English

Përdorimi i kohës në Shqipëri: Femrat më shumë kohë pune të papaguar

Tiranë, 19 dhjetor 2011, NOA- Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me INSTAT dhe zyrën e Kombeve të Bashkuara publikuan rezultatet e plota të Studimit të parë Kombëtar të Përdorimit të Kohës në Shqipëri.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, gjatë fjalës së saj, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqiperi, Zineb Touimi-Benjelloun u shpreh se, “Për herë të parë kemi një panoramë të qartë të përdorimit të kohës nga qytetarët shqiptare, si ata meshkuj edhe ato femra”.

Mësohet se procesi i mbledhjes së të dhënave në terren zgjati për një periudhë 12 mujore, duke filluar nga muaji Mars 2010 deri në javën e parë të Marsit të vitit 2011. Nga 2,250 familjet e zgjedhura për të marrë pjesë në studim, 91.5 % e tyre iu përgjigjën pyetësorëve të studimit.

Instrumenti kryesor për mbledhjen e informacionit për përdorimin e kohës ishte ditari. Dy ditarë u plotësuan nga të gjithë individët 10 vjeç e lart në familje, një ditar për një ditë jave të zakonshme (një nga ditët nga e hëna deri të premten) dhe ditari i dytë për një nga ditët e fundjavës (të shtunë ose të diel).

Nga ky studim rezultoi se në Shqipëri, femrat shpenzojnë më shumë kohë se sa meshkujt në kryerjen e aktiviteteve të punës së papaguar, ku 95 % e femrave të moshës 15-64 vjeç dhe vetëm 37 % e meshkujve 15-64 vjeç janë të përfshirë në punët e shtëpisë, kujdesin për fëmijët, përgatitjen e ushqimit, blerjet dhe aktivitete të tjera të lidhura me punën e papaguar gjatë ditëve të javës.

Më tej rezultoi se meshkujt shpenzojnë shumë më shumë kohë në punë te paguar se femrat, si për sa i përket numrit të orëve dhe minutave, ashtu edhe në terma përqindjeje të personave që kryejnë punë të papaguar në një ditë mesatare. Vetëm 32% e femrave shpenzojnë kohë për punë të paguar krahasuar me 56% të meshkujve.

Ndër të tjera studimi evidentoi se femrat dhe meshkujt në zonat rurale shpenzojnë më shumë kohë duke punuar sesa ato të zonës urbane.

a.y/NOA

KOMENTE