Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vetëzgjimi nga mosbesimi
English

Vetëzgjimi nga mosbesimi

Nga Elmaz Sherifi

Kur Rama u bë për herë të dytë kryetar i Bashkisë në 2003-shin, thonë se i lindi edhe mendimi për zëvendësimin e Nanos si Kryeministër para zgjedhjeve politike të vitit 2005. Për këtë qëllim, sipas porosive të “bashkëpunëtorëve” mori me urgjencë kartën e anëtarit të Partisë Socialiste dhe konkurroi për kryetar partie. Për të fituar zemrën e “kongresmenëve” (si i quante), dhe si populist, kërkoi që partia të “hapej” e të lejoheshin fraksionet, mandati i kryetarit të kufizohej, e nëse humbiste zgjedhjet parlamentare, ai të largohej. Për të fshehur atë që dëshironte (humbjen e PS në zgjedhjet e radhës), Rama bëri një deklaratë befasuese. “T’i dorëzosh pushtetin Berishës është tradhti kombëtare”! Socialistët kishin tetë vjet në pushtet. Nuk do të ishte keq po të vazhdonin qeverisjen e vendit edhe një mandat tjetër. Rrotacioni i pushtetit në një shoqëri demokratike është gjëja më normale, gati një ligjësi. Madje rrotacioni i pushtetit, me zgjedhje të lira e demokratike, e dallon shoqërinë demokratike nga sistemet diktatoriale. Të konsiderosh rrotacionin e pushtetit tradhti kombëtare, do të thotë se mendësia është me prirje diktatoriale. Këtë deklaratë e bënte njeriu, që pretendonte se ishte armiku i sistemit totalitar, një filozofi e shprehur në librin “Refleksione”, ku dhe “kongresmenët”, të cilëve tani u drejtohej, në libër i quante pasardhësit e Partisë së Punës. Për të stigmatizuar demagogjinë dhe filozofinë e tij politike, mbajta në atë kongres një ligjëratë për Makiavelizmin politik, dhe “frenimin” nga padurimi për marrjen e kreut të partisë, me çdo kusht e me çdo çmim, (diskutimi do të jetë pjesë e një libri tim të ri). I dëshpëruar nga humbja e thellë në kongres, Rama nisi një turravrap nëpër Shqipëri për të bërë publike “shqetësimet”, por edhe për të treguar “idetë” dhe “vizionin” e tij për një qeverisje demokratike. Në fokus të sulmeve të tij ishte keqqeverisja e socialistëve me ministrat e saj të “pangopur”. Me këtë lëvizje politike, realisht ai ndihmonte z. Berisha, pasi kritikat për keqqeverisjen i bënte ish-kandidati për kryetar partie dhe kryebashkiaku i Tiranës, “socialisti” Rama. Nga dashuria e madhe që ka për Pezën, mbështeti hapur kandidatin e “Aleancës Demokratike”, Dashamir Peza (sot deputet i PS, nga lista “Rama”), i cili mori mbi 1500 vota, duke ndihmuar në humbjen e kandidatit të Partisë Socialiste, Agron Dibra, vetëm për 300 vota. Me humbjen e zgjedhjeve, Ramës iu dha drejtimi i Partisë. Si të ishte një “strateg”, ai bëri tri deklarata publike. Deklarata e parë: “Do të bashkoj LSI me PS”. Deklarata e dytë: “Do të demokratizoj PS dhe të majtën në tërësi”. Deklarata e tretë: “Do t’ju risjell në pushtet”, ndoshta para 2009-s. Le të arsyetojmë se cilat nga këto deklarata janë realizuar. Pasi politikani vlerësohet për atë që premton dhe e realizon. PS, i mbushi gjashtë vjet në opozitë dhe nuk mund të parashikojmë sa vite të tjera do të vazhdojë ta përjetojë këtë situatë. LSI është shpallur kundërshtar politik i PS! E majta është shartuar me “aleatë të rinj”, të cilët më parë e konsideronin PS dhe të majtën në tërësi fatkeqësinë e kombit. Këto janë treguesit e “Politikës së re” që u shpall te hotel “Sheraton”, me formulimet që i konsiderova një përçartje teorike dhe papërgjegjshmëri politike. Prandaj kërkova të diskutoja në prezencë të mediave televizive. Çuditërisht, formuluesi i “politikës së re” deklaroi se nuk kishte vend për diskutime dhe urdhëroi që media të largohej. Ndërsa turma e anëtarëve të rinj asambleistë, si dikur servilët e kryetarëve të kooperativave në asambletë e kooperativave bujqësore, m’u turrën me ulërima se përse guxoja të diskutoja idetë e kryetarit të madh, “jo” Mao! Për të argumentuar se “politika e re”, në fakt