Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bankat, depozituesit, ekonomia
English

Bankat, depozituesit, ekonomia

Nga Arben Malaj

Nëse paraja konsiderohet gjaku i ekonomisë, bankat dhe ndërmjetësit e tjerë financiarë janë enët nëpër të cilët ato mbajnë në jetë ekonominë.

Pikërisht lidhja e kursimeve dhe e fitimeve të individëve dhe biznesit me kreditimin e konsumit dhe investimeve rrit rëndësinë dhe efektin e sistemit bankar mbi cilësinë e zhvillimeve të ekonomisë.

Efektet pozitive të bankave konkretizohen edhe në dy momente të tjera specifike. Së pari, zhvillimi i sektorit bankar duhet të rrisë shkallën e formalizmit të ekonomisë, kjo nëpërmjet kërkesave rigoroze për saktësinë e të dhënave të çdo kredi-kërkuesit. Ulja e formalitetit lehtëson rritjen e të ardhurave në buxhet, rrit punësimin dhe i përcjell më mirë politikat monetare dhe fiskale mbi agjentët ekonomikë të zhvillimit.

Së dyti, duke qenë se bankat kanë ekspertizë të kualifikuar për të analizuar risqet potenciale të bizneseve, ato përzgjedhin për të kredituar bizneset më fitimprurëse, çka do të thotë që rritet cilësia e investimeve private në ekonomi, duke ushqyer cilësisht më mirë rritjen e saj.

Këto impakte pozitive kanë qenë në qendër të reformave tona për zhvillimin e sistemit financiar dhe sidomos atij bankar. Këto reforma kanë synuar rritjen dhe zhvillimin në mënyrë sa më të qëndrueshme dhe të suksesshme të bankave. Arritjet në ekonominë shqiptare do të ishin të pamundura, pa mbështetur zhvillimin dhe modernizmin e sistemit bankar.

Sot sistemi ynë bankar krediton në ekonominë tonë rreth 40% të PBB, një shumë e konsiderueshme për të mbështetur zhvillimin tonë. Totali i shpenzimeve qeveritare në ekonomi gjatë një viti buxhetor është rreth 30% e PBB-së.

Bankat njëkohësisht duhet të jenë përgjegjëse për cilësinë e kredive të dhëna jo thjesht që të mos rriten kreditë e këqija, jo thjesht të mos rëndohen provigjonet e tyre, por të rritet cilësia e konsumit dhe investimit në ekonomi.

Të mbështeten me kredi vetëm bizneset e suksesshme, kjo e bën rritjen ekonomike më konkurruese, kjo i bën bizneset tona më të suksesshme edhe në periudha kritike të cikleve ekonomike.

Vetëm nëpërmjet cilësisë së kredive të dhëna dhe cilësisë së investimeve financiare të bëra, bankat rrisin efikasitetin e tyre në ekonominë tonë dhe sigurinë e suksesit të tyre.

Në këtë periudhë sfidash dhe krizash, politikanët kanë detyrim të ulin dhe eliminojnë çdo risk mbi depozituesit. E para të eliminojnë çdo risk për shkak të debateve të mbingarkuara politike dhe e dyta dhe më e mira, të mbështesin reformat që përmirësojnë zhvillimin dhe mbikëqyrjen e sistemit bankar.

Sot shqiptarët e kanë të qartë që edhe në vendet që janë prekur rëndë nga kriza financiare, në asnjë rast nuk janë prekur depozituesit.

Bota mësoi nga gabimet e saj të krizës së viteve 1929-1933, mësoi nga mosreagimi ndaj frikës dhe panikut të depozituesve të vegjël. Ndaj janë ndërtuar sisteme efikase dhe të sigurta të garantimit të depozituesve.

Për të shmangur çdo rrezik psikologjik ndaj depozituesve, gjatë krizës së fundit globale, e cila akoma nuk ka përfunduar, të gjitha vendet rritën shkallën e sigurimit të depozitave me ose pa afat, me qëllimin final për të eliminuar çdo panik ndaj bankave.

Edhe vendi ynë, që nga viti 2002 ka ndërtuar skemën e sigurimit të depozitave, niveli i masës së sigurimit u rrit 5 herë dhe skema vet sot mbulon të gjithë depozituesit e vegjël.

Por asnjë bankë nuk mund të mbijetojë n.q.s. depozituesit e saj tërheqin depozitat. Më e keqja është që n.q.s. edhe një bankë e vetme lihet në mëshirë të fatit, efekti domino përhapet më shumë shpejtësi dhe rrit shumë kostot e menaxhimit të saj.

Ndaj ekspertët e institucioneve financiare ndërkombëtare ritheksojnë se strategjitë dhe skemat parandaluese të çdo krize janë mijëra herë më të dobishme dhe më pak të kushtueshme se menaxhimi i çdo krize të ndodhur.

Garancia më e mirë dhe më pak kosto është cilësia e mbikëqyrjes së bankave, është përsosja e sistemit diagnostikues e risqeve, por për të identifikuar që në hapat e parë çdo tendencë përkeqësuese në cilësinë e kredive dhe investimeve financiare të bankave.

Por ne duhet të ndërgjegjësohemi për pasojat negative që krijojnë kreditë e këqija apo keqmenaxhimi i bankave në ekonominë e vendit.

