Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kosova si e pavetëdijshmja e Shqipërisë
English

Kosova si e pavetëdijshmja e Shqipërisë

"Për shqiptarët e Shqipërisë (përveç disa përjashtimeve të ndershme, dhe një pjese tjetër të popullatës atje, që është tërësisht indiferente ndaj vendit tonë), Kosova paraqitet si objekti (si në psikoanalizë) nëpërmjet të cilit ata ndjehen mirë. Ky është dimenzioni klinik i këtij raporti shqiptaro-shqiptar."...

Nga Agron Hamza

Është interesant të analizohet raporti i shqiptarëve të Shqipërisë me Kosovën. Jo pse ky raport duhej të ishte interesant në vetvete, por transformimi i këtij raporti përgjatë viteve e bën atë interesant. Në fakt, vetëm për gjërat interesante ia vlenë të mendohet. Filozofi Louis Althusser thotë se në filozofi, fillimi i vërtetë është fundi. Rrjedhimisht, të fillojmë nga fundi dhe t’i hedhim kartat mbi tavolinë: në Shqipëri, ky fund ka dimenzionin e fillimit. Fillimi nënkupton një rifillim të raporteve me Kosovën. Një fillim që fundamentohet mbi një raport të çuditshëm: patronizimit absolut në raport me vendin.

Për shqiptarët e Shqipërisë (përveç disa përjashtimeve të ndershme, dhe një pjese tjetër të popullatës atje, që është tërësisht indiferente ndaj vendit tonë), Kosova paraqitet si objekti (si në psikoanalizë) nëpërmjet të cilit ata ndjehen mirë. Ky është dimenzioni klinik i këtij raporti shqiptaro-shqiptar. Kosova ekziston si vend objekt-shkaktar i dëshirës për nacionalizëm. Sepse, siç na thotë klisheja (dhe këtu duhet menduar se deri në çfarë mase kjo klishe është e vërtetë), shqiptarët e Kosovë janë nacionalistë, të pagdhendur dhe katundarë. Madje, në instanca të caktuara bëhen të pështirë, sidomos me atë që prej perspektivës së Tiranës perceptohet si admirim për Berishën, ndërsa bëhen palaço kur tentojnë të flasin gjuhën standarde shqipe. Dhe lista vazhdon tutje, me patriakalizmin, religjionin, e kështu me radhë.

Mirëpo, në këtë tekst dua të merrem me një dimenzion të caktuar të raportit të shqiptarëve të Shqipërisë në raport me Kosovën: atë të nacionalizmit. Si është e mundur që, pothuajse papritmas, shqiptarët e Shqipërisë (ose, një pjesë e tyre) filluan të na flasin për kombin, bashkimin kombëtar, e kështu me radhë? Ky shpjegim ka kuptim (prapë) në raportin që ndërtohet në mes të shqiptarit të Shqipërisë me atë të Kosovës. Thënë në termet e kritikës së ideologjisë liberale, shqiptari i Shqipërisë vet-përceptohet si i iluminuari, i/e cili/a nuk e ka barrën e nacionalizmit (apo, siç thuhet atje, atdhe-dashurisë) dhe tenton të bëjë një jetë mondane – atë të cinikut postmodern, i/e cili/a e ka “kuptuar” brutalitetin e jetës dhe dashuria (si p.sh. ajo për atdheun) është tërësisht e pakuptimtë.

Në anën tjetër, katundari i Kosovës, në mënyrë patronizuese, glorifikohet si personi që e don vendin e tij, është patriot, etj. Ndonëse është katundar, ai e ka njëfarë dëlirësie në vetvete, njëfarë pastërtie që, siç na thonë, është për t’u admiruar. Por, çka do të thotë kjo? Katundari atdhetar është fëmija i pafajshëm, e i padjallëzuar, përderisa shqiptari i emancipuar i Shqipërisë, në njëfarë mënyre e ka harruar dëlirësinë dhe është angazhuar në brutalitetin cinik të jetës. Në këtë mënyrë, angazhimi patriotiko-nacionalist i shqiptarit të emancipuar bëhet jo nëpërmjet vetës, por nëpërmjet Tjetrit, i cili supozohet të besojë (Lacan) në një kauzë. Në këtë mënyrë, shqiptari i Shqipërisë bëhet nacionalist nëpërmjet subjektit të supozuar nacionalist, domethënë, nëpërmjet atij/asaj që ai/ajo beson se është a priori nacionalist.

