Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Silikon, Rama i gjegjet Lubonjës
English

Silikon, Rama i gjegjet Lubonjës

Nga Ylli Pango

Miku im i shtrenjtë e i vjetër, i vyer, shoku im i arteve, ideve, bindjeve, etjes për pushtet:

Po të shkruaj së fundmi një përgjigje për shkrimin tënd e po e nis mu aty, aty tek më dhemb më shumë edhe sot e gjithë ditën, tek pasazhi i faqes 7 të letrës tënde gjithaq të vyer: “Memuaristika si Operacion plastik”. Aty tek shkruaje për miqësinë tonë “se është abuzuar shumë këto vite me të...” një miqësi e dashur që e humba kur zbrita në arenën politike...një histori kjo jo aq e lehtë për t‘u shpjeguar sa ç’mund të bëjë Fatosi...”

Pa shiko Fatos sa bukur: “është abuzuar shumë këto vite”. Nuk mund të mos e ndjesh sa i vërtetë je…, se e ke të dalë nga subkoshi atë që thua, e sado që të përpiqesh të më urresh a përçmosh në letra të tua, e ke të ngjizur fort e thellë brenda teje këtë miqësi. Ti e kupton se sa e rëndësishme është kjo miqësi edhe për ty, e jo vetëm për ty, por për ne, për ty e për mua, për publikun që na sheh e dëgjon gjithherë, për popullin, për miqtë tanë të dikurshëm, për inteligjencien, për vetë memuaristikën e së ardhmes. Por për të gjithë pra. Ti jo rastësisht nuk shkruan “ke abuzuar me miqësinë Edi”. Ti shkruan “është abuzuar”, pavetore universale që ua lë fajin të tjerëve e që ti e nënkupton tashmë, ashtu si edhe unë miku yt i vjetër, atë, atë që miqësia jonë nuk na takon vetëm neve. Ajo u takon të sotshmes e të ardhmes, përjetësisë, lavdisë së këtij qerthulli, kësaj hapësire, kësaj llum-kënete siç thua ti duke huazuar Heideger-in.

Në të vërtetë ishte e do të mbetet, miqësi e dashur Fatos. Ishte nga ato miqësi që, pse të mos e themi, u çimentua jo vetëm atëherë kur ne filluam të kontestojmë veprën e baballarëve(meqë ra fjala, unë kurrë nuk e kam kontestuar vërtet Kristaqin, ndonëse e di se në 4 mandatet e deputetit, në kryesimin e komisionit të arteve, në kulturë-parti, ishte ai violina e parë e kastigimit të bindjeve a mosbindjeve të artistëve të qëmotit, ishte ai që vendoste a paravendoste fituesit e konkurseve, e ishte po ai që merrte në Institutin e Artë të të Lartëve gjithë farën e faunën e hiçëve që e qanin artin konformist, por që mbi të gjitha e qanin servilizmin për Kristaqin. Ishte ai që skulpturat i ngjizte me pallto a kapota, duke e lënë të fshehur formën a trajtën aq të lakmuar të trupit, ishte ai që më ngjizi me bindjet tona, sa herë që netëve të përçartura endesha në vetminë e trishtë …Ishte ai që më rekrutoi edhe mua pedagog… por nuk është vendi këtu për këto…Unë nuk e kam shitur kurrë!).

E vërteta është se çimenton, betonin, dashurinë e miqësisë sonë ti i ndjeve më tepër se kurrë, atëherë, në 1997, kur ne të dy e miq të tjerë menduam se e flakëm tej atë që aq shpejt na i rrëmbeu pushtetin mu përpara turinjve, në kapërcyell të 1990-ës, ai që më rrahu paq e që sot e gjithë ditën vazhdon të më bëjë nervoz si askush tjetër. Ishte koha kur në viset rrotull Kafe “Fidel” së bashku me Ardianin (edhe atë e bëre hasha), të lançuam ty si president të ardhëm. Edhe atëherë isha, siç e thua me të drejtë, manipulator-simulator i madh. (Këto epitete, t’i ka thënë për mua, së pari Todi, babai yt i ndjerë, mos kujto se nuk e mbaj mend). Por atëherë, ky manipulim-simulimi im të pëlqente. E si të mos...Asokohe ne me Ardianë, e ngjizëm allo soj legjendën:

“Ç’është more ky me kapotë të zezë” Evropa shkruajnë e thonë, “ ç’është ky more me biçikletë të vjetër, që endet nëpër Tiranë…në vetminë e vet të trishtë e gjindjen rrotull kastigon…disident i madh, F.Lubonjë a Havel a Mandelë shqiptar, a ç’është? Ç’është…a nuk është… ky ai..i duhuri, i denji, ai që kërkoni… presidenti juaj i madh?”. E hodhëm këtë tezë në publik asokohe e desh të bëmë president, mu atë që doje me ashk të ishe…por sekush na pështyu në çorbë, ti e di tashmë se kush,… e di…E ëndrra humbi…Por mos më thuaj se nuk të pëlqeu… …”

Atëherë e gëlltite grepin tamam, mos e moho… Por ta prishën…Mos më thuaj se ta kam bërë unë e mos ma tund ashtu atë kokë të fortë gjithnjë të përflakur inatesh..”Lakminë për pushtet nuk ta yshta unë…e gjeta aty brenda teje miku im i shtrenjtë e i plazmuar”…

Ti mund të më thuash miku im i vyer, se kjo nuk është t’i vish rrotull pushtetit. Ndonëse siç e thua po vetë, kjo nuk ka asgjë të keqe për rodin njerëzor. Dhe të drejtë ke. Përmbledhtaz do të të thoja se të gjithë i vinim rrotull atij të shkreti. Unë e Ardiani ca më parë, që atëherë kur vajtëm në Qytetin Studenti e Ardiani nxori kuletën e zbrazur e ua tundi studentëve. “Ja ku e kini…për lëvizjen antikomuniste i jap të gjitha, paranë e fundit, librezën e kursimeve, të gjitha, të gjitha, edhe rrobat e trupit i keni të falura për lëvizjen (nuk është se ishte ndonjë gjetje kushedi, por gjithsesi manipulim-simulim ishte. Edhe etërit, ashtu e bënë atëherë, i falën lëvizjes gjithçka, prona e para. Ata që kishin ndoca para, por edhe ata që nuk kishin. Ashtu e morën në dorë. Enveri i pari, ashtu e kursente lekun e ia jepte pastaj partisë. I dhimbej të hante qoftë edhe një pastë, siç thotë xha Pilua, por diabeti iu shpif që iu shpif).

Por Ardiani e provoi një farë pushteti. E vumë edhe drejtor të Televizionit. Por si ti, ashtu edhe ai nuk patët as durimin, as aftësinë, e as komunikimin me masën, që ta ndiqnit çështjen e pushtetit deri në fund. (“Ishte çështja kush do ta merrte pushtetin” shkruan shoku Enver për vitin 1944. “E morëm ne”. Në rastin tonë, në 1990, na i morën ata).

Por as atë që ti ma quan manipulim-simulim nuk e patët dhunti sa duhej. Unë, siç më shkruan, e paskërkam. Andaj fitova. Partinë. Andaj do e marr dhe Shqipërinë, shpejt. E ju andaj humbët e tani më bëheni dhe ziliqarë, ti më shumë, por edhe ai. Se edhe Ardianin e hëngri nakari ca kohë më shumë se ç’falet, por që kur i fala ato Pony-t që di ti, (e miklova de, do të thoshe ti prapë), ktheu fletën dhe e kuptoi se më mirë është ta ketë mirë me mua se s’i dihet…për një të ardhme. Si Kadarenjtë edhe ai. Të ngjashmit bashkohen, siç thua ti, se nuk i dihet. Fantazma e përgjakur dhe e rreckosur e etërve të vrarë e të burgosur na shfaqet të gjithëve. Andaj dua vendin e njëshit unë. Nuk e ha atë tek të rri i dytë. Mos u çudit aspak e mos të të gënjejë mendja për demokraci të kulluar. Për atë puthu me Milon, edhe Paskalin, në daç. Këtu vath në vesh t’i kam edhe ty e nuk t’i harroj. (Bëj shaka, e kupton ti. Se ty të kam të veçantë e nuk të bëj gjë. Pa do të të bëj edhe dhurata, nga ato të Enverit, të premtoj). Megjithëse njerëzit nuk ndryshojnë, dëgjo mua ti. Vetëm zakonet modifikohen disi, format. Viktimat mbeten po ato. Po nuk hëngre, të hanë. Ja Andreoti, Shiraku, Berluskoni e të tjerë..Edhe në pleqëri nuk i lënë t’u prehen kockat rehat. I zvarrisin gjyqeve.

