English

Serbët e veriut në referendum më 14 e 15 shkurt 2012

Mitrovicë, 29 dhjetor 2011, NOA – Pas mbledhjes së të mërkurës të ashtuquajturit kuvende komunale të dy komunave paralele në veri të Kosovës vendosën që më 14 dhe 15 shkurt të vitit të ardhshëm, banorët serbë do të shprehen përmes referendumit nëse dëshirojnë që në veri të Kosovës të pranojnë instalimin e institucioneve të Prishtinës apo jo.

Kundër këtij vendimi të marrë në Kuvendin e Mitrovicës janë kuvendarët e G 17, të cilët nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën se si është formuluar pyetja.

Pas mbledhjes, i ashtuquajturi kryetar i komunës së Mitrovicës, theksoi se Kuvendi ka marrë vendim që banorët e Mitrovicës të dalin në referendum ku do të deklarohen me "Po" ose "Jo" nëse dëshirojnë që në veri të vendosen institucionet e Prishtinës.

Edhe i ashtuquajturi kryetar i Kuvendit të Zveçani, Dobrosav Dobriç, nënvizoi se referendumi është shprehje më e lirë e vullnetit të popullit, bën me dije Qendra për Informim e Kosovës.

Ky vendim i serbëve vjen në një moment kur SHBA dhe BE i kanë kërkuar Serbisë të heqë dorë nga strukturat paralele në veri të Kosovës duke preçizuar se duhet të zhbllokojë edhe barrikadat në veri të territorit të Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE