English

Thaçi: Norvegjia lobim për njohje

Oslo, 29 nëntor 2011, NOA- Në ditën e dytë të vizitës në Norvegji Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u prit nga kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg

Temë e takimit mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Norvegjisë, Jens Stoltenberg, ishin marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Norvegjisë, thellimi i këtyre marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët, si dhe mbështetja e Norvegjisë për Kosovën në procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe në procesin e integrimeve euroatlantike.

Në takimin me kryeministrin Thaçi, kryeministri i Norvegjisë, Stoltenberg theksoi përkrahjen e Qeverisë Norvegjeze për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe u shpreh për vazhdimin e mbështetjes së Norvegjisë për Kosovën në kuadër të procesit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, si dhe shprehu mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri norvegjez, gjatë takimit me kryeministrin Thaçi, gjithashtu potencoi mbështetjen e Qeverisë Norvegjeze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi homologun e tij, kryeministrin e Norvegjisë për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës, me theks të veçantë me njohjen e shpejtë të pavarësisë, dhe në rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Kryeministri Thaçi në takim me kryeministrin norvegjez u shpreh për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë, për shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, si në fushën ekonomike, të arsimit, të drejtësisë dhe në fushat tjera me interes të përbashkët.

Thaçi ftoi investitorët norvegjez që të investojnë në Kosovë, duke theksuar se Kosova si shteti i ri ofron mundësi të mëdha për investime ekonomike ndërkombëtare.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg nënshkruan një marrëveshje ndërshtetërore të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë.

a.y/NOA

KOMENTE