English

Albin Kurti: 2011, vit i mungesës së sovranitetit të Qeverisë (VIDEO)

Prishtinë, 30 dhjetor 2011 NOA/Rid Bulku - Lideri i Vetëvendosjes e ka nisur ashtu si kryeministri, fjalimin e tij sot, me vitin 2011 por e ka vijuar dhe përfunduar me "urimin" që kjo qeveri që ka sot Kosova të mos jetë më në vitin 2012.

"Urojmë që në vitin 2012, deri në ditën kur do ta heqim këtë Qeveri nga pushteti, ajo të bëjë sa më pak të këqija, tash që na e ka dëshmuar se s’bën dot gjëra të mira.", "uroi" Kurti.

Më poshtë vijon fjalimi i plotë i zbardhur dhe në video:

Viti 2011 ishte vit i mungesës së sovranitetit dhe i teprimeve të Qeverisë. Mungesa e dorës së shtetit bëri që Kosova të jetë një treg i hapur për secilën ekonomi prodhuese të rajonit, ndërkaq ajo vetë të mbetet pa ekonomi prodhuese. Qeveria e Kosovës në vitin 2011 nuk ka punuar për shtet por shtetin e ka përdorur për punësim: i kanë punësuar militantët partiakë dhe të afërmit e tyre, prej rojeve aspak të nderit nëpër ndërtesa publike e deri te ministrat, zëvendësministrat, zëvendëskryeministrat dhe e gjithë Qeveria që realizoi interesa private.

Në vitin 2011, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka pasur ngritjen më të madhe politike dhe organizative. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka qenë më shumë politikë dhe më shumë demokratik, si asnjëherë më parë që prej përfundimit të luftës. Përderisa Qeveria e Kosovës ka treguar gatishmëri për të bërë pazare me Serbinë kundër funksionimit të të shtetit dhe në llogari të territorit të vendit, përderisa qeveria e Kosovës ka treguar gatishmëri për t'i shitur pasuritë publike dhe kombëtare, në të njëjtën kohë, ajo nuk ka treguar guxim për ta mbrojtur vendin.

Ne ju kërkojmë falje, si politikanë të VETËVENDOSJE!-s, të gjithë juve gazetarëve të Kosovës, që e kemi bërë edhe punën e gazetarëve, që iu kemi përzier edhe juve në punë, p.sh. duke informuar e duke publikuar kontratën famëkeqe të Qeverisë së Kosovës me korporatën Bechtel-Enka, e cila paraqet vjedhjen më të madhe të buxhetit të shtetit në Kosovën e pasluftës. Mirëpo, njëkohësisht, ju inkurajojmë që të na hakmerreni duke bërë edhe ju punën e politikanëve përmes analizave kritike, opinioneve politike dhe zgjidhjeve konkrete. Gazeta, radioja dhe televizioni, atëherë kur nuk mund të jenë vetëm gazetë, radio e televizion, le të jenë shumë më tepër politikë sesa biznes.

Urojmë që në vitin 2012, deri në ditën kur do ta heqim këtë Qeveri nga pushteti, ajo të bëjë sa më pak të këqija, tash që na e ka dëshmuar se s’bën dot gjëra të mira.

355
KOMENTE