Duke e diagnostifikuar këtë raport si klinik, më lejoni të vazhdoj tutje me Freudin dhe konceptin e tij të kompenzimit. Në psikoanalizën Freudiane, kompenzimi është mekanizëm përmes së cilit individi në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme i mbulon dobësitë, frustrimet, dëshirat, ndjenjat, etj. Thënë ndryshe, kompensimi është mekanizëm psikologjik i mbrojtjes nga komplekset e inferioritetit, ndrydhjes – ose më saktë, kompenzimi është mekanizëm i cili artikulon (në dimenzione të ndryshme) mungesën që e ka subjekti. Të bëjmë një paralele me teologjinë: objekt i teologjisë nuk është Zoti, por është besimi; por besimi nuk është kurrë besim i drejtpërdrejt në ‘objektin’. Subjekti beson nëpërmjet tjetrit, pra tjetri është garantues i besimit të tij. Në këtë mënyrë, subjekti beson në diçka (Zot, objekt, ideologji, etj) në mënyrë tranzitiv-logjike (tezën e besimit e zhvillon jashtëzakonisht mirë Slavoj Zizek – mes tjerash edhe në librin – The Fragile Absolute).

Në këtë mënyrë, ciniku i emancipuar i Tiranës tenton që me çdo kusht të besojë në nacionalizëm nëpërmjet katundarit të Kosovës, dhe në anën tjetër, praktikën e tij nacionaliste ta fetishizojë nëpërmjet po të njejtit katundarë. Sepse, në instancë të fundit, nacionalizmi është vetëm praktikë partikulare, ose praktikë e cila në përgjatë dhe në fund të ciklit të vet zhvillimor, nuk mund të univerzalizohet. Mbetet praktikë lokale dhe e izoluar– dhe në ndonjë instancë tjetër, mund edhe të zhduket si e tillë, por kjo ka pak rëndësi. Në këtë linjë, këtu duhet hedhur një hipotezë tjetër, pikërisht rreth besimit: a nuk është krijimi i kauzave të reja, siç është praktika e nacionalizmit të ri shqiptar (të Shqipërisë), përpjekje për të legjitimuar ekzistencën (individuale ose kolektive të grupit)?

Kjo do të thotë që ekzistenca e një individi apo grupi nuk është politike për shkak të një kauze specifike në të cilën unë besoj – por, unë duhet të rizbulojë kauza të reja përgjatë gjithë kohës, me qëllim të justifikimit apo përligjes së asaj që unë pretentoj ta quaj ‘ekzistencë politike’. Nëse më lejohet ta banalizoj pakës këtë tezë, atëherë mund të them se “rizbulimi i kauzave” (dhe jo idesë) e bën jetën goxha më interesante, apo jo? Në anën tjetër, filozofi Sead Zimeri propozon një lexim tjetër të “delegimit” të nacionalizmit tek shqiptarët e Kosovës. Ai e lexon këtë nëpërmjet konceptit të “interpasivitetit” (të zhvilluar jashtëzakonisht mirë nga Robert Pfaller): të qenurit interpasiv do të thotë i’a delegosh tjetrit kënqësinë tëndë dhe pasivozohesh nëpërmjet tjetrit – por, në mënyre aktive.

Edhe pse ti nuk je drejtpërdrejtë i përfshirë në aktivitetin e tjetrit, megjithatë ai të bën të ndjehesh mirë. Individi nuk është vet aktiv, por ai tjetri i cili është aktiv të bën aktiv në pasivitetin tënd. Ti s’ke nevojë të jesh drejtpërdrejt nacionalist, sepse mjafton që tjetri të jetë nacionalist për ty. Kleçka është se ti ndjehesh mirë. Ky është argumenti më i fuqishëm për implikim e individit në kauzat që ai në mënyre cinike u shmanget; në atë shmangie, ai dëshmon se është më besimtar dhe më i involvuar se vet aktorët, që në shumicën e rasteve janë thjeshtë të fabrikuar pikërisht për të kënaqur një spektaklet, që i vështron në mënyrë interpasive

Me rilindjen e nacionalizmit (të ri) shqiptar në Shqipëri, na konfirmuan një gjë që realisht, të gjithë në e dinim shumë moti: se qenkemi një komb. Për këtë konfirmim, rilindja e nacionalizmit nuk ka qenë aspak e nevojshme: sepse thjeshtë, këtë e dinim që moti. Por, kur na flasin me aq shumë kompetencë për Kosovën, gjërat fillojnë e komplikohen pakës. U rishpallëm vëllezër (e motra). Bukur shumë! E rizbuluam historinë. Na thonë se tani po (ri)fillojmë së dashuruari njëri-tjetrin, si duket, si kompenzim për kohën e humbur së bashku. Njejtë si dashnorët që janë në lidhje në distancë, kur takohen, duhen më shumë e kalojnë më shumë kohë bashkë. E për dallim nga dashnorët të cilët e njohin njëri-tjetrin mirë, neve na thonë se tashmë po rifillojmë të njohim njëri tjetrin.

Mirëpo, kur na flasin për teorinë e njohjes, këtu ekzotizohemi të gjithë. Pa përjashtim: të emancipuar e katundarë. Njohja e Tjetrit është gjithnjë shantazhuese: kurrë nuk mund ta njohësh tjetrin në tërësinë dhe thellësinë e tij. Si pasojë, krijohet distanca e vet-vetishme me tjetrin, e cila e mbulon vet njohjen. Në këso rastesh, afërsia është veloja që e mbulon rritjen e distancës. Kështu, ne bëhemi (apo, vetbëhemi) të emancipuar e katundarë. Por, nëse jemi një komb (siç, edhe jemi), atëherë pse duhet të rinjihemi me njëri tjetrin? Në këtë kontekst, lindë një problem tjetër: ndonëse jemi një komb, për shqiptarin e emancipuar të Shqipërisë, ne shqiptarët e Kosovës jemi kosovarë.

