Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rruga e gabuar e Nanos drejt Presidencës
English

Rruga e gabuar e Nanos drejt Presidencës

Nga Arjan Vasjari

Mes ambicies për presidencën dhe rrugës për të mbërritur aty, zoti Nano ka racionale vetëm ambicien. Që në fakt i dihej edhe pa e shpallur dy ditë më parë tek intervista për Top Channel. Ajo që nuk i dihej dhe që ndoshta, ishte e vetmja gjë që përmbante kuriozitet politik, lidhej me skenarin, apo skemën, apo strategjinë që ish-lideri historik i PS-së kishte në mendje për t’u ulur në fronin më të lartë të Republikës. Deri dje, duke mos pasur as më të voglën ide sesi ai mendonte të mbërrinte aty, projekti i ngjante më tepër një erosi platonik me presidencën. Tani që zoti Nano e zbuloi rrugën sesi mendon që të shkojë tek ëndrra e tij, mund të thuhet pa frikë se rruga që ka zgjedhur është e gabuar.

Mbi të gjitha, është e gabuar sepse ai dhe oferta, në vetvete, janë dekontekstuale nga pikëpamja politike. Kalkulimi i zotit Nano se “po kërkon të gjejë partnerë nga të dy kampet” është krejt pa sens. Pas më shumë së dy vjetësh arrogance dhe moskomunikimi, palët i janë nënshtruar më në fund logjikës së konsensusit. Duke mos qenë ofertë e ndonjërës palë, shanset që zoti Nano të shkonte drejt presidencës do të ishin shumë të pakta. Mirëpo rrethana është më e papërshtatshme se kaq. Ish- kryeministri socialist jo vetëm që nuk është kandidat i ndonjërës palë por, është i përjashtuar a priori nga të dyja palët (për shkaqe të ndryshme) për të qenë kandidat i mundshëm për në presidencë. Por, edhe sikur, teorikisht të themi, ai të investohej prej partisë së tij, askush nuk do të merrte guximin të prishte konsensusin e arritur nëse pala tjetër do ta refuzonte. Realiteti i ri politik ka ridimensionuar shumë gjëra dhe figura e zotit Nano është njëra prej tyre. Konsensusi i tanishëm kushton shumë shtrenjtë dhe zoti Nano është një sakrificë që nuk ia vlen për ta prishur atë.

Përveç të qenit jashtë kontekstit, rruga është e gabuar edhe për shkak të procedurës me të cilën zoti Nano kërkon të zgjidhë fatin e tij presidencial. Procedurë e cila, nuk mund të anashkalojë jo vetëm curriculën politike të zotit Nano, por edhe pikëpamjet që ai ka pasur dhe rëndom ka shfaqur për institucionin e kreut të shtetit. Sa i përket biografisë politike, zoti Nano është një kryeministër i larguar me votë dhe kjo nënkupton, së paku në ligjërimin komun, jo largimin me kohë të pjesshme nga politika (dhe Shqipëria gjithashtu) por, tërheqjen nga jeta politike aktive për të mundësuar qarkullimin e shëndetshëm të elitave. Kjo është qasja korrekte mbi çështjen. Mundet që zoti Nano të ketë ndërruar mendje dhe është në të drejtën e tij legjitime ta bëjë këtë. Por, bash në këtë moment atij i humbet e drejta t’i kërkojë Edi Ramës largimin për shkak të humbjes së zgjedhjeve. Mirëpo, nëse kjo ndodh, zoti Nano duhet të rikonsiderojë me themel kulturën e tij politike me të cilën mburrej gjithë këto vite. Por ç’vlerë do të kishte pas kësaj politikani Fatos Nano? Vlera e tij ishte pse ai iku. Dhe tek e fundit, përse do të na duhej si president një individ i tillë politik?

Sa i përket pikëpamjeve mbi instancën e kreut të shtetit, zoti Nano ka qenë sistematikisht shumë i qartë. Që prej vitit 2002, në Vjenë, në takimin me “Miqtë e Shqipërisë”, ai ishte i pari (për arsye jo dhe aq të sinqerta) që hodhi idenë e një presidenti nga populli. Konsekuenca e tij rreth kësaj çështjeje kushtetuese ka qenë e lavdërueshme dhe nuk shpjegohet përse ka zgjedhur rrugën e gabuar të “gjetjes së partnerëve nga të dy kampet”, që ta mbështesin si kandidaturë me formulën aktuale kushtetuese të zgjedhjes nga parlamenti. Kjo nuk është e ndershme. Aq më shumë për zotin Nano, i cili nëse kërkon të riciklohet, duhet ta kërkojë konsensusin drejtpërdrejtë te populli dhe jo te masoneritë e shëmtuara të pallatit të politikës. Që do të thotë se, ai duhet të kërkojë partnerë nga të dyja kampet, jo për të realizuar ëndrrën për president, por për të ndryshuar procedurën kushtetuese në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pastaj le të vendoste sovrani. Kjo do të ishte e vetmja rrugë. Ky do të ishte i vetmi rehabilitim politik që do mbartte edhe legjitimitet.

Mirëpo, zoti Nano ka zgjedhur një rrugë tjetër drejt presidencës. E cila është kaq e pamundur për ëndrrën e tij, sa e vetmja kureshtje lidhet me faktin nëse do ta braktisë i pari zoti Nano rrugën, apo rruga e nisur zotin Nano.

"Mapo"

KOMENTE