Qeveria duhet të kuptojë se rritja e kredive me ritme shumë më të larta se rritja ekonomike e vendit t’i rrit risqet e përkeqësimit të kthimit të kredive. Kjo, sepse krijohet një diferencë midis rritjes së të ardhurave reale që vijnë nga rritja e ekonomisë, rritja e punësimit dhe ulja e varfërisë dhe rritjes së borxheve nëpërmjet rritjes së kredive.

Ndaj politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë duhet të synojnë të rrisin të ardhura reale të popullsisë, dhe jo thjesht të vetëkënaqen që huamarrja e popullsisë dhe bizneset po rriten me ritme shumë të larta. Ëndrra e blerjes së shtëpive, makinave dhe bizneseve duke marrë kredi më shumë se sa mundësitë për t’i kthyer ato, rezultojnë një ëndërr e keqe për miliona njerëz kudo në botë.

Kosto e dështimit të bankave rëndon rëndë taksapaguesit. Fitimet e bankave u shpërndahen drejtuesve të bankave, ndërsa kostot e dështimit të tyre u kalojnë në kurriz taksapaguesve, ndaj kërkohet të rritet cilësia e mbikëqyrjes së bankave dhe të pastrohet sistemi bankar nga bankat e dobëta.

Stabiliteti i sistemit bankar për shkak të kostove që i sjell një vendi nuk është më një detyrë thjesht e bankës qendrore, por një e mirë publike për të cilën duhen reforma sa më të plota.

Kur kreditë e këqija në çdo vend janë rreth 18% e kredive të dhëna, ky është nivel kritik. Banka qendrore duhet të ketë në vëmendje rritjen e cilësisë se menaxhimit të bankave të nivelit të dytë, të rritet cilësia e kredidhënies, të eliminohen interferencat negative në kredi-dhënie, të rritet fuqia ekzekutive ndaj kredive të këqija.

Përqindja e rritur e kredive të këqija nuk është thjesht një e dhënë statistikore, por janë mijëra kredimarrës, janë qindra familje dhe biznese, të cilat janë në një risk të rritur për të paguar detyrimet e tyre.

Pas kedive të këqija qëndrojnë mijëra individë, familje dhe biznese, të cilat edhe për shkak të krizës globale, edhe për shkak të mospagesave të qeverisë, edhe për shkak të zhvleftësimit të monedhës kombëtare, edhe për shkak të cilësisë se dobët të diagnostikimit të risqeve potenciale nga ata vetë, por edhe nga bankierët kredishitës, gjenden sotnjë situatë më të vështirë sociale.

Bankat në thelb janë biznese private. Ato synojnë fitime maksimale, ndaj duhen mbikëqyrur që këto fitime të mos i arrijnë në kurriz të kredimarrësve, duke keqpërdorur panjohuritë e tyre kur janë individë dhe duke përfituar nga situatat e vështira të përkohshme të krizës së likuiditeteve të kompanive private.

Bankat kanë edhe një gjë specifike, ata e dinë që qeveritë në çdo rast nuk mund të lejojnë efektin domino të bankave të dobëta, ky pozicion specifik i tyre rrit riskun (moral hazard) që ato të jenë të shkujdesura në dhënien e kredive dhe në arritjen e fitimeve të lehta.

Pikërisht ky risk jo mbi depozituesit, por mbi kredimarrësit dhe buxhetin, duhet minimizuar, duke mos lejuar bankat jo efektive të rriten apo të mbijetojnë, pasi efekti i tyre mbi sistemin bankar në tërësi rritet.

Qeveria të mos krijojë asnjë vonesë në pagesat ndaj kompanive private që operojnë me projektet buxhetore dhe janë mbështetur me kredi në biznesin e tyre.

Duhet të ketë më shumë fokus dhe përkushtim profesional për të reduktuar kreditë e këqija në sistemin tonë bankar, për të zbuluar dhe eliminuar kostot e fshehta ndaj kredimarrësve që u rrisin aty barrën e kredive dhe riskun e moskthimit.

Ka një korrelacion në përpjesëtim të drejtë dhe të fortë midis cilësisë së bankave dhe cilësisë së zhvillimeve ekonomike dhe anasjelltas midis cilësisë së ekonomisë dhe suksesit të bankave. Bankat e dobëta e dëmtojnë ekonominë e çdo vendi, njëkohësisht ekonomitë e dobëta, ekonomitë me borxhe në rritje, ekonomitë që s’kanë rritje ekonomike, ekonomitë kur rritet pabarazia dhe varfërie, dëmtojnë zhvillimet e ardhshme, duke rritur pasigurinë, duke ulur rritjen ekonomike dhe duke dëmtuar kthimin e kredive.

Ndaj, veç reformave për të mbikëqyrur më mirë bankat, qeveritë duhet të ndërmarrin reformat strukturore që ushqejnë më mirë rritjen ekonomike, që rrisin konsumin dhe investimin të mbështetur te rritja e të ardhurave reale dhe që rrisin mundësitë për kredi në rritje për biznese të suksesshme. Mbështetja e reformave për bankat nga të gjitha partitë politike rrit suksesin e tyre dhe minimizon risqet.

Gazeta “Shqip”

KOMENTE