuçi, tha se Qeveria e Kosovës i ka kushtuar vëmendje të veçantë procesit të Integrimit Europian.

“Si rezultat i kësaj, procesi i Integrimit Europian është shpallur njëri ndër prioritetet kryesore të kësaj Qeverisje, dhe jam i bindur që do të vazhdojë të jetë top-prioritet edhe në vitet në vijim. Në këtë drejtim, në këtë rrugë ne jemi drejtuar shpesh nga matësi i rezultateve tona drejt përmbushjes së këtij qëllimi, e që janë Raportet e parvjetshme të Progresit për Kosovën”, u shpreh zëvendëskryeministri Kuçi.

Zëvendëskryeministri vlerësoi projektin e CDF-it, që ndihmoi Qeverinë e Kosovës në të gjitha fushat, si dhe kontributin profesional të ekspertëve që kanë qenë pjesë e stafit të administratës dhe e kanë lehtësuar procesin e ndërtimit të kapaciteteve.

Projekti i CDF-së, në vlerë 6.5 milionë Euro, është iniciativë e përbashkët e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe i përkrahur financiarisht nga Qeveria e Norvegjisë.

a.y/NOA

KOMENTE