English

Vetëdorëzohet në polici djali i Gjergj dhe Luiza Xhuvanit

Tiranë, 23 maj 2011, NOA – Djali i regjisorit Gjergj Xhuvani dhe aktores e deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani është vetëdorëzuar sot në policinë e Tiranës, pasi dyshohet si autori kryesor i vrasjes së Alfred Musabelliut në muajin shkurt.

Policia e Tiranës bën me dije se 22-vjeçari Kostandin Xhuvani është vetëdorëzuar së bashku me armën e krimit.

Xhuvani i dyshuari kryesor për vrasjen e Alfred Musabelliut në 12 shkurt të këtij viti ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranës menjëherë pas kryerjes së krimit.

Pas sigurimit dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes policia e Tiranës administroi provat ku rezultoi se Kostandin Xhuvani ishte bashkëautor i vrasjes së 22-vjeçarit Alfred Musabelliu, bashkë me dy të tjerë, 23-vjeçarin Albi Zela, me banim në Tiranë, dhe 22-vjeçarin Donald Ymeri, që të dy të arrestuar.

Vrasja e Alfred Musabelliut ndodhi në 12 shkurt në rrugën “Ali Visha” në Tiranë në afërsi të Qytetit Studenti, pas një grindje për motive të dobëta, kur shtetasi Kostandin Xhuvani së bashku me dy miqtë e tij, qëlluan mbi 22-vjeçarin Alfred Musabelliu, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas insistimit të familjarëve të tij që të vetëdorëzohej, tashmë 22-vjeçari Kostandin Xhuvani u vëtëdorëzua pas plot tre muajsh i fshehur dhe është nën akuzë për konsumim të veprës penale të vrasjes me dashje dhe të armëmbajtjes pa leje dhe do të procedohet nga Prokuroria e Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE