English

Intervista NOA - Malaj: Ndëshkimi me statut po i kthen deputetët e PS në kartona solidarë

Intervistë e agjencisë së lajmeve NOA.al me deputetin dhe anëtarin e Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj

Bisedoi: Irma Toptani

Deputeti Arben Malaj e cilëson situatën ekonomike në vend si problematike dhe borxhin e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përmasa të papranueshme. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve NOA.al, ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, jep këshilla për ekzekutivin sesi të përmirësojë situatën ekonomiko-financiare, duke paralajmëruar njëkohësisht se nëqoftëse Qeveria kujdeset thjeshtë për konsumatorët dhe pengon apo dëmton bizneset private, jo vonë, pasojat ndjehen në ekonomi dhe kjo godet konsumatorët apo taksapaguesit”.

Në intervistën për NOA.al, z.Malaj ndalet edhe në zhvillimet politike, duke u fokusuar tek ato brenda PS, si dhe në debatin e hapur së fundi për emrin e ri të Presidentit të vendit. Duke iu referuar deklarimit të liderit historik të PS, se kishte dhënë votë kundër PS me kryetar aktual z.Edi Rama, deputeti Malaj thekson se z.Nano nuk ka votuar ndonjëherë kundër interesave të vendit dhe të socialistëve.

Ndiqni më poshtë intervistën e plotë:

Çështjet ekonomike

Z. Malaj, tema më e prekshme globale është kriza ekonomike. Ndikimi i saj në debatet politike është rritur në Shqipëri. Qeveria thotë se nuk ka krizë tek ne. Ju jeni një ndër zërat më kritikë ndaj mënyrës se si mazhoranca po administron problemin me borxhin publik dhe situatën ekonomike në përgjithësi. Së fundmi, në një artikull tuajin trajtoni dhe problemin e “sovranitetit të vendeve” dhe borxhit publik. Sa e rrezikshme është situata në të cilën ndodhet Shqipëria?

Borxhi 60% i PBB është nivel i lartë për vendin tonë. Mesatarja e vendeve të Europës Juglindore është rreth 39%. FMN i ka kërkuar vendit tonë të ulë borxhin publik deri ne 50% për një periudhë afatmesme. Problemi real qëndron si në nivelin e lartë të borxhit edhe në pasiguritë që ka kostoja e financimit të ekonomisë për shkak të krizës globale.

Por ka vende që kanë ku borxhi i Prodhimit të Brendshëm Bruto arrin të jetë deri edhe tre herë më i lartë se Shqipëria...

Është e vërtetë, por këto vende kanë ekonomi më dinamike, më konkurruese dhe kosto financimi të ulët. Ndaj ne duhet së pari të kujdesemi për qëndrueshmerinë e financave tona publike, të ulim borxhin publik, të ulim koston e borxhit dhe të ndërmarrim reformat strukturore që ushqejnë më mirë rritjen e lartë dhe të qëndrueshme ekonomike.

Të mbetemi në çështjet ekonomike. Si e shihni nismën e Qeverisë për të liberalizuar tregun e shitjes së energjisë për bizneset dhe familjet. A do të thyejë monopolin dhe shfryjë bujën që bën çdo vit aplikimi për rritje çmimi?

Është një situatë e vështirë, reforma është në drejtimin e duhur, por koha për ta implementuar atë nga kompanitë private është shume e shkurtër. Kjo rrit rrisqet mbi bizneset private. Nëqoftëse një qeveri kujdeset thjeshtë për konsumatorët dhe pengon apo dëmton bizneset private, jo vonë, pasojat ndjehen në ekonomi dhe kjo godet konsumatorët apo taksapaguesit. Receta më e mirë për përballimin e krizës sipas ekonomistëve më të mirë është të ndërmerren të gjitha reformat që ndihmojnë rritjen ekonomike. Pa rritje ekonomike, papunësia rritet, varfëria rritet, të ardhurat e buxhetit bien, shpenzimet sociale rriten ndërsa qëndrueshmëria e financave publike bëhet e vështire apo e pamundur.

Kalojmë në një pyetje që lidhet me zhvillimet e fundit në partinë më të madhe të opozitës. Z.Malaj, pas zgjedhjeve në Kryesi dhe Sekretariat, kreu Rama foli për ekipe të kompletuara dhe struktura gjithëpërfshirëse. Edhe ju mendoni se u mbyllën problemet në PS?

Modernizimi i partive politike është një proces dinamik, i gjatë dhe jo i lehtë. Është një sfidë që duhet të bazohet në disa objektiva të qarta politike që duhet të jenë në përputhje me prioritetin e vendit.

Por pa një koalicion më të gjerë, a janë të mjaftueshëm ekipet dhe programet e PS për të fituar zgjedhjet e vitit 2013 që është synimi juaj? Cila do të ishte partia më e arritshme për koalicion, por me ndikim në elektorat?