Më thua se “projektoj vetveten tek ti”, tek të them në “Kurban” se “shfaqesh i frustruar e hedh shkelma kundër politikanëve”. Nuk është se kam gënjyer. Sheh veten Fatos, të larguar tashmë nga ai pushtet e nuk i duron dot ata që ia dolën. Pastaj sipas kësaj ndërton personazhin e ri. Se nuk rri pa bërë grim e pa vënë silikon edhe ti. Personazh je, kinse person. Por pakëz më ndryshe. Do të arrish ndryshe, atë që nuk e arrite dot si unë, atë që kapet veç me luftë pa rregulla e para, këmbëngulje e miq mashtrues a trafikantë të njohur siç thua ti. (Kruaju po deshe me ata e përmendua emrat. Nuk e ke kurajën, se edhe Nikollë Lesi në emision të trembi pale dhe e qepe atë të shkretën që nuk të pushon kurrë. Edhe Kokëdhimës i druhesh teksa i thua se të vret me banditët e vet. Je si të thuaç Fatos, frikacak nga pikëpamja intelektuale). Se pushtet pa këta nuk ka, por ti nuk di t’ua hash zemrën me të mirë e me hatër e ndaj je e do të mbetesh larg pushtetit.

Në të vërtetë ti ke një lloj tjetër profili. Ti je counterpart i gjithçkaje. Ti mezi pret të gabojnë, politikanët, pushtetet. Më kujtohet që si fillim, kur rishtaz hipin në karrige, u jep pak shpresë të vakët, medemek për hir të së ardhmes e të dëshirës tënde për të mirën e kombit. U thua se prêt prej tyre ndryshim. Por më pas aty nga dita e dytë a e tretë zhvesh këllëçin e i godet pa mëshirë”.

”Po pse këtë prisnim prej jush more të korruptuar?”. E keqja është ushqimi yt miku im. Ti nuk mund të ushqehesh a të hash bukë askund tjetër e as ndryshe. Ky është personazhi yt. Ti me këtë bëhesh interesant e të ftojnë në ato media shkërdhata të bëhesh edhe ti pjesë e asaj “videokracisë” që aq përbuzshëm e trajton dhe e akuzon në anti-Kurbanin tënd. Pa le po më akuzon mua së pari edhe për shkaktar, për autorësi a atësi të medias së shitur, si pjellë e imja duke shkelur kësisoj për analogji a djallëzisht siç e di ti në plagë të vjetra (mu ashtu njëlloj, a si në kor me demokratët që përdhunisht atësi të pavërteta gjithnjë më kanë atribuuar). Dhe ndërkohë në emisione të atyre autorëve uzurpatorë, të atyre vetveteve të fryra shkon e më del në vijim të mbajtjes lart të lavdisë tënde antigjithëpartiake e mbarëkritike. Edhe Fevzo ndaj të do e të fton: t’i mbash gjallë sherrin e nervat në programet e tij ku ajme, siç e thua a mendon vetë, ftohen kaq shumë, mediokër, manipulatorë a uzurpatorë llumkulturë të hapësirave mediatike e tash së fundmi edhe të atyre letrare.

Eh , e di ç’ëndërron…Sikur të mbeteshe vetëm ti…Ndofta edhe unë…Se askush s’ka mbetur i famshëm si kritik i cilësdo lloj shënjestre miku im. Lavditë, sado false, sidomos në këtë vend u takojnë ndërtues-shkatërruesve…E unë do të pranoja të isha edhe shënjestra jote, edhe bamirësi yt, edhe shigjetari yt… zemër…në fund të fundit këtë nuk ma mohon dot…E kam thënë hershëm në Refleksione, kam medituar gjatë e kam konkluduar qëkurthi e gjithherë kështu: “A është vërtet më mirë të jesh shigjetar e të shënjosh e ngulësh hunj a ndofta më mirë të mbyllësh sytë e ëndërrosh duke parë qiejt e duke pritur a shijuar shigjetën që të hyn thellë në mish e ta bën mishin kokërr…’(E.Rama Veprat “Refleksione” a “Volume të para”)

Po kush është “personi” yt (maska jote në të vërtetë…)…Mos vallë ai që flaku tej dikë që nuk iu nda në të mirë e të keq për dekada, thjesht sepse i bëhej seks e donte çupë të re në shtrat, miku im?A mos vallë ndershmëria vetë është personi yt? Come on! Ti je i imi shpirt! Ti je i yni…Ti je një pjesë e baltës, kënetës, videokracisë, shkërdhatokracisë që thua vetë, veç me një grim paksa ndryshe, me një plastikë vërtet të veçantë, me një silikon injektuar sipas metodave nga më të fundit (se i ndjek ti të rejat e fundit, e di unë). Silikon nga ai ngjizur në majë të sisëve e jo me të prerë në rrëzë, aq fin sa të mos e marrësh vesh kurrë e të mos dallosh asesi origjinalin nga sajesa.

