English

Topi: S’e kam ngatërruar votën, po sulmohem për t’u larguar vëmendja nga vonesa e rëndë

Tiranë, 20 Maj 2011 NOA - Presidenti i Republikës nxori sonte këshilltaren e tij për mediat Mimoza Koçiu që të publikojë një deklaratë në emër të tij, ku as pohonte dhe as mohonte nëse ka votuar për Edi Ramën, ndërsa hidhte akuza të forta ndaj mazhorancës.

Koçiu tha se Presidenti hedh poshtë spekulimet lidhur me votën e fshehtë të hedhur më 8 maj.

Zëdhënësja e Presidentit të Republikës, zonja Mimoza Koçiu tha: “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, hedh poshtë me neveri spekulimet politike dhe mediatike lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë me 8 maj për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Çdo qytetar i interesuar ka patur rastin të shohë në formë publike e vizive aktin e votimit të Presidentit, si votim i rregullt, ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër, mbetet produkt i sajuar politik e mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa në administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve. Presidenti i Republikës refuzon të përfshihet në spekullimet dhe lojrat politike të ditës, dhe me cilësinë e Kryetarit të Shtetit apelon edhe njëherë aktorët politikë dhe institucionet përgjegjëse, që të lënë mënjanë çdo alibi dhe përpjekje për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që u ngarkon ligji dhe interesat madhore të vendit”, - përmbyllet deklarata nga Presidenca.

Reagimi i Topit përmes Koçiut, erdhi pak orë pasi u zbulua direkt në TV në mbledhjen e KQZ, se e vetmja votë e hedhur në kutinë e gabuar ishte për Ramën dhe pikërisht ajo që një ditë më parë u publikua se ishte hedhur gabimisht nga Presidenti Topi që sot e mohoi të ketë gabuar por nuk përgënjeshtroi nëse ka votuar apo jo për Edi Ramën.

e.t/NOA

KOMENTE