E gjithë kjo situatë bëhet goxha e lezetshme, pikërisht për shkak të paradokseve që ajo i shpërfaqë. Ne quhemi kosovarë nga bashkëkombasit tanë shqiptarë, njësoj siç quhemi nga strukturat neoimperialiste të instaluara në Kosovë (ICO, EULEX, KFOR, etj). Interpelimi në kosovarë (edhe nëse është koncept krahinor, si p.sh. lab, çam, etj) është automatikisht përjashtues nga tërësia e kombit shqiptarë. Kombi është ekskluziv: duke qenë kosovar, nuk mund të jesh pjesë e kombit shqiptar. Edhe një pardoks tjetër interesant, mbi të cilin duhet reflektuar më thellësisht (tjetër herë).

Në fillim të Grundrisse, Marksi thotë së populli është një abstraksion, nëse përjashtohen klasat. Nga ana tjetër, klasat, thotë ai, janë fraza të zbrazëta nëse nuk analizohen elementet në të cilat ato ekzistojnë (paga , kapitali, etj). këto të fundit, presupozojnë këmbimin, ndarjen e punës, çmimet, etj. Marksi vazhdon tutje, duke thënë se kapitali nuk është asgjë pa pagën, pa vlerën, paratë, çmimet, etj. Pra, vazhdon ai në shpjegimin e metodës së ekonomisë politike, nëse fillojmë analizën nga popullata, kjo do të jetë një koncepcion kaotik i tërësisë. Së këndejmi, kur flasim për kombin shqiptar, është mirë të analizohet edhe qarkullimi i kapitalit dhe fuqisë punëtore.

Tregimi tashmë i famshëm i pamundësisë së eksportimit të patateve (dhe i verës) nga Kosova në Shqipëri është i ditur gjithandej. Por, çka dihet më pak dhe sipas njohurive të mia nuk është analizuar fare nga sociologët e ekonomistët, është tregu i punës për shqiptarët këndej e andej kufirit. Që nga paslufta e tutje, ka numër jashtëzakonisht të madh të shqiptarëve të Shqipërisë të punësuar në Kosovë: në bisnese private, në institucionet ndërkombëtare, në administratën (tash) shtetërore të Kosovës, universitete, media, bare e restorane, e kështu me radhë.

Dhe, në parim, por jo domosdoshmërisht, mund të thuhet se kjo është mirë, ndonëse kur flasim për akademi e administratë dhe duke e pasur parasysh gjendjen e të dyjave në Shqipëri, nuk jam shumë i sigurtë që po importojmë model të mirë. Por, si qëndron puna me shqiptarët nga Kosova të punësuar në Shqipëri? Me sa unë di dhe me sa unë po shoh, raporti jo vetëm që është largë së qenuri i përafërt, por është një diskrepancë e jashtëzakonshme edhe në këtë raport. Raporti patronizues na shfaqet edhe në ekonomi.

Dhe së fundi, krejt ky raport u kurorëzua në formën më të pështirë të mundur nëpërmjet një video klipi të grupit medial Top Media, si urim për festat e fundvitit. Ishin mbledhur (si duket) të gjithë fytyrat e ekranit të televizionit Top Channel, në një shesh të Tiranës dhe të qeshur, ashtu siç dinë ata, këndonin një këngë folklorike, kësaj herë të riorkestruar: këngën “Xhamadani vija vija”. Ndërsa këta këndonin e zgërdhiheshin, ne shihnim një personazh me motorçikletë, që përshkonte kufinjtë e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe në mënyrën më arrogante dhe pa pikë turpi, kufirin verior të Kosovës e vendosi tek ura e lumit Ibër në Mitrovicë.

Duke qenë televizion i rëndësishëm shqiptar, dhe duke qenë se brengosen edhe për shqiptarët jashtë kufinjëve të Shqipërisë, ata duhet ta dinë se e tërë lufta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet pikërisht për atë pjesë të territorit të Kosovës. Filozofi japonez Kojin Karatani e ka prezentuar konceptin e “vështrimit parallaks”: kur ti e vështron një objekt dhe prej perspektivës tënde duket se objekti ndryshon ose lëvizë, por në realitet vetëm perspektiva jote zhvendoset. Thënë ndryshe, “vështrimi parallaks” është kur e ‘vërteta’ qëndron në zhvendosjen e perspektivës mbi diçka. Dhe në fakt, video klipi arrogant i Top Medias është e vërteta e përceptimit të shqiptarëve të Shqipërisë për ata të Kosovës.

"Shekulli"

KOMENTE