English

Topalli: SHBA, aleat i pazëvendësueshëm

Tiranë, 12 nëntor 2011, NOA – Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli priti në një takim kongresmenin Gary Peters, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara janë një aleat i pazëvendësueshëm i demokracisë shqiptare”, tha Topalli gjatë takimit. Duke i uruar zotit Peters mirëseardhen, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, për kombin shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

“Ky anëtarësim, tha Kryetarja e Kuvendit, ishte një nga ngjarjet më kulmore për Shqipërinë dhe partneriteti ynë në Aleancën e Veriut është shumë i rëndësishëm.” Duke shprehur të njëjtin interes për rritjen e shkëmbimeve ndërparlarmamentare, kongresmeni Peters theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë mbështetjen e gjithanshme për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Kongresmeni Peters shprehu kënaqësinë që pas Shqipërisë do të vizitojë Kosovën përmes një udhëtimi në Rrugën e Kombit e do të ndalojë në Prizren në përurimin e vijimit të rrugës së re.

Më tej në takim u theksua që marrëdhëniet në fushën ekonomike të lartësohen në nivelin e marrëdhënieve politike.

“Doktrina jonë ekonomike, me reduktimin e taksave, investimet në infrastrukturë, me dixhitalizimin e procedurave dhe privatizimet, rezultoi një doktrinë e sukseshmë e cila bëri që Shqipëria të mos kalojë në recesion, pavarësisht krizës serioze ekonomike globale", tha Topalli.

a.q/NOA

KOMENTE