Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kombi që vërshohet nga mallrat e Serbisë
English

Kombi që vërshohet nga mallrat e Serbisë

Kjo Qeveri është Qeveri e asfaltit, Qeveri e asfaltit të importuar, Qeveri e asfaltit për import, Qeveri që shtron asfalt për kamionët e mallrave të huaja e posaçërisht për ato të Serbisë. Nuk mund të na thotë kjo Qeveri që po e shtron rrugën për hir të kombit kur lejon që kombi të vërshohet nga mallrat e Serbisë

Nga Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka përsëritur në vazhdimësi se vendi nuk ballafaqohet me krizë buxhetore. Ajo thoshte se të gjitha prognozat e dashakëqijve se do ketë krizë janë treguar të pavërteta. Në të njëjtën kohë, sa herë që flitet për projekte të caktuara nëpër ministri, Qeveria arsyetohet se projektet nuk janë realizuar për shkak të vështirësive buxhetore. Kjo i bie se vendi megjithatë paska një krizë të tillë buxhetore, apo jo? Me buxhetin për vitin 2012 sipas propozimit të Qeverisë, kriza vetëm sa thellohet. Në kohërat e mungesës së zhvillimit ekonomik përgjatë këtyre viteve të pasluftës, Kosova ka mundur të lavdërohet vetëm për një gjë: që nuk ka borxhe. Natyrisht, nëse përjashtohen këtu borxhet e Serbisë të cilat Plani i Ahtisaarit ia barti Kosovës. Mirëpo, prej vitit të ardhshëm, pikërisht me këtë lloj buxheti Kosova e nis kredhjen e saj në borxhe. Suficitet e dikurshme buxhetore shndërroheshin në akuza për paaftësi qeveritare. Tash e tutje, do të kalojmë te borxhet gjithnjë e më të mëdha për shkak të aftësive qeveritare për gabime, keqpërdorime e manipulime. Buxheti i Kosovës është buxheti i popullit që ka varfërinë dhe papunësinë më të madhe në Evropë dhe që i ka qeveritarët më të pasur në Evropë krahasuar me gjendjen e popullsisë. Kjo pakicë super të pasurish kanë vendosur se çka të bëhet me paratë e shumicës dërrmuese që janë të varfër e në kurriz të të cilëve edhe janë pasuruar. Pra, ky propozim për buxhetin 2012është propozim i qeveritarëve të pasur për neve përfaqësuesit e qytetarëve që janë përgjithësisht të varfër të Kosovës. Buxheti 2012 na e sjell edhe njëherë në skenë këtë konflikt themelor të interesit. Ky buxhet na njofton që mjetet për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (41 milionë euro) dhe MSh (88 milionë euro) bëjnë sa gjysma e mjeteve për autostradën Morinë-Merdar, kurse mjetet për Ministrinë e Drejtësisë (19 milionë euro) dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (39 milionë euro) bëjnë sa çereku i mjeteve të ndara për këtë autostradë në vitin 2012. Kjo tregon që kjo Qeveri e Kosovës nuk është as e zhvillimit ekonomik, as e mirëqenies qytetare dhe as e sundimit të ligjit. Të hyrat doganore planifikohen të jenë sa trefishi i të hyrave vendore tatimore dhe mbështetja e këtillë në import e demaskon çfarëdo demagogjie qeveritare për kinse zhvillimin ekonomik. Kjo Qeveri është Qeveri e asfaltit, Qeveri e asfaltit të importuar, Qeveri e asfaltit për import, Qeveri që shtron asfalt për kamionët e mallrave të huaja e posaçërisht për ato të Serbisë. Nuk mund të na thotë kjo Qeveri që po e shtron rrugën për hir të kombit kur lejon që kombi të vërshohet nga mallrat e Serbisë. Prandaj, mendoj që nuk ka kuptim që opozita t’i dalë përballë Qeverisë me buxhet alternativ. Askund në botë kjo nuk ndodh. Ka logjikë që Qeverisë t’i kritikohet planifikimi buxhetor dhe mandej t’i kundërvihemi asaj me vizion tjetër ekonomik, por jo me buxhet tjetër. Njëherë kur pajtohesh me vizionin ekonomik të qeverisë vetëm atëherë mund ta sjellësh një buxhet alternativ. Pra, është e logjikshme që buxheti alternativ të sjellet prej një partie tjetër përbrenda koalicionit qeverisës, por jo nga një parti opozitare. Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet duke i kapur ato për bishti. Buxheti ndryshe duhet të vien nga vizioni ekonomik ndryshe. Përndryshe, kemi të bëjmë me një vizion ekonomik që thelbësisht nuk është ndryshe dhe alternativat janë vetëm pretendime për korrigjime të kufizuara buxhetore. Kjo është arsyeja pse në propozimin e kolegëve opozitarë nga LDK-ja për buxhet alternativ nuk shoh dallim konceptual prej Qeverisë në fushën e politikave ekonomike. Pra, i thuhet PO autostradës që ka trefishin e çmimit të tregut dhe përmes së cilës po bëhet vjedhja më e madhe qeveritare në kohën e pasluftës, por thuhet që kjo të shtyhet për një vit. I thuhet PO shitjes së PTK-së, ndërmarrjes më profitabile në Kosovën e pasluftës, por thuhet që kjo të shtyhet për një vit. Shtyrja e shitjes së PTK-së është leje dhe inkurajim për shitjen e saj si të tillë. Kjo nuk është strategji tjetër ekonomike por taktikë brenda së njëjtës strategji. Strategjia ka të bëjë me hapësirën, kurse pikërisht taktika ka të bëjë me kohën, pra me të njëjtat gjëra duke ndryshuar paksa veçse momentin e tyre kohor. Ne inkurajojmë deputetët e LDK-së që kurrsesi të mos i thonë PO privatizimit të PTK-së po ashtu që ta kuptojnë që nuk bën të shtyhet ndërtimi i autostradës sepse asisoj do të paguanim penalti në bazë të kësaj kontrate, por duhet ta bëjmë një kontratë krejtësisht tjetër. Kjo është një ndër arsyet e shumta pse të gjithë bashkërisht, e posaçërisht deputetët dhe subjektet e opozitës, duhet ta kërkojmë dorëheqjen e kësaj Qeverie. Kosova lëngon dëshpërueshëm për zhvillim ekonomik. Mirëpo, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa strategji afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Doktrina ekonomike në Kosovën e pasluftës është ajo e “ndërtimit të tregut funksional” gjë që na ka lënë pa zhvillim. Sepse, në vend se ta kemi tregun në funksion të ekonomisë dhe ekonominë në funksion të shoqërisë, në Kosovë e kemi saktësisht të kundërtën: shoqërinë në funksion të ekonomisë dhe ekonominë në funksion të tregut. Për pasojë, çdo gjë në Kosovë po shndërrohet në mall, madje edhe njerëzit. Deficiti i tmerrshëm tregtar në Kosovë i ka përmasat e vetë buxhetit të Kosovës. Importi i mallrave nga Serbia i ka përmasat e remitancave të të gjithë bashkëatdhetarëve tanë marrë së bashku. Kjo assesi nuk paraqet kurrfarë fatkeqësie natyrore. Ajo është pasojë e kësaj dogme të fundamentalistëve të tregut përbrenda së cilës ndodhet Qeveria aktuale e Kosovës. Mu këta qeveritarët kosovarë janë vënë në shërbim të krijimit të kushteve për tregun me iluzionin se ai do ta mundësojë zhvillimin pa e përcaktuar apo orientuar fare këtë të fundit. Këta fundamentalistë të tregut të lirë kanë sjellë liri për mallrat e huaja e jo edhe për njerëzit tonë. Ne as që mund të flasim për zhvillim ekonomik të Kosovës pa strategji afatmesme dhe afatgjate të zhvillimit ekonomik. Një strategji afatmesme dhe afatgjatë do t’i përzgjidhte sektorët ku Kosova synon të zhvillohet në periudhën afatmesme 5 deri në 10 vjeçare dhe ato ku do të synohej zhvillimi në periudhën afatgjate për shembull pas 15 deri 20 vitesh. Në këtë kontekst, minimalisht do ishte e nevojshme financimi i një studimi me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë rreth mundësive të ekonomisë së Kosovës në raport me tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Në mungesë të një studimi të tillë që do shërbente edhe për formësimin e një strategjie zhvillimore afatgjatë, qeverisja