English

Berisha: Nano s’është kandidati ynë, për President kemi emra të tjerë

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA/ Ariola Ymeraj Update – Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi poshtë mundësinë që Fatos Nano të jetë një kandidat i mazhorancës për Presidencë.

Ai u shpreh se Partia Demokratike ka kandidatët e saj, por për emra do të flitet vetëm kur të mbarojë mandati i presidentit aktual, Bamir Topi.

“PD do ketë kandidatin e vet, Nano është lider historik i së majtë dhe absolutisht nuk propozohet nga ne. Pavarësisht nga ato që thashë për z. Topi, ai është president i Shqipërisë deri ditën që skadon mandati dhe nuk do ketë asnjë emër deri ditën që do jetë president”, tha Berisha.

Në emisionin “Opinion”, kreu i qeverisë theksoi se në Partinë Demokratike ka mjaft kandidat potencial.

“Z. Topalli dhe shumë zonja dhe zotërinj kanë të gjitha cilësitë për të qenë në atë post, por në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë kandidaturë, deri sa të fillojë gara”, tha Berisha.

Ai u shpreh se “PD ka të drejtën të kandidojë çdo drejtues të saj”, duke përjashtuar mundësinë për të kandiduar personalisht. Ai u shpreh se kreu i ardhshëm i shtetit do të jetë një figurë politike. “Presidenti i vendit është post politik”, tha ai.

Më herët në këtë emision, Berisha deklaroi se presidenti Bamir Topi duhet të kishte dhënë dorëheqjen para se të niste diskutimet për krijimin e partisë.

Berisha u shpreh se në mënyrë absolute, Topi nuk jetë kandidat i Partisë Demokratike për një mandat tjetër në PD.

“Ai ka një rrugë, të jepte dorëheqjen. Le të thoshte; meqenëse mazhoranca që më ka votuar nuk do të më kandidojë dhe jap dorëheqjen dhe unë nuk do ta kandidojë. Absolutisht që nuk do ta rikandidojmë”, tha Berisha.

Kreu i mazhorancës u shpreh se veprimet e kreut të shtetit janë në kundërshtim me dinjitetin dhe ligjin për Presidentin, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Berisha foli dhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit duke e cilësuar zgjedhjen e PS-së si fabrikim të interesave të kreut të PS-së, Edi Rama.

“Kam qenë dhe mbetëm i bindur se Avokati i Popullit duhet t’i përkas opozitës. Ai duhet të jetë një avokat i qytetarëve. Rama e përdori në mënyrën më të veçantë. E fabrikoi nga zyrtar e partisë. Kush është ky zotëria. Ky nuk ka asgjë socialiste. Ky do i marrë votat. Ne do e votojmë pa asnjë diskutim. Ne besonim se do vinte të mbronte opozitat dhe jo interesat e klaneve më të ngushtë”, tha Berisha.

Kryeministri Sali Berisha në një intervistë të drejtpërdrejtë televizive ka thumbuar sonte kryetarin socialist se në vend të dalë publikisht për të shprehur qëndrimet e tij, po përdor “ciu-ciu”-n, duke nënkuptuar rrjetin social Twitter që ka si ikonë një zog raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“Edi Rama i është kthyer komunikimit me ciu ciu. Kjo nuk është domethënëse. Unë komunikoj gjithë ditën me sms. Unë e kam dhënë numrin tim, e kam bërë publik në vitin 2005 dhe janë me qindra mijë sms që marr dhe çoj. Por të përdorësh Twitter për të hyrë pas dere, nuk mendoj se funksionon”.

“Ne jemi të detyruar që qëndrimet tona t’i bëjmë të qarta, jo me Twitter apo qoftë dhe me Facebook, por të dalim publikisht për t’i shprehur ato”, tha z.Berisha në intervistën për Tv Klan në emisionin “Opinion”.

Kurse theksoi: “Unë kam disa profile personale me emrin tim në Facebook por asnjëra nuk është e imja”.

a.y/NOA

KOMENTE