English

Mitrovica, urimi i kryetarit Kastrati për Vitin e Ri 2012

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka dalë me një mesazh publik për qytetarët duke uruar që viti i ri të sjellë më shumë të mira për të gjithë.

Lexoni më poshtë urimin e plotë nga z.Kastrati:

Të nderuar qytetarë

Bashkërisht e përmbyllëm edhe një vit në rrugëtimin tonë të përbashkët për krijimin e kushteve më të mira për jetë për të gjithë. Më lejoni që të shpreh falënderimin tim më të sinqertë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ishte një vit i sfidave, por edhe i përpjekjeve të mëdha. Gjatë këtyre 12 muajve janë bërë investime të mëdha që kanë rezultuar në përmirësimin e cilësisë së jetës. Janë realizuar shumë projekte të infrastrukturës rrugore, kanalizime, ujësjellës etj, si në fshatra ashtu edhe në qytet. Me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës është asfaltuar rruga 9-kilometërshe e fshatit Vllahi, që lidh edhe shumë fshatra të tjera të Shalës. Në këtë zonë janë realizuar edhe shumë projekte të tjera rrugore, si rregullimi i rrugës malore për fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë të Leposaviqit, mandej janë rregulluar disa rrugë në Zabërxh, Trepçë, Bajgorë etj. Në Bare është ndërtuar një objekt modern i Shtëpisë së Kulturës, ndërsa në Trepçë është rinovuar fusha e sportit, që do të jetë në shërbim të qytetarëve të atij lokaliteti. Në ndërkohë gjithashtu është asfaltuar edhe rruga dhe është rregulluar gjithë infrastruktura tjetër në Kroin e Vitakut në veri. Ka vazhduar procesi i rindërtimit të shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në lagjet e veriut. Duke pasur parasysh rrethanat e rënduara në veri, të cilat kanë vështirësuar tejmase jetën e banorëve shqiptarë dhe atyre joserbë, kemi realizuar edhe disa projekte me qëllim të zbutjes së situatës. Disa herë kemi dërguar ndihma ushqimore për të gjitha familjet e veriut që kanë bërë kërkesa për një gjë të tillë, duke përfshirë edhe banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviqit. Kemi marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve për transport për studentët që jetojnë në veri dhe që studiojnë në Prishtinë. Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe papunësinë e madhe, në fillim të vitit kemi nisur zbatimin e projektit për mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë e varrimit për të gjitha rastet në territorin e komunës sonë. Me investime të buxhetit komunal dhe ndihmës së donatorëve e kemi modernizuar infrastrukturën në zonën përreth lumit Lushtë. Janë bërë investime të mëdha edhe në fushën e arsimit, mandej shëndetësisë, ku tanimë janë funksionalizuar të gjitha repartet e spitalit rajonal. Kemi bërë hapa të mëdhenj për të lehtësuar bizneset dhe ekonomitë familjare, duke ulur normën Tatimit në Pronë. Kemi shkurtuar procedurat dhe kohën e regjistrimit për bizneset, duke hapur një qendër në shërbim të tyre në komunë. Ndërsa për të lehtësuar dhe plotësuar kërkesat e qytetarëve që i drejtohen komunës kemi hapur një qendër moderne në shërbim të tyre. Jemi të vetëdijshëm se nevojat e qytetarëve mitrovicas janë të mëdha, por vullneti ynë dhe përkrahja juaj është garanci për suksesin tonë të përbashkët. Urime Viti i Ri 2012. Qofshi me shëndet ju dhe familjet tuaja. Ju faleminderit.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati

KOMENTE