English

METE miraton Kodin e Drejtimit të Brendshëm të Shoqërive Tregtare

Tiranë, 2 dhjetor 2011, NOA- Ditën e sotme Këshilli Konsultativ i Biznesit, miratoi Kodin e Drejtimit të Brendshëm të Shoqërive Tregtare në Shqipëri.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Kodi është një material mbështetës dhe orientues për shoqëritë tregtare që operojnë në Shqipëri, që këto të fundit të zhvillojnë një kuadër të shëndoshë të drejtimit të brendshëm. Në këtë rast METE ofron vetëm një model dhe shoqëritë tregtare, të cilat nga ana e tyre janë të lira ta zhvillojnë dhe adoptojnë atë sipas kushteve përkatëse.

Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit kreu i METE, Nasip Naço, bëri një prezantim të shkurtër të këtij kodi, hartimi i të cilit është bërë me ekspertizën e IFC-së, i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në këtë Kod-tha ministri, janë të përcaktuara qartë 14 parimet e drejtimit të brendshëm për të gjitha shoqëritë aksionere që nuk janë të regjistruara në bursë.

“Në një kuadër efektiv të qeverisjes së shoqërive tregtare përcaktohen rolet, përgjegjësitë si dhe një shpërndarje e kompetencave ndërmjet aksionerëve, bordit, menaxhimit dhe palëve të tjera të interesuara. Ky Kod mbetet në gjykimin tuaj për një zbatim vullnetar të tij dhe sipas kushteve që paraqiten për çdo shoqëri tregtare të kësaj natyre”, u shpreh Naço.

a.y/NOA

KOMENTE