Sistemi aktual zgjedhor, kërkon krijimin e koalicioneve sa më të mëdha por edhe sa më efektive. Sa më të mëdha për të fituar dhe sa më efektive për të qeverisur ndryshe. Ndaj për krijimin dhe konsolidimin e tyre duhet punuar çdo ditë dhe jo kryesisht në prag të zgjedhjeve apo pas përfundimit të zgjedhjeve. Vendi ka nevoje për koalicione të reformave dhe koalicione mbijetese.

Një tjetër çështje dite është bërë ajo e kreut të ri të shtetit. Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka deklaruar ditët e fundit se do të kandidojë sërish për postin e Presidentit. A shihet z.Nano si një kandidat konsensual që mund të shmangë krizën presidenciale? Mendoni se do të ketë “luftë” votash dhe kalkulime si më 2007?

Është shpejt për të fokusuar debatin publik në këtë moment kritik të vitit 2012. Një nga vlerat kryesore të Nanos në politikën shqiptare është angazhimi konkrete per çtensonimet e politikës shqiptare. Nuk ka ngurruar për të dhënë edhe dorëheqjen si kryeministër i vendit apo kryetare partie. Politika shqiptare ka shumë të papritura në kapërcimin e krizave të saja politike, të cilat i zgjat pa fund dhe i zgjidh në minutën e fundit.

Pas deklaratës së Nanos ka pasur zyrtarë të PS-së që i kanë kujtuar ish-kryetarit faktin se ka deklaruar hapur votën kundër partisë, pak vite më parë. A është kjo një arsye që e përjashton nga mbështetja e PS-së për Presidencën, apo mund të shihet si avantazh për Nanon se ka demonstruar në avancë, mosmbështetje për asnjë parti?

Nuk besoj që Nano ka votuar ndonjëherë kundër interesave të vendit dhe të socialistëve. Presidenti i ardhshëm i vendit patjetër do të ketë nevojë për mbështetjen e partive politike, madje të më shumë se një partie, qoftë kjo edhe partia më e madhe në vend siç është Partia Socialiste. Sa më e madhe të jetë mbështetja e partive politike aq më i madhe duhet të jetë detyrimi i Presidentit të ardhshëm për të punuar për ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve, duke ndihmuar forcimin e shtetit të së drejtës. Jemi rreth 6 muaj përpara nisjes së procedurave ligjore, është një kohë e gjatë për partitë politike për t’u fokusuar në këtë debat, dhe një kohë jo e gjatë për kandidatët potencialë, për të komunikuar me publikun dhe faktorët politikë. Momenti i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit duhet të jetë moment përgjegjshmërie politike dhe jo moment rinisje i grindjeve, konflikteve dhe krizave politike.

Ditët e fundit po flitet shumë për një shkarkim të mundshëm të z.Kastriot Islami nga Grupi Parlamentar të PS. Brenda partisë suaj ka zëra pro dhe kundër propozimit të kryetarit Edi Rama. Si e shikoni ju një shkarkim të mundshëm të z.Islami dhe futjen e masave ndëshkimore me statut në PS?

Unë mbroj konceptin se efikasiteti i një force politike vjen nga fleksibiliteti i saj dhe jo nga masa përjashtuese, apo disiplina formale. Masat ndëshkuese dhe përjashtuese do të jenë të dëmshme për sfidat politike të Partisë Socialiste. Aq më pak, ne nuk duhet të synojmë rritjen e efikasitetin tonë politiko-elektoral duke rritur masat ndëshkimore ndaj çdo deputeti socialist edhe ne rastet kur mospjesëmarrja ne votime apo votimi abstenues, nuk prodhon një rezultat politike negative për PS-në, por thjeshtë ajo që quhet “shkelje e disiplinës”. E duke u fokusuar në rastin e fundit, me mospjesëmarrjen e tyre kolegët deputetë të PS nuk i sollën partisë ndonjë dështim. Unë mendoj se shtimi i rasteve statutore kur një deputet penalizohet politikisht krijon premisa negative në ushtrimin e mandateve politike, duke i shndërruar deputetet në thjeshtë “kartona solidarë”, pa të drejtë analize dhe qëndrimi të tyrin. Nga ana tjetër, aktiviteti i një deputeti, mund të shërbejë si element vlerësimi për karrierën e tij politike, por në asnjë rast mungesa në seance parlamentare, mos votimi, apo votimi abstenues duhet të shërbejnë për çregjistrim deputetësh nga Grupi ynë Parlamentar.

Ju faleminderit z.Malaj për intervistën që i dhatë Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA.al.

Ju faleminderit juve.

Fund

KOMENTE