(Besomë, se ashtu siç e thua ti në fund të letrës tënde drejtuar Kadarenjve e mua) që edhe unë ashtu si ty nuk është se e konsideroj veten më të mirë se ty, së paku në aspektin e hipokrizisë. Por më së paku e di që ka mjaft nga ata që vërtet e hanë rrenën time… por që e gëlltisin ku e ku më shumë e që çke me të atë tënden, pikërisht për shkak të këtij operacioni plastik sindozot)

Ti je imi Tosi… Jo se dua të të çjerr maskën miku im: ti ke qenë e do mbetesh miku im i vyer, (ti Doktor Faust i vockël i Edit ti,…që ta hëngsha zemrën ta hëngsha… Atë zemër që e di së në një mënyrë a në një tjetër do të ta ha…).

Besomë, dashurimiqësia ime e hershme, se nuk pastrohet balta duke u hedhur atë të tjerëve a duke jua vënë atë në dukje atyre që e kanë në surrat a kudo e duke u thënë mua nuk ma fshihni dot. Kjo tashmë dihet. E unë e di ca më mirë se jam marrë me baltë shumë më tepër se ti edhe si manipulator-simulator, por edhe si ndërtues mirëfilli. Kam ndërtuar gjithë Tiranën e re de, atë të betontën, jo, jo atë të komandantit. Kam bojatisur atë të vjetrën, atë të Komandantit. Ndoshta pastrimi nga balta bëhet duke thënë ndonjëherë, ashtu më të rrallë, qoftë edhe për stil, ashtu siç nuk ta do zemra ty: “ Në fakt, me dhimbje vëllezër me dhimbje,…por këtë palo …d.m.th, këtë punë nuk e kanë bërë keq…” , se ashtu edhe të besojnë më shumë kur të shash pastaj sa e si di ti vetë.…Por bah, mos e zër në gojë. Ti nuk sheh kurrë të mirë miku im. E si mund ta bësh ti këtë kritizeri im i shtrenjtë pragamatist, profesionisti i mohimit, që veç me këtë do të humbisje njëherazi, joshjen, hiret, magjinë, sharmin e gjithë kundërshtuesit me të cilin ke ngritur mirëqenien tënde të vonë. Kjo vjen në kundërshtim edhe me atë vanitetin tënd që si tek çdokush përkëdhelet edhe tek ty, vanitetin e të superiorit moral që nuk është me askënd e që është kundër cilitdo e pret e vret me shpatë çdo korrupsion a mik shkërdhatë.

Ndonëse siç e thua edhe vetë, atë vanitetin e parë, atë të të madhit fare, atë të vërtetin, isha unë që ta përkëdhela e eksitova më shumë se kushdo. Ta yshta si s’ka më mirë: desh të bëra president.

Për hir të së vërtetës miku im edhe kështu veç duke sharë e duke mos bërë kurrfarë gjëje, nuk shtyhet. Nuk ke bërë qoftë edhe një poçe të vogël shurre me duart e tua në këtë jetë, por veç ke hedhur poçe, shurrë e gurë mbi këdo e cilindo.

Ti eremit të ishe e veprën tënde të na i dërgoje nga së largu, më shumë do të të nderonim. Por s’ke shkuar më larg se Petrela jote e fildishtë. Në atë eremitizmin e arratisjen tënde të vogël nga kjo shoqëri kënetore që të qelb e kutërbon me erë të saj, herë-herë na shfryn edhe fllade ca më të largëta, të pastra Italie. Por prapëseprapë kësaj kënetës sonë ia kërkon e ia merr të mirat, gjithherë që godet, se shpërblim për të merr si kërkush në këtë botë për sharje e fyerje tmerr.

Unë së paku jam më i hapur siç thonë transparentët. Tek pastrova, meqë ra fjala, skarpatet e Lanës e bar mbolla në to, më erdhën ca nga ata vartësit e mi të Bashkisë e më thanë se bari i bukur ishte, po kishte mushkonja e qelbej erë moçal Lana. “Të qelbet, “ u thashë : të qelbet, të thithë aroma populli”. Pse nuk e dija unë që këneta që përmend zotrote ishte kudo përreth…Ua bëra mu ashtu si atyre vartësve në makinën time tek i mora një herë për një rrugë-shërbim të gjatë. U lëshova ca gazra nga ato të miat që edhe vorba me fasule të hash ti e të tjerë nuk i prodhoni dot e kur e pashë që nuk duronin dot më aty brenda e diç donin të bënin thashë: “ Se mos hapë njeri penxheret e makinës”. Ishte një eksperiment në miniaturë nga ato që i di ti, i kanë bërë të tjerë më parë. Hitleri prodhoi dhomat me gaz, kurse Enveri izoloi gjithë popullin në këtë kënetë e i mbyti. Nuk la njeri të dilte. Ja këtë nuk dini ta bëni ju, ti e Ardiani. Se veç që jini zemërpulë, por nuk u punon as fantazia. Me popullin duhet tertip e fantazi. Ashtu i do drutë ai…