ishte shumë e vjetër, shkova në mbledhjen e Asamblesë në Shkodër dhe diskutova për këtë farsën e politike. Çuditërisht ai që më kundërshtoi më shumë ishte një nga kritikuesit e sotëm të politikave të tij. Me “Politikën e re”, socialistët humbën zgjedhjet e 2009-s dhe për dy vjet u ngujuan në rrugë e sheshe. Të udhëhequr nga kjo politikë, deputetët e PS bojkotuan të gjitha institucionet politike të shtetit. Nga podiumet e lëvizshme (për të cilat paguhej një grup i tërë), përfaqësuesit e koalicionit: “hap kutitë ose largohu”, vendosën me dhjetëra kushte, nga të cilat nuk u plotësua asnjëra prej tyre. Greva e deputetëve ishte një tjetër veprim politik “sui generis”, pjellë e fantazisë së “politikanëve”, që në emër të lirisë veprojnë si anarkistë. Por, nderin e deputetëve e shpëtoi darka e sajuar e “Krokodilit” në Strasburg. Madje negociuesit vërshuan nga të gjitha institucionet e Europës. Nga Parlamenti i Bashkimit Europian dhe nga Parlamenti i Këshillit të Europës. Nga Departamenti i Shtetit dhe këshilltarë e ndihmës të zonjës Klinton. Të gjithë kërkonin rikthimin në jetën parlamentare dhe respektimin e institucioneve politike. Përgjigjja e “politikës së re” ishte e njëjtë. “Pa u hapur kutitë, nuk ka rikthim në Parlament”, s’ka dialog, madje u kërcënua se nuk do të kishte as zgjedhje vendore! Por çdo gjë u harrua pas konkurrimit për herë të katërt dhe humbjes së Bashkisë nga kryetari i PS. Tani gjithçka trajtohet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe po artikulohet “kursi i ri”, si “instrumenti i ri magjik”. “E treta e vërteta”, deklaroi Rama plot emocion në fjalimin një orë e gjysmë të gjatë në kongresin e radhës. Disa kanë filluar të mahniten nga “gjenialiteti” i ideve të munguara të Ramës dhe plot energji mundohen të shpjegojnë thelbin e “kursit të ri” çudibërës! Duartrokitje të gjata në kongres për suksesin e “politikës së re” dhe bojkotin e gjatë frytdhënës. Të gjithë diskutojnë për sukseset që do të sjellë “kursi i ri” i propozuar nga teoricieni i “politikës së re”. Kursi i ri me dhjetë pika kërkon rikthimin në Parlament, bashkëpunimin me maxhorancën për të plotësuar kushtet e fitimit të statusit të kandidatit në BE, miratimi i ligjeve që kërkojnë votë të cilësuar, e të tjera e të tjera, si shkruan satiriku-politik Arben Duka. Po këto kanë kërkuar të gjithë faktorët kombëtarë e ndërkombëtarë gati prej dy vitesh. Atëherë, ku është misteri i “kursit të ri”? Gjithashtu, para se të pranohet si i vërtetë “kursi i ri”, duhet të analizohen sukseset e “politikës së re”. Sepse ligjet e logjikës formale, të paktën ligji i argumentimit të mjaftueshëm dhe ligji i kontradiksionit, nuk i pranojnë si të vërteta dhe njëkohësisht si të reja, edhe “politikën e re”, edhe “kursin e ri”. Sipas këtyre ligjeve, njëra është e vjetër, përpara se tjetra të pranohet si e re. Sepse nuk do të ishte i nevojshëm “kursi i ri” nëse “politika e re” nuk do të rezultonte e vjetër. Deklarimi i “kursit të ri” i jep të drejtë gjykimit tim dhe shumë analistëve të tjerë që “politikën e re” e kemi trajtuar si shumë të dëmshme për PS dhe thjesht deklaratën e një njeriu, i cili, për të kamufluar prirjet e tij autokratike, përdor teza populiste dhe rekruton njerëz që i shërbejnë realizimit të ëndrrës së tij. Por kjo politikë nuk mund të plotësojë as ëndrrën e kryetarit, as dëshirën e socialistëve. Një njeri mund të udhëhiqet nga marrëzi të tilla, por është e pakuptimtë se si mund të heshtin mijëra delegatë që me furgonë bënin qindra kilometra për “demonstratën e radhës”, me bindje se në fund të dhjetorit 2010 Berisha do të gëzonte pensionin! Edhe organizimi i demonstratave dhe grevave argumentohej si plotësim i kërkesave të “bazës”! Po përse baza vendosi që të hiqej dorë nga grevat e demonstratat, për t’u kthyer te “kursi i ri”? Edi Rama po i trajton organet e PS si tespihe në duart e sulltanit humbës. Kjo