English

Topalli: Fëmijët thërrasin për dashuri dhe paqe

Pogradec, 12 nëntor 2011, NOA – Fëmijët pogradecarë dhanë një mesazh fëminor kundër dhunës në familje, si dhe mesazhe dashurie për nënat e prindërit, përmes vizatimeve të ekspozuara në bulevardin kryesor të qytetit.

Në çeljen e kësaj ekspozite me moton “Stop dhunës, më shumë dashuri në familjet shqiptare”, e hapur në kuadër të muajit kundër dhunës në familje, mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

“Po të shihni me vëmendje pikturat e këtyre fëmijëve, ata flasin përmes ngjyrave në mënyrën më të jashtëzakonshme, sepse ata duan qetësi, sepse ata nuk duan, që të tronditen në shpirtin e tyre. Ata nuk duan që të tronditen në zemrën e tyre, nëqoftëse do të dëgjojnë një zë më të lartë apo më keq të shohin dorën e ngritur kundër nënës së tyre.

Sot këtu në Pogradec unë pata një ditë shumë të veçantë”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli.

Sipas zonjës Topalli, fëmijët thërrasin për dashuri dhe paqe dhe me fraza jo dhunës.

“Si Kryetare Kuvendi, si nënë e dy fëmijëve, duke qenë e vetëdijshme se dhuna në familje vazhdon të jetë e egër, e pamëshirshme, duke qenë e vetëdijshme se ky fenomen nuk është vetëm në Shqipëri apo i shqiptarëve, por është ndërkombëtar, duke qenë e vetëdijshme se jo rrallë në media dëgjojmë mbi vrasje makabre, unë dua të përcjell një ftesë për çdo kryetar familje shqiptare. Respektoni nënat e fëmijëve. Duajini bashkëshortet tuaja. Duajini partneret tuaja.”, apeloi zonja e parë e Kuvendit.

mit/NOA

KOMENTE