English

KE përshëndet konsensusin për reformat

Bruksel, 6 dhjetor 2011, NOA – Ndërsa konsensusi i arritur me vështirësi për reformat kyç në vend po vijon me miratimin e ligjeve të rëndësishëm, marrëveshjen e arritur mes mazhorancës dhe opozitës mëse dy javë më parë, e ka përshëndetur edhe Komisioni Evropian.

KE përshëndet arritjen e dialogut politik konstruktiv mes mazhorancës dhe opozitës, i cili u përvijua me ngritjen e komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore dhe atë ndryshimit e rregullores së Kuvendit, por edhe miratimin e projektligjeve të rëndësishëm me 3/5, që kërkojnë bashkimin e votave të mazhorancës dhe opozitës.

Komisioni i kërkon krerëve të politikës shqiptare dhe opozitës të vijojnë bashkëpunimin dhe të kapërcejnë ngërçin politik të tejzgjatur.

KE gjatë mbledhjes së mbrëmshme përshëndeti miratimin e katër ligjeve të para, që kërkonin shumicë të cilësuar votash, që janë pikërisht katër nga Kodet e Republikës së Shqipërisë, Kodi Detar, Ajror, Hekurudhor dhe më së fundi edhe Kodi Rrugor.

“Këto hapa pozitivë duhet t’i shërbejnë tejkalimit të ngërçit që ka karakterizuar dhe dominuar skenën politike. Zgjedhjet lokale të Majit u vlerësuan në përgjithësi si konkurruese dhe transparente. Procesi zgjedhor u karakterizua nga probleme, të cilat duhet të adresohen mbi bazën ligjore në procesin e reformës zgjedhore”, thuhet në raportin e KE-së, ku i bëhet me dije palës shqiptare se në tërësi, Shqipëria ka bërë një progres të limituar në përmbushjen e kriterit politik të anëtarësimit.

E ndërsa politika shqiptare humbi shansin e nëntorit për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe po aspiron ta arrijë këtë gjë në vitin e ardhshëm, Komisioni Evropian nënvizon se kyç në çeljen e negociatave për marrjen e statusit mbeten 12 rekomandimet e vitit të shkuar.

mit/NOA

KOMENTE