është fatkeqësi jo vetëm për socialistët, por edhe për shtetin e kombin. Pasi PS është parti e alternimit të pushtetit. Kam konstatuar se të gjithë po gëzojnë që Edi Rama po flet për politikë institucionale. Madje më shumë gëzojnë ata që e inkurajonin të ecte me shpejtësi në rrugë joinstitucionale. Atëherë lind pyetja: “Kur ka pasur të drejtë Rama dhe mbështetësit e tij: më parë, apo tani? Deklarimi i bërë kalimthi “se kemi bërë edhe gabime” jo vetëm që nuk është i sinqertë, por nuk ofron asnjë garanci se Rama nuk do të vazhdojë përsëri në një moment tjetër me politika bllokuese, por në një formë të re. Shteti dhe institucionet e tij politike qëndrojnë mbi interesat e partive dhe kryetarëve që nxisin konflikte e bëjnë marrëveshje sa herë këtë e diktojnë interesat e lobeve. Partitë politike nuk mund të jenë instrumente në duart e kryetarëve. Përkundrazi, ato duhet të jenë institucione politike kushtetuese ndërmjetëse midis gjithë banorëve, shtetasve e bashkëkombësve të vet dhe institucioneve politike e juridike të shtetit, për t’i edukuar ata me frymën konstitucionale e institucionale. Ato duhet të rekrutojnë në organet drejtuese burime njerëzore me mendësi demokratike dhe me aftësi profesionale për nivelet politike të drejtimit të institucioneve të shtetit. Sepse këto burime njerëzore, me mendësinë dhe metodat e drejtimit të tyre, do të drejtojnë institucionet politike të shtetit kur partia vjen në pushtet. Partitë duhet të heqin dorë nga marrëveshjet e pista dhe hilet politike. “I bëmë ndryshimet kushtetuese sepse menduam se do t’ia hidhnim Berishës”, deklaronte me naivitet politik një zyrtar i PS. Edhe Berisha, për arsye të pragmatizmit partiak, e përdori hilen politike për ndryshimet në Kushtetutë e në Kodin Zgjedhor. Të dyja partitë kryesore bashkëpunuan për të ndërtuar një legjislacion zgjedhor që i penalizon partitë e vogla, duke rritur artificialisht fuqinë politike të partive të mëdha. Nga ky realitet politik burojnë edhe situatat konfliktuale. Dhe këtë nuk e them vetëm sot, por e kam thënë edhe kur u bënë ndryshimet e Kodit. Sistemin e ri zgjedhor e quajta një “Dushk”, që më parë u jepte padrejtësisht mandate partive të vogla, ndërsa sistemi i ri u heq padrejtësisht mandate partive të vogla. Është fakt që Partia Socialiste i pranoi ndryshimet e normave kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, të propozuara nga PD, në këmbim të ndryshimit të sistemit zgjedhor të kërkuar prej saj. Kjo sjellje politike nuk është demokratike, sepse dobëson fuqinë politike të institucioneve kushtetuese dhe rrit pushtetin e kryetarëve të partive. TV “Vizion Plus” ka transmetuar kundërshtimin që kam bërë në Komisionin e Ligjeve për ndryshimin e normës kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pragmatizmi politik- partiak është pjesë e politikës, por ai nuk mund përdoret për dobësimin e institucioneve politike dhe juridike të shtetit. Të dyja partitë kryesore nuk e dëshirojnë hapjen e dosjeve të politikanëve dhe heqjen e imunitetit të deputetit si një mbrojtje juridike e veçantë. PS dhe Grupi i saj Parlamentar bëri një demonstrim mediatik antikushtetues kur secili deputet firmosi një deklaratë për “dorëzimin” e imunitetit! Unë e kam kundërshtuar këtë veprim si antikushtetues dhe nuk pranova të firmosja një deklaratë të tillë për të mos cenuar dinjitetin dhe personalitetin tim. Të njëjtin veprim bën edhe PD kur vazhdon me historinë e praktikave parlamentare të Bundestagut gjerman. Nëse dy partitë kryesore do ta kishin seriozisht, ndryshimi i parë do të ishte norma kushtetuese e heqjes së imunitetit kushtetues. Përse të dyja partitë nuk duan hapjen e dosjeve të deputetëve dhe heqjen e imunitetit të tyre? Të gjithë tashmë po e kuptojnë lojën. Kam qenë dhe jam kundër politikave të kulisave. Kam qenë dhe jam për krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës. Politika