Po si nuk më vlerësove qoftë edhe një herë të vetme more Fatos? Vetëm sharje e blasfemira kam tash një dekadë që dëgjoj. Po përse kështu o mik? Se ti e di fort mirë që edhe pushtetet më të liga a diktatorët më mizorë në vende të tjera, na kanë lënë vepra të arrira që hera-herës i citon edhe ti në shkrime të tua. I kanë bërë për lavdi të tyre a për të mirë publike, për të kënaqur egon a ç’mund të thotë një folës më i zoti, këtë nuk e themi dot saktë,..gjithsesi i kanë bërë. Por ty nuk të tha një herë goja” Të lumtë”. Egoja jote e superiorit moral, nuk të lë kurrë të shohësh qoftë edhe një dritëz. E pra, në atë emision të uruar televiziv, të vetmin ku u përballëm vite më parë, të thashë, që të dy si kritizerë kishim qenë gjatë në të njëjtën anë të llogores. Por që tani unë, Edi po e provoja edhe tjetrën anë, atë të ndërtuesit a shkatërruesit, kurse ti mbete që mbete tek kritika që gjithsesi është më e lehtë. Dhe vijove t’i bësh hasha të gjitha. Këtë më bën edhe në letrën e fundit tek flet e riflet për beton e çimento, ruspa, pluhur, gaz e mushkëri kanceroze të shkatërruara prej meje. Harron se nuk ka pasur e nuk do ketë në këtë botë lider të madh që nuk provoi shkatërrimin, që nga Neroni e deri tek Enveri, e që siç edhe e kam thënë “ nuk ka bir kurve të më akuzojë se nuk e gjelbërova me kumbulla të kuqe një rrugë të tërë..”

Më flet për plastikë e silikon. Edhe ti, edhe ti superiori im i dashur moral që kinse harron se je pre e dobësive njerëzore të panumërta e që është aq zor të bësh shenjtin a Krishtin, a madje as edhe Nënë Terezën për të cilën bashkohem me objeksionet e tua në Tv Klan(e sheh që konvergojmë miku im, sërish e sërish konvergojmë…). Se edhe adulterin e njeh mirë, e tradhtitë që të pëlqejnë i ke kryer me ashk. Ke adulterë për së pari, përsëdytazi e në vijim. Por edhe pushtetin ma ke dashur, (ta ka dashur prapanica), e më ke kërkuar si Nanua majën e tij. Pa edhe frikacak më je e frikë nga implikimet a më saktë nga të gjithë llojet e angazhimeve më ke… Se jo vetëm nuk e quaje gjë për veten pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTV(Ardiani e pranoi), por më së shumti e hoqe qafe se trembeshe, prapë trembeshe.

Je edhe ti një maskara i vogël miku im, por ke një atou më shumë, ke vuajtur ca dhe këtu nuk ta dal dot. Kjo i bën mjaft miq nga tanët indulgjentë mos të të ngasin. Por të lutem mos e shfrytëzo për të fyer të tjerë pa fund se si çdo shfrytëzim është dobësi e dobësitë goditen…

Dhe në fund, në tetë radhë të pasme të letrës tënde morale, kërkon a kujton se po bën atë që ke bërë qindra herë në Tv e gazeta.: larjen e ndërgjegjes nga roli a “personazhi” i ” superiorit a superheroit moral”. (E di që nuk je i tillë, por edhe nuk do që të ta thonë të tjerët, … e i parapret e ua zë gojën si në emisione edhe këtu…). Por ky është siç ta thashë operacioni yt plastik, ca më i rafinuar…zë fill nga thithat. Gjithsesi silikon mbetet…Nuk më mbetet veç të them për ty miku im në këtë e atë jetë: “ “Tani Fatosi maskara është, si shumë të tjerë…por unë këtu nuk u mora me të, me personin a personazhin Fatos, as se nuk e kam më mik e as se dua të nxjerr veten të larë a superior karshi tij a i njollosur njëlloj me të në këtë baltovinën tonë morale. Unë thjesht doja të merresha me një nga fenomenet më të rralla të kësaj shoqërie, sado specifik, fenomenin Lubonja, kinse, duke ndjekur shembullin e tij, shembullin tënd Fatos… për të gjetur zgjidhje, zgjidhje…si të dalim nga kjo baltovinë de…

I yti për jetë e mot- Edi-Kryetar i PS

KOMENTE