English

Wollfarth: Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut nis nga shtëpia

Tiranë, 12 dhjetor 2011, NOA – Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth deklaroi se mbrojtja e vërtetë e të drejtave të njeriut duhet të nisë nga familja dhe se për këtë nuk mjafton vetëm vullnet i mirë dhe një kuadër ligjor i detajuar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë ceremonisë ku merrte pjesë edhe zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, ambasadori i OSBE-së theksoi se respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të nisë nga shtëpia, në mënyrën si i trajtojmë fëmijët, prindërit dhe të afërmit.

“Të drejtat e njeriut duhet të jenë të drejta të jetës sonë individuale, duke filluar nga vetë familjet tona. Ky respekt fillon në shtëpitë tona, në mënyrën se si trajtojmë fëmijët tanë dhe anëtarët e tjerë të familjes rreth nesh. Fëmijët dhe, në veçanti jetimët, përbëjnë grupin më të dobët në shoqërinë tonë. Nëse dështon individi, nëse dështojnë prindërit, nëse dështon familja, është Shteti ai që duhet të ndërhyjë. Nëse Shteti dështon në mënyrë të përsëritur, sidomos në një shkallë të madhe, apo nëse Shteti nuk është në gjendje t'i mbrojë ato, hyn në lojë Komuniteti Ndërkombëtar”, u shpreh Wollfarth.

Sipas tij në bazë të të gjitha veprimeve duhet të qëndrojë parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit.

“Barazi e plotë para ligjit në të gjitha fushat aq të larmishme sa aksesi në drejtësi apo aksesi në kujdesin shëndetësor. Mbrojtja ligjore mund të kërkohet kundër të gjitha llojeve të diskriminimit, qoftë diskriminimit në bazë të racës, moshës, gjinisë, apo aftësisë së kufizuar, dhe këto janë vetëm disa prej tyre. Gjithashtu, le të mos harrojmë në këto raste se parimi i barazisë duhet të respektohet nga ne, si persona, si qytetarë, në çdo kohë, kur ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Edukimi për të drejtat e njeriut është një detyrë fisnike dhe shumë e nevojshme, e cila është jetësore për ndërtimin dhe stabilizimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse nga ana sociale”, theksoi ambasadori i OSBE-së.

Ai nënvizoi se prezenca e OSBE-së në Shqipëri përpiqet mes punës së saj të besueshme bashkë me qeverinë shqiptare që mbrojtja e të drejtave të njeriut të jetë në krye të përpjekjeve shqiptare dhe që Shqipëria të jetë plotësisht e angazhuar për të garantuar që parimet e të drejtave të njeriut të jenë pjesë e pandashme e politikave të saj në zbatimin e kuadrit të saj ligjor modern dhe shumë të lavdërueshëm.

“Ne, si individë, mund të ndihmojmë në mënyrë aktive për të sjellë ndryshimin. Ta gëzoni jetën dhe të ndihmoni edhe të tjerët të gëzojnë jetët e tyre!”, përmbylli fjalën e tij ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.

mit/NOA

KOMENTE