English

VV: Qeveria Thaçi po bën grusht-shteti, shpërfill vendimin e Kuvendit

Prishtinë, 18 dhjetor 2011, NOA – Pas miratimit më 7 dhjetor nga Kuvendi i Kosovёs, i mocionit me tri pika, të inicuar nga Lёvizja Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit me Serbinë, kjo lëvizje opozitare akuzon qeverinë se po bën grusht-shteti ndaj Kuvendit, duke shpërfilluer vendimet e tij, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Vetëvendosja akuzoi shprehimisht kryeministrin Thaçi se mocionin e miratuar me shumicë votash, pra 42 vota pro, 33 kundër dhe 2 abstenime dhe të shndërruar në vendim, e cilëson si rekomandim dhe jo vendim të formës së prerë, duke shpërfillur dhe zhvlerësuar dorazi vendimet e Kuvendit në një republikë parlamentare, siç është Kosova.

Kёshilli i Pёrgjithshёm i Lёvizjes Vetëvendosja në mbledhjen e sotme vendosi që nёse Qeveria e Kosovёs nuk e zbaton kёtё vendim të Kuvendit deri më 1 janar 2012, Lёvizja vetëvendosje do të ndёrmarrё veprime konkrete pёr ta zbatuar kёtё vendim tё Kuvendit nё çdo pikё tё tij.

Kështu sipas saj, nga data 14 janar 2012, aktivistёt e Vetëvendosjes do tё bllokojnё mallrat e Serbisё nё pikat kufitare te Dheu i Bardhё dhe nё Merdarё.

“Qeveria e Kosovёs, e sidomos Kryeministri i Kosovёs, treguan qartё se nuk e konsiderojnё obligues kёtё vendim tё Kuvendit tё Kosovёs. Kёtё vendim tё Kuvendit, Kryeministri i Kosovёs po e konsideron opinion e rekomandim, qё nuk e detyron Qeverinё. Kryeministri praktikisht po bёn grusht-shtet. Republika e Kosovёs ёshtё republikё parlamentare. Kuvendi i Kosovёs ёshtё organi mё i lartё politik nё Republikёn e Kosovёs. Nuk duhet ta lejojmё Qeverinё qё ta zhvlerёsojё Kuvendin duke shpёrfillur vendimet e tij. Nuk duhet ta lejojmё Qeverinё e Kosovёs ta lejojё forcimin politik, ekonomik e tregtar tё Serbisё nё Kosovё”, u shpreh lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti.

Lëvizja thotë se për vendimin në fjalë votuan deputetёt e Lёvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike tё Kosovёs dhe tё Aleancёs pёr Ardhmёrinё e Kosovёs, duke e shndërruar atë në vendimin më të rëndësishëm të Kuvendit tё Kosovёs.

Mocioni i Lëvizjes Vetëvendosja i miratuar dhe i kthyer në vendim kishte tri pika:

1. Qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

2. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheq bashkëpunimin me prodhuesit vendor dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia.

3. Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetëror për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

mit/NOA

KOMENTE