nuk mund të jetë veçse kaotike dhe e çorientuar. Në fakt, ky duket se është modeli qeverisës i qeverise aktuale që nuk ka një vizion konkret zhvillimor për Kosovën. E keqja e planit Bansko nuk është se ai është një plan i keq, por, para së gjithash, që ai nuk është plan fare. Një këso Qeverie si kjo e jona, ekonomikisht do t’ia shohin hajrin shtetet e tjera, por jo edhe shteti ynë. Bota sot ndodhet në krizë globale financiare dhe ekonomike që po bëhet edhe krizë sociale. Investitorët e huaj janë tërhequr nga periferitë (ku përfshihen edhe vende si Greqia) drejt qendrave financiare. Qasja që ende bazohet te investimet e huaja, ndërkohë që ne shpenzojmë paratë e buxhetit në mënyrë që të krijojmë kushte që investitorët e huaj në të ardhmen të shpenzojnë paratë e tyre për të investuar në Kosovë, është shumë iluzore. Sepse, autostradat që po ndërtohen në Kosovë po bëhen duke shpresuar që kjo i tërheq investitorët e huaj. Ne po investojmë qindra miliona që ata t’i investojnë miliardat, apo jo? Ne nuk e filluam me fabrika, por me autostrada. Fabrikat po presim që t’i ndërtojnë investitorët e huaj, apo jo? E po, kjo është gabim i madh dhe rrezik edhe më i madh. Kjo nuk do të thotë se duhet të jemi kundër investimeve të huaja. Sigurisht që jo. Mirëpo, kjo do të thotë që investitorët e huaj të cilëve ua kemi shtruar asfaltin mund të mos vijnë fare. Tash kur në skenën globale mungojnë kapitalet dhe investuesit janë bërë shumë alergjik ndaj rrezikut, çfarë duhet të bëjë Kosova? Thjesht, të presë derisa të ndryshojë atmosfera e investimeve globale? Po nëse diçka e tillë vazhdon për vite me radhë sikur që duket nga shenjat e tregjeve globale? Çka dot bëjmë atëherë? Pra, ne duhet të kemi një plan B, dhe jo një buxhet B. Plani B është zhvillimi i prodhimit vendas, duke përfshirë mbështetje për prodhuesit vendas. Për mirëqenie duhen para, e paratë vijnë nga puna, kurse vendet e punës vijnë nga prodhimi. Ajo që e shpjegon më së miri pse Gjermania nuk e pësoi si shumë shtete anembanë globit nga kriza financiare e shtatorit të 2008-ës është fakti që gjysma e BPV të Gjermanisë në atë vit vinte nga eksporti. Pra, Gjermania nuk ishte kufizuar në, le të themi, domenin disi më virtual të ekonomisë, financat dhe shërbimet, por ajo kishte prodhim të madh dhe rrjedhimisht edhe eksport të madh. Prandaj, përveç një strategjie afatmesme dhe afatgjatë, Kosova duhet t’i kthehet prodhimit. Vetëm asisoj do ta transformonim ekonominë drejt zhvillimit të saj. Zhvillimi që vjen prej prodhimit përputhet me parimin që zhvillimi buron nga brenda. Pa dyshim që ai mund të ndihmohet dhe duhet të ndihmohet nga jashtë, por ai duhet të niset nga brenda. 90% të investimeve nga jashtë në botë nuk shkojnë në shtetet në zhvillim ose të pazhvilluara por në shtetet tashmë të zhvilluara. Pikërisht nëse i duam investimet nga jashtë ne duhet që njëherë të zhvillohemi ca përbrenda. Fondi Pensional mund të ishte një rast konkret se si kursimet e qytetarëve kosovarë mund të përdoren për zhvillimin e Kosovës, në vend që Kosova të futet në borxhe duke kërkuar kapitale nga jashtë. Aq më tepër po të kihet parasysh se ky fond mund të zgjerohet edhe më tej përmes një reformimi të tërësishëm. Në të njëjtën linjë, do ishte edhe rasti i PTK-së si burim afatgjatë i të ardhurave për Kosovën, financimi i zhvillimit lokal nga sistemi bankar duke përfshirë edhe kreditë për biznesin e vogël, si dhe krijimi i fondeve apo bankave për zhvillimin bujqësor dhe industrial. * Fjalimi i mbajtur dje në seancën e Kuvendit të Kosovës për Projekt-Buxhetin 2012 të Qeverisë së Kosovës

KOMENTE