English

Presidenti “kërcënon” gazetarin: Po i hiqni vetes të drejtën për intervistë tjetër

Tiranë, 7 Dhjetor 2011 NOA - Shënohet incident në intervistën që Presidenti i Republikës i jep një gazetari të medias vizive. “Po i hiqni vetes të drejtën për të më kërkuar një intervistë tjetër”, - i është drejtuar Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, gazetarit Ilir Babaramo, gjatë intervistës së drejtpërdrejtë që u zhvillua mbrëmë në Pallatin e Brigadave.

Gjithçka erdhi kur gazetari i bëri Topit këtë pyetje: “Zoti President, më lejoni të këmbëngul dhe vetëm me një pyetje në këtë çështje. Thatë që do jetë vendimmarrje e juaj. Kjo vendimmarrje do jetë një reagim se si do të reagojë lidershipi i Partisë Demokratike, pra, nëse ju zgjedh ose jo President, apo thjesht do jetë...?”

Presidenti Topi, i dha këtë përgjigje: “Po i hiqni vetes të drejtën për të më kërkuar një intervistë tjetër. Zgjidhni e merrni!”

Në këtë pikë gazetari iu drejtua me fjalët: “Por, në qoftë se do të jepni ndonjë lajm të fortë, e marr përsipër edhe atë rrezik”.

Replika vazhdoi kur Presidenti Topi iu drejtua me një fyerje gazetarit: “Atëherë, mos u bëni tregtar në gazetari!”.

Përgjigjja nga gazetari ishte: “Tregti do të ishte në qoftë se do ta pranoja...”.

Përgjigjja nga Presidenti Topi që edhe mbylli intervistën e acaruar të mbrëmjes së djeshme, ishte: “Ruajeni të drejtën për një intervistë, sepse intervista nuk është thjesht në funksion të interesave që ka Bamir Topi, por intervista është në funksion të asaj që dëshirojnë të dëgjojnë qytetarët në vazhdimësi. Dhe për ta përforcuar që, sa kohë unë të jem në këtë Zyrë, ju nuk do të merrni përgjigje të kësaj natyre”.

e.t/NOA

Ndiqni intervistën e plotë: Topi: Kur shpall dekrete nuk motivohem emocionalisht

Lexoni gjithashtu:

Shpërthen kryetari i PPE: Edi Rama ndoshta është pak i sëmurë

Rama kritikon kreun e OSBE: Jo bojkoti, por vjedhja e zgjedhjeve i kushtoi vendit 2 vjet

KOMENTE