në Shqipëri do të bëhet e besueshme dhe me moral qytetar kur politikanët ta gëzojnë një moral të tillë politik. Unë për këtë moral kam luftuar si deputet në tri legjislatura, si ministër në dy qeveri, por edhe si anëtar i forumeve të larta në parti, si anëtar i Asamblesë, anëtar i Kryesisë dhe sekretar i Burimeve Njerëzore dhe Politikave Zgjedhore në PS. Karta ime e anëtarësisë së PS mban numrin 13. Unë do ta vendos këtë kartë në sëndukun e kujtimeve, me qëllim që sa herë ta hap, të përfytyroj punën e jashtëzakonshme për themelimin dhe transformimin demokratik të PS dhe të krenohem për atë që kam bërë së bashku me qindra mijëra socialistë, qytetarë idealistë e patriotë të këtij vendi. Politikisht u rrita së bashku me socialistët. Shpesh studentëve u them se profesioni im është politika. Dhe kjo është e vërtetë. Prandaj kushdo ka të drejtë të më thotë: “Të drejta i ke mendimet, por mjaft më me këshilla. Ndoshta më mirë do të ishte t’i jetësoje idetë dhe vizionin politik”. Kjo mund të jetë një këshillë e mirë. Prandaj së bashku me një grup të rinjsh, me mendësi demokratike dhe profesionistë e shqiptarë shumë të mirë, po diskutojmë për një alternativë të re politike. Largimin nga PS e bëj jo se aty nuk ka liri. Liria për njerëzit e aftë e kurajozë nuk mund të ndalohet as me norma juridike, as nga drejtuesit autokratë. Personalisht kam bërë gjithnjë atë që kam gjykuar se është në përputhje me normat kushtetuese dhe moralin politik që e rrit dinjitetin njerëzor. Largohem sepse nuk ndaj të njëjtin mendim e vizion për demokracinë në parti dhe shtetin e së drejtës. Forumet politike në PS i ka mbuluar heshtja dhe bindja e verbër. Ka heshtje kur duhet ulëritur dhe zhurmohet kur duhet gjykim i ftohtë e arsyetim logjik. Tani në PS, për moralin politik flasin politikanët e ndëshkuar nga drejtësia dhe opinioni publik. Për interesat e socialistëve dalin garant politikanët e larguar e të mënjanuar nga PD, si të paaftë e që fatkeqësisht tani janë bërë maxhorancë në forumet drejtuese të PS. Për nismat e reja ligjore flasin interlokutorët e dështuar. Për nevojën e respektimit të institucioneve flasin braktisësit e tyre. Për “kursin e ri” dhe respektimin e institucioneve moralizojnë frymëzuesit e politikës së rrugës. Në PS mungon modeli i qeverisjes së mirë. Për drejtuesit e PS modeli i qeverisjes është ai i PD së para vitit 2005. Madje çdo krahasim e bëjnë vetëm me PD, modeli i së cilës tani është vjetruar. Së fundi do të thosha se largohem nga PS për të mos u larguar nga politika aktive. Kam bindje se sensi i drejtësisë së paanshme është shpirti dhe misioni i politikës që synojmë të ndërtojmë. Me këtë rast i ftoj të gjithë ata me të cilët na afron vizioni dhe morali politik, të bashkohemi në një lidhje, si premisë për zhvillimin e demokracisë institucionale. Për të zëvendësuar pushtetin e individëve me pushtetin e institucioneve politike të pavarura. Që të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim dinjitoz. Për të rritur standardet e jetesës, pa cenuar liritë politike e sociale. Të ndërtojmë sistemin e drejtësisë së paanshme për të siguruar barazinë para ligjit dhe qëndrueshmërinë e sistemit politik demokratik. Vetëzgjimi nga mosbesimi është fuqia e ndryshimit.

*Gazeta Panorama

KOMENTE
  • Joy 15:55 - 15 Nëntor 2011
    E LEXOVA ME SHUME VEMENDJE ARTIKULLIN TUAJ, NE GAZETEN "PANORAMA" DHE ME PELQEU SHUME QE 1 SOCIALIST SI JU ME NE FUND ESHTE I BINDUR PER GABIMET E PS-se.INSTIKTIVISHT ME LIND NE MENDJE 1 PYETJE : ZOTERI MOS KENI NDONJE QELLIM TE FSHETE SI Z.RAMA KUR DONTE TI MERRTE POSTIN E KRYETARIT TE PS-se, APO NDONJE KONFLIKT INTERESI ME TE......? JETA NA KE MESUAR QE "UJKU QIMEN E NDERRON,POR ZAKONIN NUK E HARRON " THIRRJA QE JU I BENI TE GJITHEVE ATYRE QE KANE TE NJEJTIN VIZION POLITIK DHE MORAL ME JU TE BASHKOHENI,MOS ESHTE THIRRJE PER KRIJIMIN E NJE FRAKSIONI TE RI POLITIK....?