English

Harasani: Propozimet e CEZ-it, arrogancë "alla çeka" (VIDEO)

Tiranë, 1 Dhjetor 2011 - Arrogancë dhe presion “ala çeka” janë konsideruar propozimet e kompanisë CEZ Shpërndarje për rritjen e çmimit të energjisë nga ish-drejtori i KESH-it dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Andis Harasani. I pyetur nga RTV SCAN për borxhet që kompania pretendon nga institucionet publike dhe private, Harasani është përgjigjur se, është paaftësi e CEZ-it dhe drejtuesve të saj për mosmbledhjen e detyrimeve.

Harasani ka shpjeguar dhe arsyet pse CEZ nuk ka të drejtë morale të kërkojë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Kompania ka dështuar në realizimin e detyrimeve kontraktuale dhe investimet kanë qenë thuajse inekzistente”, - tha Tv Scan, z.Harasani në video-intervistën që mund të ndiqni edhe më poshtë:

Një ditë më parë, drejtori i “CEZ Shpërndarje”, Robert Hejsek propozoi 2 opsione përsa i përket rritjes së çmimit të energjisë. Opsioni i parë parashikon kërkesën e vjetër për rritjen e çmimit me 4.6%, për shkak të situatës së vështirë energjetike dhe importit që kompania duhet të kryejë. Opsioni i dytë ka të bëjë me borxhin prej rreth 55 milionë euro që institucionet i detyrohen kompanisë. Sipas Hejsek, CEZ nuk do të kërkojë rritje të çmimit nëse i shlyhet ky borxh.

Jo vetëm CEZ po kërkon rritje, por jo duke “i rënë me top”

Tre kompanitë energjetike në Shqipëri kanë kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2012. KESH, CEZ dhe OST kanë bërë zyrtare kërkesat e tyre për rritje të çmimit të furnizmit me energji elektrike për qytetarët, si dhe tarifat përkatëse gjatë një seance dëgjimore organizuar nga ERE. Kompania KESH kerkoi rritjen e çmimit nga 1.48 lekë në 5.05 lekë dhe OST rritje në 0.73 lekë për kË7h nga 0.6 që është aktualisht .

Ndërsa, kompania CEZ Shpërndarje për të zgjidhur mosmarrëveshjet me instutucionet shtetërore propozoi dy opsione. Opsioni i parë është rritja e çmimit me 4.6 për qind. “Duke parë siuatën aktuale të vështirë energjetike dhe mungesën e energjisë në treg, sin ë Ballkan ashtu edhe në Europë, kemi bërë ç’është e mundur që të mbajmë çmime të ulëta për Shqipërinë. Ne propozojmë dy opsione. Opsioni I parë është që të rriten tarifat e energjisë elektrike me 4.6 për qind”,deklaroi Jozeph Hejsek, Drejtor i Përgjithshëm i CEZ.

Opsioni i dytë është zgjidhja e borxhve që CEZ i ka KESH-it dhe anasjelltas. Në bazë të këtij propozimi, CEZ kërkon që institucionet debitore ndaj kompanisë të shlyejnë borxhet. Por, nga ana tjetër vetë CEZ rezulton debitore tek KESH që nga dhjetori i vitit 2010, pasi ka marrë energjinë dhe nuk e ka paguar. “Opsioni i dytë është që të mos ketë rritje të tarifave me kusht që të zgjidhet çështja midis CEZ dhe KESH dhe midis CEZ dhe institucioneve shtetërore për borxhin”, shtoi Hejsek. Tashmë, bordi drejtues i ERE-s pas shqyrtimit të kërkesave për rritje të çmimit të energjisë, të marrë vendimin final në fillim të dhjetorit. Nëse Enti Rregullator pranon kërkesat për rritjen e çmimit, tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2012.

Kërkesat për rritjen e çmimit të energjisë: KESH: Nga 1.48 lekë të bëhet 5.05 lekë.

OST: Nga 0.6 lekë të bëhet 0.73 lekë për kwh.

CEZ: Të rritet me 4.6 %.

329
KOMENTE