English

Berisha: Arrestimi i Mlladiç, triumf i drejtësisë ndërkombëtare

Tiranë, 26 maj 2011, NOA- Arrestimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, që akuzohet për masakrën e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 000 persona myslimanë është përshëndetur edhe nga Kryeministri shqiptar Sali Berisha.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp kreu i qeverisë shqiptare, e ka cilësuar arrestimin e Mladiç, si triumfin e drejtësisë ndërkombëtare dhe ngushëllim për shpirtrat e mijëra viktimave të pafajshme dhe familjeve të tyre

Ai e ka cilësuar Mlladiç si njërin prej figurave me gjakësore më famëzeza në historinë e Ballkanit dhe të Europës dhe si përgjegjësin kryesor dhe direkt për genocidin dhe barbarinë serbe në Bosnje në tërësi dhe në Srebenicë në veçanti, ku organizoi shfarosjen në pak ditë të 8000 mijë fëmijëve burrave dhe grave të pafajshme.

“Arrestimi, ndonëse i vonuar i autorit të genocidit dhe masakrave më të mëdha që Europa ka njohur pas luftës së dytë botërore është triumf i drejtësisë ndërkombëtare dhe ngushëllim i madh për shpirtrat mijëra e mijërave viktimave të pafajshme dhe familjeve te tyre”, thuhet në deklaratën e kryeministrit shqiptar.

Ratko Mlladiç kërkohej prej 16 vitesh për genocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnje dhe Hercegovinë, nga Tribunali i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi

Lajmi për arrestimin e tij u bë i ditur nga Presidenti Serb Boris Tadiç i cili tha se me arrestimin e tij është pastruar emri i vendit, dhe më vonë u përshëndet nga një përfaqësi e lartë e ndërkombëtarëve, si kryediplomatja e Bashkimit Europian Catherine Ashton e cila gjatë ditës së sotme ndodhej për një vizitë në Beograd, nga Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle si dhe nga një sërë emrash e diplomatësh me emër.

a.y/NOA

KOMENTE