English

Edi Rama në Kosovë në vigjilje të Festës së Pavarësisë

Prishtinë, 26 nëntor 2011, NOA - Pas vizitës në Bruksel, kryetari i opozitës Edi Rama ka mbërritur në Kosovë, në vigjilje të festës kombëtare të Pavarësisë, ku është takuar me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se kishte privilegjin që ta kalonte në Kosovë momentin e vigjiljes së Pavarësisë.

“Ishte si përherë kënaqësi e veçantë takimi me kryeministrin Thaçi, jo vetëm kryeministri i Kosovës por edhe një mik i mirë dhe shumë i respektuar nga të gjithë ne, në një moment të rëndësishëm, momentin e vigjiljes të një feste të madhe siç është festa e pavarësisë dhe ajo e flamurit, që unë kam privilegjin ta kaloj këtu, duke mu dhënë mundësia që të vizitoj edhe kryeministrin dhe vendet e simbolikës së madhe kombëtare”, u shpreh Rama.

Ai bëri me dije se gjatë takimit me kryeministrin Thaçi kishin folur për procesin e integrimit, dhe atë të liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës, proces, i cili, Rama shpreson që të hapet shumë shpejt.

Ndërkaq kreu i PS-së tha se i kishte dorëzuar zotit Thaçi një kopje të programit të ri të PS-së, ku binte në sy projekti për një sistem arsimor të unifikuar me Kosovën.

“Pata kënaqësinë, që t’i dhuroj kryeministrit edhe një kopje të programit tonë të ri, programit të Partisë Socialiste dhe të opozitës shqiptare, ku një ide e rëndësishme që po zhvillojmë në aspektin e arsimit, është ideja e një sistemi të unifikuar arsimor të Kosovës dhe Shqipërisë, për t’u dhënë mundësi gjithë fëmijëve dhe të rejave dhe të rinjve, që të arsimohen dhe edukohen brenda të të njëjtit sistem”, tha Rama.

Ai veçoi këtu një pikë të rëndësishme të diskutimit, bindjen e palëkundshme jo vetëm të Partisë Socialiste dhe opozitës, por e të gjithë politikës në Shqipëri, në mbështetje të Kosovës, dhe udhëheqjes politike të saj.

“Kosova është një nga ato pikat të palëvizshme përbashkuese për të gjithë klasën politike në Shqipëri. Ne jemi të gjithë të njëzëshëm dhe s’ka asnjë dallim mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri lidhur me çka i takon asaj që është rruga e Kosovës drejt integrimit europian dhe rruga e përbashkët drejt një kombi shqiptar të integruar në familjen evropiane”, nënvizoi kryesocialisti Rama.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerësoi vizitën e liderit të opozitës në Kosovë dhe kontributin e saj në konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

“Ne biseduam për bashkëpunimin e ngushtë të shtetit të Kosovës me shtetin e Shqipërisë, ku një kontribut të rëndësishëm është duke luajtur edhe opozita, në mbështetje të të gjitha angazhimeve për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, përkatësisht në punën e tyre për sensibilizim dhe mbështetjen edhe për njohjet e reja për Republikën e Kosovës.

Natyrisht biseduam për bashkëpunimin tonë në të gjitha sferat ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, dhe në atë ekonomike, diplomatike dhe të arsimit, po ashtu në aspektin kulturor. Gjithashtu, kjo vizitë është në prag të festave të nëntorit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, flamurit kombëtar”, vlerësoi kryeministri i Kosovës.

Ai uroi rishtas të gjithë shqiptarët për festat e nëntorit dhe gjithë të mirat për ta.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Thaçi bëri me dije se lideri i opozitës i kishte dhuruar edhe librin e tij “Kurban”.

“Gjithashtu kisha kënaqësinë që të marrë edhe librin nga z.Rama, për të cilin e uroj dhe e përgëzoj, për mjeshtërinë e tij në të shkruar dhe prezantimin që i ka bërë. Prandaj, i uroj edhe njëherë sukseset më të mira z.Rama në politikë, në karrierën e tij, në punën e tij.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë fuqishëm për perspektivën e Kosovës europiane, për perspektivën e Shqipërisë europiane, për perspektivën e gjithë rajonit, një perspektivë evropiane”, theksoi zoti Thaçi në fund të konferencës.

Emocionet e kësaj vizite në Kosovë në vigjilje të festës së Pavarësisë, kryesocialisti Edi Rama i postoi ca orë më parë në Twitter me mesazhin: “Pas Brukselit në Prishtinë. Një takim i shkëlqyer me Hashim Thaçin dhe një temë interesante më vete, ideja e PS-së për një sistem të unifikuar arsimor me Kosovën”, shkruante Rama në Twitter.

Më tej ai vlerësoi se “Kolona” është një film i ri kosovar që s'duhet humbur, me regji nga Ujkan Hysaj.

Sipas tij Hysaj edhe pse një "fëmijë" në regji, ka patur një rezultat të admirueshëm me filmin.

mit/NOA

KOMENTE