English

Gjykata e Lartë: TIA gabim, ne informojmë qytetarët

Tiranë, 23 dhjetor 2011, NOA- Gjykata e Lartë reagoi pak më parë lidhur me deklaratën e Transparency International Albania mbi konferencën me temë “E Drejta e Informimit mbi Dokumentet Zyrtare”.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në qëndrimin e saj Gjykata e Lartë sqaron se, trajtimi i të gjitha ankesave, kërkesave dhe letrave më të zakonshme të qytetarëve, të cilat i drejtohen Kryetarit të Gjykatës së Lartë, kanë pasur vëmendjen e veçantë të këtij të fundit.

Theksohet gjithashtu se Kryetari i Gjykatës së Lartë, krahas punës dhe aktivitetit të përditshëm, i kushton një hapësirë të veçantë komunikimit me qytetarët duke lexuar personalisht të gjitha kërkesat që lidhen me çështjet gjyqësore që administrohen në Gjykatën e Lartë përfshirë edhe kërkesat për përshpejtimin e gjykimit të çështjeve. Në këto raste, gjyqtarit përkatës relator të çështjes, i përcillet për vlerësim kërkesa e qytetarit duke iu bashkuar dosjes përkatëse.

Në vijim gjyqtari relator vlerëson nëse çështja do të kalojë për përshpejtim në rastet kur përmbushen kushtet e parashikuara në Rregulloren e Brendshme të Gjykatës së Lartë.

Më tej sqarohet se Gjykata e Lartë ka në pritje për shqyrtim rreth 9000 çështje, për të cilat ka korrespondencë të vazhdueshme me palët.

Në këtë linjë në komunikatën e kësaj gjykate thuhet se, “Rasti i vetëm i paraqitur nga ana e projektit të TIA, nuk mund të kualifikojë institucionin e Gjykatës së Lartë si një institucion që nuk zbaton drejt ligjin për të drejtën e informimit. E drejta e qytetarëve për të marrë informacionin e duhur pranë nesh ka qene dhe do të jete në vëmendjen maksimale të Gjykatës së Lartë në çdo kohë, përkrah ushtrimit të detyrave të përcaktuara me ligj”.

a.y/NOA

KOMENTE