English

Rama: Fituam Tiranën, drejtësia të thotë fjalën e saj

Tiranë, 26 maj 2011, NOA – Ndërkohë që Kolegji Zgjedhor ka nisur shqyrtimin e ankesës së PS-së për rezultatin e Tiranës, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se opozita e ka fituar Tiranën, duke deklaruar se ndryshimi i rezultatin në tavolinën e KQZ-së nxorri në dritë të diellit humbësin dhe fituesin e kësaj beteje.

Shefi i selisë rozë theksoi para pak minutash në një konferencë për shtyp se “Ndryshimi i rregullave siç ndodhi me pahir në Komisionin Qendror të Vjedhjeve nxjerr në shesh se kush ka humbur e kush ka fituar, nxjerr në dritë të diellit se kush është votuar nga populli dhe kush kërkon ta përmbysë këtë verdikt”, deklaroi Rama.

Ai ripërsëriti në takimin e sotëm me gazetarët se ajo që shqiptarët panë përmes medias në Komisionin Qendror të Vjedhjeve ishte një kanibalizëm elektoral.

Sipas Ramës ndryshimi i rezultatit për Tiranën përmes vjedhjes si moral, bën që populli përtej varfërisë së skajshme nuk mund ta pranojë dot vjedhjen si një akt të moralshëm, mbi të cilin të ngrihet bashkëjetesa demokratike e këtij vendi.

Kryesocialisti akuzoi kryeministrin Berisha se është frymëzuesi i vjedhjes së votave dhe futjes së fletëve të votimit të manipuluara në kuti.

“Shifrat flasin më mirë se çdo koment, dhe ato tregojnë se janë futur duart në proces pas kushtrimit të Saliut. Numrat e fletëve të votimit nuk rakordojnë me votuesit. U pa se fletë votimi të një qendre kishin fluturuar në një qendër tjetër votimi, duke iu shtuar me radhë të gjitha aspekteve të këtij kanibalizmi elektoral”, theksoi kryesocialisti.

Rama e akuzoi kryeministrin se nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë u bë sot avokati i vjedhjes së votës.

“Sot Saliu vazhdoi këmbëngulës dhe fjala e tij në kuvend ishte turp për këtë vend, turp për qytetarët që kanë këtë Kuvend dhe këtë kryeministër që flet të tilla broçkulla në foltoren e Kuvendit”, tha Rama.

Sipas tij tonet e fjalës dhe gjuha e Berishës janë një trysni konstante ndaj institucioneve të drejtësisë.

Rama nënvizoi se me këtë trysni kryeministri vetëm se rrit vendosmërinë e opozitës dhe palëkundjen e saj për t’i shkuar deri në fund një beteje për të ardhmen e demokracisë shqiptare.

“E konsiderojmë të turpshme çdo fjalë të Saliut lidhur me punën në Kolegjin Zgjedhor dhe Presidentin e vendit”, tha Rama duke i bërë thirrje Kolegjit Zgjedhor të thotë fjalën e vet, paanshmërisht dhe duke respektuar ligjet e interesat e larta të Shqipërisë.

“Asnjëherë nuk është shfaqur më açik se kaq vjedhja e votës në Shqipëri, dhe asnjëherë më açik se kaq nuk është shfaqur opinioni i ODHIR-it në raportin paraprak. Jo më larg se mbrëmë mendimi për zgjedhjet u duk tek deklarata troç e DASH-it, përmes Tomas Kantrimen”, tha kryesocialisti Rama.

“Unë besoj se procesi zgjedhor në dy pjesët e tij është i qartë për këdo, por ajo që mbetet me rëndësi themelore është se çdo shqiptar i ndershëm dhe bota demokratike nuk e gëlltit dot këtë gjellë dhe Tirana nuk do të bëhet pjesë e tavolinës së Saliut”, deklaroi shefi i opozitës.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama shprehu rishtas falenderimin e tij dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, SHBA-të, BE-në, OSBE-në, ODHIR-in, që qartësisht sikundër theksoi Rama “kanë thënë atë që duhet, mbi farsën që pasoi numërimin në Tiranë, mbi kanibalizmin elektoral në tavolinën e KQZ-së dhe mbi atë se drejtësia duhet të bëjë drejtësi, por dhe mbi numërimin e të ashtuquajturave fletëve të kontestuara të hedhura në kutitë të gabuara”.

mit/NOA

KOMENTE